E hënë, 19 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
KESH thellon skandalin me TEC-et lundruese në Vlorë
Investigim

KESH thellon skandalin me TEC-et lundruese në Vlorë

Hap tender 20 milionë euro për ‘Tigrat’

Afera e TEC-eve lundruese në Vlorë vijon të mbetet një nga çështjet më të debatueshme në sektorin energjetik në Shqipëri, teksa kostot rriten në mënyrë të vazhdueshme, ndërsa prodhimi i energjisë mbetet i papërfillshëm.

Anijet energjetike të vendosura në zonën e Triportit, të cilat u prezantuan si zgjidhje emergjente për krizën energjetike, deri më tani kanë dhënë rezultate minimale. Pavarësisht kësaj, shpenzimet për funksionimin e tyre janë të konsiderueshme, duke arritur në qindra mijëra euro në ditë vetëm për mirëmbajtje dhe operim, pa përfshirë kostot shtesë si karburanti, siguracionet dhe stafi teknik.

Në vend që të ketë një analizë të thelluar apo hetim mbi efektivitetin e këtij investimi, institucionet përgjegjëse vijojnë procedurat që rrisin më tej barrën financiare. Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH) ka hapur një tjetër procedurë prokurimi, këtë herë për mirëmbajtjen dhe operimin e dy TEC-eve lundruese.

Sipas dokumenteve të publikuara, fondi limit i këtij tenderi arrin në 1.892.000.000 lekë, ose rreth 20.2 milionë euro. Objekti i kontratës lidhet me “operimin dhe mirëmbajtjen e asetit gjenerues termik në Vlorë”, ndërsa procedura është klasifikuar si e hapur mbi kufirin e lartë monetar.

Çmenduria me “Tigrat” në Vlorë – KESH hap

Faksimile: Njoftimi i tenderit që ka hapur KESH për mirëmbajtjen e TEC-it lundrues në Vlorë

Ky zhvillim ngre pikëpyetje të forta mbi eficiencën e shpenzimeve publike, duke qenë se pagesat për këto struktura vijojnë çdo muaj, ndërkohë që kontributi real në prodhimin e energjisë mbetet i kufizuar.

Nga ana tjetër, vetëm pak metra larg anijeve lundruese, ndodhet TEC-i i Vlorës në tokë, një investim që ka kushtuar rreth 130 milionë euro dhe që vazhdon të jetë jashtë funksionit, duke gjeneruar gjithashtu kosto të konsiderueshme për mirëmbajtje dhe konservim.

Në total, situata paraqet një barrë të dyfishtë për financat publike: miliona euro për një aset të pashfrytëzuar në tokë dhe dhjetëra miliona të tjera për struktura lundruese që ende nuk kanë dhënë rezultatet e pritshme.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.