Kështu do jenë kronikat për Edin tani e tutje
Udhëheqësi ynë i dashur shoku Edi Rama vizitoi sot familjet e prekura nga tërmeti. “Rrofsh sa malet, marrsh nga ditët tona”-tha një qytetare e denjë e partisë. I puthi duart dhe i preku mjekrën e thinjur nga hallet e vendit-“Të rroni ju, edhe më të forta si shkëmb graniti do i bëjë partia dhe qeveria shtëpitë tuaja, armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm na kanë halë në sy, por ne nuk na ndal askush në rrugën tonë të drejtë, ne do ta ndërtojmë vendin”-tha udhëheqësi ynë.
“Të lodhëm o biri ynë, një mal me halle të ka rënë mbi kokë, nuk të lenë të qetë në udhën tënde të ndritur as ata mediat që janë armiku i vendit”-tha një i moshuar që i dridhej zëri. “E di Xhaxha, por do ua tregojmë edhe atyre vendin, ashtu si qindra e mijëra armiqve tanë.
Spaçin do ta hap, gojën do ua mbyll. Ka njerëz të mirë në parti dhe Kuvendin Popullor në komisionin e ligjeve që po i gatisin këto punë. Nuk do i lemë më të livadhisin”-tha Shoku Edi.
Nuk ka penë ta përshkruaj atë emocion që përjetuan edhe gratë Rilindase që dëgjuan këtë dialog.
Zëvendëministret ndezën nganjë cigare, mblodhën veten, palosën me përkedhelje pelerinën e zezë të udhëheqësit tonë të madh dhe e mbajtën me zor ngashërimin që u erdhi vetishëm kur panë lodhjen e madhe të udhëheqësit, që ende gjente energji që i buronin nga shpirti për tu treguar vendin armiqve, sidomos mediave të liga, që gjoja po bërtasin për lirinë e shprehjes dhe mendimit.
“Mos ma vini re që nuk jam rruar, mjekra më është zbardhur, gjumi nuk më zë për ju. Natën shkruaj gjatë në facebook, gishtat nuk i ndjej nga lodhja duke hedhur statuse dhe çatuar me ministrat e ministret e mia, deri në të gdhirë”-ia ktheu Shoku Rama një gruaje të moshuar që shtëpinë ia rrënoi ai tërmet i tmerrshëm, por Partia e harroi atë hall kur pa udhëheqësin tonë që kishte udhëtuar që në të gdhirë me gjithë stafin e madh të propagandës. Njëra binte në sy, vajzë punëtore dhe bijë e denjë e këtij vendi.
Një përlotje e ëmbël i erdhi nga shoqja Anjezë që u përkul në gju për të shkrepur me aparat atë moment historik. Qau edhe shoku Erion, por udhëheqësi ynë vazhdoi në takime të tjera. “Mbajeni veten u tha, populli i ka sytë nga ne”.
Shoku Edi dhe punonjësit e aparatit shtetëror që e shoqëronin u largua drejt Tiranës, ktheu edhe një herë kokën pas, bëri një “selfie” për ta pasur si kujtim dhe me gishtat e shpejtë e të gjatë nisi të shkruaj në telefonin e tij kushedi çfarë gjërash të rëndësishme e të vyera. “Të shkoftë udha e mbarë dhe mos na harro, nuk duam shtëpi e katandi por ty të të shohim më shpesh”-thonin banorët. Të gjithë rendën me sytë nga televizori, shoqe anjëza, shoku Endri dhe kolegët tanë në televizione do e japin të plotë takimin e shokut Edi Rama./ Boldnews.al
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



