E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Mos pyetni si u kall spitali i Tetovës – atë e kallëm të gjithë ne!
Publik News

Mos pyetni si u kall spitali i Tetovës – atë e kallëm të gjithë ne!

Ka raste kur fjalët nuk kanë asnjë kuptim, kur dhembja shkon përtej dhembjes dhe kur duhet t’i dorëzohemi asaj e ta ndjejmë po aq sa familjarët e atyre që shkuan të mjekohen, por që askush nuk i pa si dhanë shpirt.

Dhe përderisa në heshtje do e jetojmë dhembjen e atyre që i humbën më të dashurit e vet, do vërejmë se pikëllimi i lind pyetjet që nuk ia shtrojmë vetes në kohën e duhur, si për shembull atë si u bëmë shoqëri ku thuajse për çdo ditë e djegin të sotmen tonë, ku për çdo ditë shtëpinë tonë që na e ka dhënë Zoti e mbulojnë me plehra, si u bëmë shoqëri ku askush nuk përgjigjet për asgjë, si u bëmë tokë që nuk i do fëmijët e saj, e ku disa përfitojnë edhe nga ndërtimi i spitaleve edhe nga hapja e varrezave ku na groposin!?

Po pra, tragjedia rrëqethëse që sot e jeton Tetova dhe të gjithë ne, mund edhe t’i lind përgjigjet që jemi shtirë se nuk i dimë, si për shembull atë se spitalin modular në Tetovë e kallëm të gjithë ne shqiptarët e Maqedonisë, ne të cilët me dorën tonë ndërtuam shoqëri të papërgjegjshme, ne që edhe jetën edhe vdekjen e lamë në duart e atyre që kërkojnë zbardhjen e shpejtë të kalendarit tonë tragjik, duke u bërë se nuk e shohin sa e kanë nxirë fytyrën tonë kolektive.

Sot kur Maqedonia e jeton këtë dhembje rrëqethëse, mos kërkoni përgjegjësi nga askush tjetër përpos nga vetvetja. Sepse vetëm kështu do mund të shohim se përtej dhembjes që përjetojmë sot, qëndron mëkati ynë kolektiv i dekadave të fundit, e gjatë të cilave shumëkush përfitoi edhe nga vdekja edhe nga jeta jonë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.