KLSH fundos Rexhë Byberin; shkelje masive në Bashkinë e Tropojës
Vjedhje karburanti, punësime fiktive dhe batërdi me tenderët
Bashkia e Tropojës duket se është kthyer në një institucion qokash për miqtë, njerëzit e partisë dhe të afërmit e kryetarit. Rexhë Byberi mori një tjetër mandat në krye të kësaj bashkie, por aty gëlojnë vjedhjet, abuzimet dhe shkeljet.
Kontrolli i Lartë i Shteti ka bërë një auditim në këtë bashki për zbatimin e buxhetit të vitit 2022 dhe janë gjetur një mori parregullsish. KLSH ka zbuluar se në bashki janë punësuar me kuç e me maç, ku disa marrin paga qyl.
“Nga auditimi i shpenzimeve për pagat për vitin 2022, konstatohet se: Struktura dhe organet e bashkisë Tropojë dhe njësive të vartësisë, në disa raste paraqesin fyerje (gjithsej 361 punonjës) ne raport me kryerjen e detyrave sipas pozicioneve, referuar numrit real te banoreve te kësaj bashkie dhe mundësive financiare. Gjithashtu nuk justifikohet puna e kryer, me dokumente dhe programe pune. Kjo gjendje ka sjellë rritjen e vështirësive financiare, duke ndikuar në rritjen e borxhit të kësaj bashkie”, shprehet KLSH.
Po ashtu ka vjedhje të karburantit. Bashkia ka shpenzuar 140 milionë lekë të vjetra vetëm për furnizimin e makinave të saj.
“Nga auditimi i zbatimi i buxhetit për vitin 2022, konstatohen shkelje dhe parregullsi nga Bashkia Tropojë, lidhur me shpenzimet e karburantit, ku konstatohet shpenzime në vlera të konsiderueshme prej 14,000,000 lekë, për 30 automjete te lehta dhe te renda (fadromë, makine vetëshkarkuese pastrimit, kamion etj), ku rreth 30 % e tyre janë të amortizuara, pasi janë mbi 30 vjeçare. Gjithashtu normat mujore të shpenzimit të karburantit rezultojnë te larta, për disa automjete, konkretisht: Kamion benz me targa AA 469 BB 33 litra/100, viti i prodhimit 1983, 2 Fadroma 31 dhe 32 litra/100 km, Boti i ujit 28 litra/100 km, për pastrim rruge, Makina mbeturinave 44 litra/100 km, Bore pastruesja 24 litra/100 km, Fugoni i Policisë 11 litra/100 km, Makina administratës (foristrada)16 litra/100 km”, thuhet në raport.
Por vjedhja nuk ndalet me kaq. KLSH ka zbuluar shumë shkelje me tenderët. KLSH ka zbuluar në 4 raste dhe konkretisht në procedurat e prokurimit për objektet “Blerje kamioni, Bashkia Tropojë”, “Rikualifikimi urban Lagja “Partizani”, Blloku 1&2, Qyteti Bajram Curri”, “Rikonstruksion i Shkollës “Oso Dauti”, Njësia Administrative Llugaj”, “Rikonstruksion Rruga Blini i Grisë-Lekurtaj”, zhvilluar në periudhën 2021 – 2022, se janë vendosur kritere të cilët nuk janë në përpjesëtim dhe të lidhura ngushtë me aftësinë zbatuese, natyrën dhe vlerën e kontratës, elementë të cilët kanë efekt në kufizimin e pjesëmarrjes së operatorëve ekonomikë.
Po ashtu, nga auditimi rezultoi se në 5 raste në procedurat e prokurimit publik janë kualifikuar dhe shpallur fitues operatorë ekonomikë, të cilët nuk plotësojë kriteret e vendosura në dokumentet e tenderit, në papajtueshmëri me legjislacionin e prokurimit publik.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



