KLSH kërkon shkarkimin e Mimoza Dhëmbit
Të implikuar edhe Delina Ibrahimaj dhe Dritan Agolli i FSHZH-së
Aferat në Ministrinë e Financave, KLSH kërkon shkarkimin e Mimoza Dhëmbit, dora e Ridvan Bodes dhe Arben Ahmatajt. Të implikuar edhe Delina Ibrahimaj dhe Dritan Agolli i FSHZH-së
Një raport 400 faqe i Kontrollit të Lartë të Shtetit, për adutimin e Ministrisë së Financave për vitin 2022, është një dosje e gatshme penale për SPAK-un.

Krahas masave të tjera, KLSH ka kërkuar shkarkimin nga detyra të Mimoza Dhëmbit, drejtoreshë e Buxhetit në Ministrinë e Financave.
Mimoza Dhëmbi është drejtoresha më jetëgjatë në Ministrinë e Financave, duke u rezistuar ndryshimeve të pushtetit dhe të paktën 7 ministrave të Financave.


Sipas raportit të KLSH, Mimoza Dhëmbi është përgjegjëse për keqklasifikim të investimeve, krijimin e kushteve për marrjen e angazhimeve pa fonde buxhetore, shkurtimin e fondeve për investime në momentin e lidhjes së kontratave, përdorimin e fondit rezervë në kundërshtim me ligjin, krijimin e penaliteteve për shkak të mosekzekutimit të vendimve të Gjykatës së Strasburgut, mos respektim të disiplinës financiare etj.
KLSH ka konstatuar se Ministria e Financave ka rikonstruktuar një objek, i dëmtuar nga tërmeti i vitit 2019, i cili nuk është në pronësi të shtetit.

Bëhet fjalë për rikonstruksionin e shkollës profesionale “Herman Gmeiner”, në pronësi të Shoqatës “SOS Fshatrat e Fëmijëve Shqiptarë”, me kosto rreth 300 mijë euro. Shpenzimi i parave publike për një objekt që nuk është i shtetit është në kundërshtim me ligjet për prokurimin publik dhe menaxhimin finaciar.
Gjatë vitit 2022, kur ministria drejtohej nga Delina Ibrahimaj, grupi i auditimit të KLSH ka konstatuar se Fondi Shqiptar i Zhvillimit me në krye Dritan Agollin, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, ka bërë parapagimin e kontratave për 9 projekte investimi me vlerë rreth 4 milionë euro, në kundërshtim me udhëzimin nr. 9 të vitit 2018 për procedurat standarde të zbatimit të buxhetit.

KLSH ka konstatuar gjithashu se nuk është publikuar raporti i performancës së kontratave të koncensioneve për vitin 2022, si dhe deformime dhe kaos me kontratat PPP.
Gjithashtu Ministria e Financave nuk ka zbatuar 29 masa organizative të rekomanduara në KLSH pas auditimeve të mëparshme. Ministria ka njoftuar dhe lejuar rishikimin e prioriteteve buxhetore për periudhën 2022-2024 për disa ministri të linjës jashtë afateve dhe në disa raste për projekte që nuk kanë lidhje me qëllimin e politikës dhe prioritete të shpallura.
Tetë projekte investimi me kredi, 18 projekte investimi me grant dhe shumë projekte me investim të brendshëm janë realizuar pa pasur plan buxhetor të miratuar me ligjin e buxhetit,akte normative apo parashikime buxhetore.
Gjithashtu për 67 projekte në vazhdim në vitet e mëparshme, fondet nuk janë çelur në fillim të vitit, por janë çelur në muajt mars dhe korrik, në kundërshtim me udhëzimin për procedurat standarde të zhvillimit të buxhetit.
Fondi rezervë është përdorur në kundërshtim me nenin 5 të ligjit 9936, të 2008, për miratimin e sistemit buxhetor për projekte për fëmijë, për startup-et dhe projekte të tjera.
Gjatë vitit 2022 janë konstatuar rreth 3 mijë rishikime buxhetore duke sjellë ndryshime për 25 mijë transaksione, që tregon planifikim të dobët të shpenzimeve, mungesë analize para planifikimit nga ana e Drejtorisë së Buxhetit, mungesë monitorimi i zbatimit të buxhetit.
Një pjesë e rishikimeve janë kryer jashtë afatit deri më 13 mars 2023. KLSH ka audituar 3 procedura prokurimi të Ministrisë së Financave, ku në të tre rastet ka konstatuar kritere arbitrare dhe shpërdorim të fondeve publike. Shkelje të rënda janë konstatuar dhe sa i takon Drejtorisë së Administrimit të Pronës , Drejtorisë së Harmonizimit të Menaxhimit Financiar, Komiteti i Auditimit të Brendshëm etj./nami.al
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



