Kolegët e SPAK-ut hetim pasuror për Veliajn dhe familjarët e tij
Oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit prej disa ditësh janë duke kryer kontrolle në institucione, biznese private dhe banka për të marrë dokumentacione të nevojshme për hetimet që vijojnë për dosjen “5D” dhe aferën e shekullit, atë të inceneratorëve.
Në fokus të këtyre kontrolleve janë edhe kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa dhe vëllai i tij, Arbër Veliaj.
SPAK-u po mbledh dokumentacionet zyrtare nëpër kompani private dhe individë, të cilët kanë pasur lidhje me drejtorët e dosjes “5D”.
Ndërkohë, mëngjesin e së martës, oficerët e BKH-së kanë shkuar në disa banka të nivelit të dytë për të mbledhur dhe për të tërhequr të gjitha të dhënat nga llogaritë bankare për transaksionet që ka kryer Erion Veliaj, për transaksionet e bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa, si dhe të vëllait të tij, Arbër Veliaj.
Pas veprimeve të BKH-së dhe mbledhjes së materialeve, qartësisht duket që SPAK-u ka filluar të verifikojë lidhjet e forta të Erion Veliajt me drejtorët dhe jo vetëm për dosjen “5D”, por edhe për aferën e inceneratorëve.
Gjithashtu kanë filluar që të hetojnë pasurinë e Erion Veliajt, Ajola Xoxës dhe të vëllait të tij Arbër Veliaj në lidhje me transaksione të shumta, të dyshimta, pasurie e të tjerë.
Një ditë më parë, oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, me urdhër të SPAK-ut, shkuan në disa institucione dhe biznese private për të marrë dokumentacione të nevojshme për hetimet që vijojnë për dosjen “5D”.
Oficerët e BKH-së mundën të mblidhnin dokumente, ku tregohet bashkëpunimi i drejtorëve të Erion Veliajt me disa subjekte private, apo edhe institucione.
Pra, u kryen veprime në institucione e biznese duke verifikuar dokumente në lidhje me dosjen “5D”, pra duke mbledhur materiale për hetimin pasuror të drejtorëve./cna
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



