E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Kompania e ‘Maznikut’ankohet:Tirana DC s’na jep lekët
Lajme

Kompania e ‘Maznikut’ankohet:Tirana DC s’na jep lekët

Zbulimi i skemës korruptive “5D” dhe arrestimi i kryebashkiakut Erion Veliaj, u shoqëruan me lëvizje tektonike në Bashkinë e Tiranës, duke ndryshuar thuajse i gjithë niveli i lartë menaxherial i institucionit kryesor vendor në vend.

Këto “lëvizje” duket se kanë prishur raportet financiare mes ish-drejtuesve të rëndësishëm lokalë dhe disa kompanive të konsideruara si “satelitë” të tyre.

Në mars të vitit 2021, një kompani e tregut të teknologjisë, “3i Solution”, u shpall fituese në një tender me vlerë rreth 750 mijë euro, të zhvilluar nga “Tirana DC”, një shoqëri publike në pronësi të Bashkisë së kryeqytetit.

Në foto: Tenderi i “Tirana DC”, fituar nga “3i-Solution” shpk

Objekti i tenderit ishte “informatizimi i proceseve të punës për 48 muaj”. Raportime të mëhershme mediatike kanë ngritur dyshime se ky tender kishte elementë të mjaftueshëm të konfliktit të interesave.

Një nga pronarët e shoqërisë private, Ervis Smakaj, u konsiderua si një lidhje e ngushtë e nënkryetarit të bashkisë së asaj kohe, Arbjan Mazniku, i cili mbante edhe postin e Kryetarit të Këshillit Administrativ të “Tirana DC”.

Megjithatë, si biznesmeni Smakaj, ashtu edhe Mazniku, i cili sot është deputet në Parlament nga radhët e Partisë Socialiste, kanë mohuar publikisht që të kenë lidhje me njëri-tjetrin dhe që të kenë “rakorduar” për tenderin 750 mijë euro të “Tirana DC”.

Në foto: Arbjan Mazniku, deputeti dhe ish-zv.kryetari i Bashkisë Tiranë, duke dalë nga godina e SPAK

Dyshimet, për momentin, kanë mbetur vetëm në nivelin mediatik, ndërkohë që raportet financiare mes “3i Solution” shpk dhe “Tirana DC” kanë shkuar në pikën më të ulët, në një kohë që stafi drejtues i Bashkisë është ndryshuar thuajse tërësisht.

Ankesa: “Tirana DC nuk na jep lekët”

Në mars të vitit 2026, kompania “3i Solution” i drejtohet Gjykatës së Tiranës me një kërkesë për lëshimin e urdhër-ekzekutimit për disa fatura të papaguara. Në kërkesë, Ervis Smakaj pretendon se shoqëria pubike “Tirana DC” nuk i ka paguar tre fatura, për një vlerë totale prej rreh 160 mijë euro.

Në dokumentat gjyqësore  thuhet se “Tirana DC duhet të paguajë “1.Fatura tatimore nr. 31, datë 13.12.2022, në shumën 2.858.562 lekë; 2. Fatura tatimore nr. 60, datë 29.12.2023, në shumën 5.277.345 lekë; dhe 3. Fatura tatimore nr. 114, datë 02.10.2025, në shumën 7.696.129 lekë”.

Sipas pretendimeve të kompanisë private, “këto fatura tatimore nuk janë likuiduar nga pala debitorë (Tirana DC), pavarësisht përmbushjes së detyrimeve nga ana e tij dhe pavarësisht kërkesave të përsëritura për pagesën e detyrimit”.

Në foto: Vendimi i gjykatës për kërkesën e “3i-Solution” shpk

Gjykata e Tiranës e mori në shqyrtim këtë kërkesë në 5 gusht 2026 dhe vendosi të shpallë mos-kompetencën, pasi kërkesën për lëshimin e urdhërit të ekzekutimit, pra urdhërit që detyron debitorin “Tirana DC” që të shlyejë faturat e papaguara, i duhet drejtuar Gjykatës Administrative.

Gjyqtarja e çështjes argumentoi se rasti hyn në sferën administrative, pasi mos-marrëveshja e pretenduar financiare është ndërmjet një kompanie private dhe një shoqërie me kapital publik.

Megjithatë, ndërkohë që çështja pritet të shqyrtohet në vijim në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë, rasti është një dëshmi konkrete se valët sizmike të “lëvizjeve tektonike” në lidershpin-in e Bashkisë së Tiranës prekin edhe palë të treta, të cilat dikur kanë pasur akses të rëndësishëm në institucionin vendor./ Boldnews

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.