KOMSHINJTË, UNË DHE KRYEMINISTRI
Leko, Latifi dhe Gjergji janë komshinjtë e mi. Edhe pse jemi prej mëse 15 vitesh në një pallat, shihemi e përshëndetemi rrallë. Thuajse vetëm në ashensor. Madje, më parë se emrat i mësuam njëri tjetrit markën e celularit. Edhe këtë në ashensor. Ngaqë nuk dinim ç’të thoshim rrotullonim celularët nga njëra dorë në tjetrën. Sot, nëse do që komshijtë të njihen me njëri-tjetrin hiqu dritat e pallatit ose prishu ashensorin. Po në rastin tonë as kjo nuk është se funksionoi. Ca nga që nuk shohim mirë e ca nga rëndimi i frymëmarrjes nëpër shkallë – jemi të katërt afërsish në një moshë – shpesh shkëmbeheshim si hije, pa folur. Madje, nëse Covid -19-ta do qe shpikur para facebook-ut, ne akoma do e merrnim njëri-tjetrin për alienë.
Dhe ç’është e vërteta, statuset e mia në facebook, për një kohë të shkurtër, bën që të fitoja një status të privilegjuar në sytë e komshinjve. “Hë, presor, ç’kemi?” më tha një ditë Lekoja për të hapur bisedën. Afërmendsh, edhe pse nuk kam qenë kurrë “profesor”, do t’ia lejoja vetes të miklohesha nga kjo fjalë nëse nuk do kujtoja se shefi im i dikurshëm, njeriu me shumë humor, Niko Nikolla, kështu u thoshte edhe kamerierëve për t’u bërë qejfin kur donte të pinte edhe një teke më shumë, pasi kishte kaluar orari i mbylljes së lokalit.
Nejse, le të kthehemi tek komshinjtë e mi. Për ca muaj me ta gjithçka shkoi si në vaj, Mos më pyesni për llojin e vajit. Ulliri, do t’j’u thosha. Madje edhe bio, edhe i virgjër. Edhe pse brenda vetes e di që nuk është tamam kështu. Janë ca arsye banale numrash që më bëjnë të dyshoj për këtë, siç edhe më ndalojnë qoftë edhe ta shkoj nëpër mend se komshinjtë e mi janë njerëz banalë. Ajo që desha të theksoj është se, jo rrallë, logjika e numrave të çon në përfundime të gabuara, pse jo edhe banale. Pra, së pari, kisha vënë re se asnjëherë nuk u bëmë të katërt në ashensor. Të qe rastësi? Dhe, e dyta, ishte një statistikë edhe më e çuditshme që kishte të bënte më gjendjen e humorit të tyre. Gjatë muajit të fundit në 13 raste që isha ndeshur me Lekon, më kishte parë 7 herë me adhurim dhe 6 herë vëngër. Ndryshe qe puna me Gjergjin. Bilanci me të ishte negativ: 6 herë i vërrejtur dhe 4 herë i qeshur. Sa për Latifin nuk jap dot përcaktim. Ai gjithmonë ka një buzëqeshje të stampuar në fytyrë, të cilën nuk arrita t’ia lexoja në asnjë nga të 25 herët që u përballëm.
Është e vërtetë se hulumtiumi i gjatë rreth arsyeve të paqëndrueshmërisë së humorit të tyre ndaj meje, jo vetëm që po më hante shumë kohë, por edhe po më bezdiste.
Ndaj një ditë, vura një maskë serioziteti në fytyrë dhe vendosa të mos u flas. I pari që ra në grackë ishte Lekoja. Qëlluam vetëm në ashensor. E kuptova se mezi priste të më thoshte diçka. Unë gjoja merresha me facebook-un, por vërreja me bisht të syrit shprehjen e fytyrës së tij. Nuk dinte nga t’ia fillonte. Kur e kuptoi se po humbte sekonda dhe po vinte çasti të ndaheshim, e zbrazi me breshëri karikatorin e fjalëve:
– Po pse, bre presor? Kam respekt për ju, po pse bre, na bini neve më qafë. Neve, opozitë jemi. Bjeruri, bre pushtetarëve. Ja, sot e kishit djallosur me Lu…lin…
Ashensori u mbyll dhe sikur ia preu fjalët në mes. Por edhe kaq më mjaftuan të kuptoja se ishte fjala për statusin tim të asaj dite në facebook ku shkruaja: “Të thuash që Lul Basha bën opozitarizëm është njëlloj sikur të besosh se gicat lindin nga sallami.”
Kaq më mjaftoi të merrja vesh se Lekoja ishte më PD. Por më e rëndësishmja ishte se kuptova që shkaku i luhatjeve të humorit të komshijve të mi ishin statuset e mia në facebook. Po të huazoj atë që më tha, teksa prisja semaforin në kryqëzim, një tjetër mik i imi virtual, një polic: “Ore harram, si shumë po kruhesh me politikën dhe politikanët. Bëj kujdes!”Ndërsa në fillim shkruaja i nxitur nga një mishelë e pasionit të gazetarit me indinjatën ndaj padrejtësive, tani po ndieja se edhe po argëtohesha. Fillova t’i ndaja statuset, duke ruajtur një farë ekuilibri, dhe prisja reagimet e komshinjve. Ditën që shkrova “Krishti qe i pari që u ringjall. Pas tij Rama shpiku rilindjen… Njerëz, zgjidhni dhe besoni!”, Gjergji jo vetëm që më bëri like, por edhe në ashensor ishte shend e verë. Ndërsa kur Ilir Meta u zgjodh president dhe unë pata shkruar “Jemi vërtet popull i mençur.
Në mes dramës së jetës dhe komedisë së politikës zgjedhim të dytën.” e prisja reagimin e Lekos në ashensor sipas mënyrës së tij ‘je i madh, bre, me ato që shkruan’. Gabova. Fjalia e Lekos ishte tjetër: “Gjigand fare je, bre! Mirë ja bëre hajdutit!” Fillova t’i rralloj ca statuset për Doktorin apo edhe për Lulzim Bashën, mbase për hatër të Lekos, po mbase edhe pse Latifi po bëhej përherë e më i bezdisshëm. Sa herë shkruja ndonjë gjë kundër PD-së, ai që ma dinte mirë orarin kur kthehesha për në shtëpi, më priste tek hyrja e pallatit. Bënte sikur kontrollonte faturat e ujit dhe të dritave.
Ndonjëherë kjo punë mund t’i hante edhe një orë. Shkrova një ditë se “PD nuk është një parti e plakur, por impotente. Fakti që ka nevojë për Saliun tregon se Berisha është VIAGRA politike e saj” dhe veç ta shihje Latifin. Gati sa nuk më puthi në ashensor. Edhe pse ishim vetem ne të dy, më afroi gojën te veshi im, më pëshpëriti: “Po pate ndonjë nevojë, kupton ti se njerëz të gjallë jemi, mos më kurse! Kot e kemi pushtetin ne.”
Nuk mund ta pohoj se do të isha i zoti ta hiqja damkën e profesorllëkut nga balli (fatmirësisht atë e shihnin vetëm sytë e komshinjve të mi) nëse nuk do të më jepte një dorë edhe fati. Një ditë u gjendëm të katërt në pritje të ashensorit. I përshëndeta. Hiç zë, ata. Vuv të tre. Vështronin celularët. Nuk bëri efekt as buzëqeshja ime gjithëpërfshirëse. Kishte kohë që dyshoja se ata të tre nuk i flisnin njeri-tjetrit. U ndjeva disi në faj. Ndoshta kisha ndikuar edhe unë në ftohjen mes tyre. E kisha futur hundën time virtuale në jetët e tyre reale. Kërkoja brenda vetes diçka për ta shkrirë masën transparente të akullit qe kishte rënë mbi fytyrat e tyre. Mbase diçka serioze si “këta komshinjtë e rinj që na kanë ardhur na e kthyen pallatin në kazan plehrash. Pale na janë shtuar edhe minjtë. Nuk na mbetet tjetër vetëm të fjalosemi me ta në ashensor” Ah, jo! Kjo puna e minjve mund ta përkeqësonte edhe më situatën. Madje edhe mund të merrej për cinizëm.
Nuk di pse desha të dalë sa më shpejt nga kjo situatë aspak e këndshme, por e dija se vetëm shpikja e një gënjeshtre mund të më ndihmonte. Po edhe gënjeshtra nuk është punë e lehtë, është zanat. Isha gati të dorëzohesha, kur fati më buzëqeshi. Më dha një zgjidhje jo më pak cinike. Ra zilja e celularit tim. Ishte Landi. Ai nuk vë kurrë lekë në telefon. Bën vetëm zile kur do të pijë ndonjë kafe. Unë e kapa rastin dhe e shpika gënjeshtrën. Bëra sikur iu përgjigja atij që më telefonoi:
-Oo, mirëdita zoti kryeministër.
…
– A, qënkeni kthyer. Mirë pra, po kaloj menjëherë…
– …
– Jo nuk është nevoja për makinën. Erdha. Erdha.
Ula telefonin nga veshi. U dhashë edhe një buzëqeshje gjithëpërfshirëse të treve dhe fola shkurt:
-Ika!
Vështrimet e tyre të ngrira u transferuan në çast nga celularët drejt meje. Ktheva shpejt kurrizin, mbase për të mos më tradhëtuar e qeshura, apo edhe mbase për të mos e mësuar kurrë se kush nga ne e fitoi dhe kush e humbi lojën.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



