Koncesionari i Sharrës ndryshon vulën: Dyshime se mund të jetë keqpërdorur

Administratori shtetëror i koncesionarit të landfillit të Sharrës ka vendosur të ndryshojë vulën e kompanisë “Integrated Energy BV” për arsye sigurie.

Me një vendim të miratuar fundjavën e kaluar, administratori Arjan Baçi ka vendosur që vula, e cila deri tani kishte formë rrethore, në vijim do të jetë në formë katrore.

Ky vendim, në dukje rutinor dhe formal, merr një peshë tjetër kur jepen shpjegimet për këtë ndryshim.

“Ky ndryshim është bërë për të pasur një siguri më të lartë në veprimtarinë e shoqërisë”, thuhet në vendimin e nënshkruar nga Baçi në 9 prill të këtij viti.

Pikërisht ky shpjegim, megjithëse i pjesshëm, ngre dyshimet se vula aktuale mund të jetë përdorur ose edhe keqpërdorur nga persona të tjerë, të cilët nuk kanë lidhje me menaxhimin aktual të kompanisë koncesionare të landfillit të Sharrës.

Shoqëria “Integrated Energy bv” është nën administrim shtetëror prej gushtit të vitit 2023, kur Gjykata e Posaçme vendosi masën e sekuestros preventive, në kuadër të hetimeve për aferën e inceneratorëve.

Që prej asaj kohe, shoqëria është drejtuar nga një zyrtar i Agjencisë së Pronave të Sekuestruara dhe Konfiskuara.

Mesa duket, vula e kompanisë duhet të jetë përdorur edhe nga persona të tjerë, përsa kohë u konsiderua e nevojshme ndryshimi i saj për arsye sigurie. Megjithatë, për momentin, është e paqartë se çfarë mund të ketë ndodhur realisht.

Afera e inceneratorit të Sharrës është prej gati 4 vjetësh nën hetim nga Prokuroria e Posaçme, SPAK. Deri më tani janë arrestuar disa zyrtarë të nivelit të mes, kryesisht anëtarë të komisionit të koncesionit dhe janë shpallur për të disatën herë në kërkim pronarët në letra të shoqërisë, Klodian Zoto e Mirel Mërtiri.

SPAK nuk ka arritur të vendosë nën akuzë zyrtarë të lartë, përfshirë edhe kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, megjithëse për të dhe të tjerë persona me pushtet të rëndësishëm ka pasur denoncime e dokumente të shumtë për përfshirjen e tyre në aferën qindra milionë euro.

Image

Publikuar nga Publik Media