Krasta iu përgjigjet kritikëve: Nuk kam asnjë përgjegjësi për skandalin e RTK, unë s’jam polic
Adi Krasta, zv.drejtor i Përgjithshëm i RTK-së ka reaguar duke iu përgjigjur kësisoj kritikave për mosveprim pas reagimeve që nxiti një shkrim i publikuar në fund të muajit të kaluar nga RTK-ja, që pretendonte se dy gazeta në internet me seli në Prishtinë, janë financuar nga Serbia.
“Servil, i pështirë, kloun”: Reagime të ashpra për intervistën ‘ekskluzive’ të Adi Krastës në RTK
Gjatë një interviste në emisionin “RTK Prime”, duke folur mbi zhvillimet e fundit ka thënë se transmetuesi publik nuk duhet të ndërmarrë hapa të ngutshëm dhe nën presionin e askujt dhe se nuk është një institucion policesk .
“Nuk është primare historia e ndëshkimit. Ne nuk jemi institucion policesk, nuk është primare për ne heqja e kokave. Kjo historia e shkarkimit është kulturë e vjetër në RTK dhe në institucione të tjera ku ka shqiptarë, që kërkojnë zgjidhjen duke e hequr dikë nga pozicioni. Nuk zgjidhet problemi por merret vendim për të destabilizuar njerëz dhe ndërkohë problemi është po i njëjti. Mua më intereson zgjedhja e problemit”, tha Krasta.
Ai ka thënë se pas rastit të publikimit të një artikulli të cituar nga mediumi nga Bosnja e Hercegovina, kanë krijuar një kolegjium profesionistësh.
“Ne kemi krijuar një kolegjium njerëzish të rëndësishëm që marrin vesh nga profesioni. E kemi vendosur një filtër të mënjëhershëm dhe thamë kurrë më në të ardhmen RTK nuk mund të trajtojë një lajm të cilin e krijon vetë ose e merr nga burime të tjera kur ka ndjeshmëri të mëdha pa patur një dakordim të këtij kolegjiumi, pra nuk do të ndodh më”, tha Krasta, duke shtuar se një trajtim me emocion për, siç tha ai, heqje kokash për ndëshkime është i pavend dhe i padrejtë.
Sa i përket deklaratës së ish-kryetarit të Bordit të RTK-së, Besnik Boletini se Adi Krasta si zv.drejtor i Përgjithshëm iu ka shmangur përgjegjësisë për të vepruar konform raportit të Komisionit Ad-Hoc lidhur me këtë rast, ai tha se ‘kryetari i Bordit nuk duhet t’ia lejojë vetes përcaktimin e një karakteri kaq dramatik, sepse ka sisteme të caktuara brenda institucionit”.
Krasta sqaroi se zv.drejtori i Përgjithshëm në raste të ngjashme merr masa korrigjuese, e që sipas tij tani më ato janë marrë.
Më tej ai tha se asnjëherë nuk duhet nxituar në marrjen e vendimeve, sepse, sipas tij më e rëndësishme është të jesh i ndërgjegjshëm sesa të jesh vrapues dhe të japësh zgjidhje të karakterit sensacional.
“RTK duhet të dalë me një qëndrim me shkrim, e kjo mund të bëhet nga unë, nga kolegët, nga u.d. i drejtorit të Përgjithshëm apo të drejtorit të Përgjithshëm kur të zgjidhet. Këto janë problematika që RTK i zgjidh vet dhe nuk duhet të zgjidhen për shkak të presionit të jashtëm”, nënvizoi Krasta.
Ai tha se RTK do ta bëjë analizën e vërtetë me qëllimin që të mësojë nga të gjitha ato që i ndodhin, gjëra të mëdha e të vogla, sipas tij shpesh herë të vendshme e shpesh herë të pavëndshme, me qëllim që të rriten.
Zëvendësdrejtori i përgjithshëm i RTK-së, Adi Krasta, tha se televizioni publik nuk mund të bëhet shënjestër për të zgjidhur beteja të tjerëve.
“Ne do të dimë që këto procese t’i bëjmë të thella, të vërteta, të ndershme dhe në kohën e duhur”, deklaroi Krasta.
Ai më tej shprehu një lloj shqetësimi që ai ndjen për RTK-në për, qëndrueshmërinë, tërësinë ekzistencialitetin e këtij transmetuesi publik.
Krasta mes tjerash shpalosi mendimin e tij privat duke thënë se “as më shkon në mend ta besoj se në Kosovë ka njerëz që paguhen nga Serbia, sepse patriotizmi brirë nuk ka. Ne e duam këtë vend dhe në këtë vend kanë vdekur njerëz.”
“Nuk mund të bëhet RTK target për të zgjidhur beteja të tjerëve”, tha Krasta, teksa pyeti se interesi i kujt do të ishte që të destabilizohej RTK-ja, siç po destabilizohet aktualisht”, tha Krasta.
Adi Krasta tha se RTK është tipikisht transmetues publik, i cili ballafaqohet herë pas here më ngjarje të natyrave të ndryshme, sepse në strukturën e ndërtuar të institucionit ka një lloj lirie relative komunikimi, ka independencë në marrjen e vendimeve dhe është pothuajse e pamundur për t’u kthyer në koncepte diktatoriale ku kontrollohet një lajm apo një mënyrë e të menduari apo të një mënyre e të shprehuri për t’ju shmangur debateve që mund të bëhen më vonë.
Ai tha se ndjehet i kënaqur që në Kosovë po bëhet një debat kaq pasionant për standardet gazetareske.
Më tej, Krasta qartësoi pozicionin e tij në RTK, duke bërë të ditur ushtron funksionin si zëvendësdrejtor i përgjithshëm dhe që mohoi se dëshiron të ushtrojë një funksion çfarë është ai drejtorit të përgjithshëm i transmetuesit publik, teksa shtoi se u.d. i drejtorit të përgjithshëm merret me një autorizim të nënshkruar nga Bordi.
“Që unë të bëhem u.d. drejtor i përgjithshëm do të duhej që Bordi të marrë një vendim që të kalojë kuorumin e përshtatshëm, sepse zëvendësdrejtori i përgjithshëm është në detyrë dhe do të drejtojmë derisa Bordi dhe këtu mbështesë jashtëzakonisht shumë ndjeshmërinë e OSBE-së, institucion që ka ndihmuar RTK-në dhe në përgjithësi transmetuesit publikë, që Parlamenti, Komisioni i Medias me shpejtësi shumë të madhe duhet plotësojë Bordin që ky organ të zgjedhë drejtorin e Përgjithshëm të RTK-së”, tha Krasta, derisa sqaroi se ka kompetenca të Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së.
Lidhur me deklaratën e ish-kryetarit të Bordit të RTK-së kundrejt Krastës, për ç’arsye erdhi deri te dorëheqja e kryetarit të Bordit, Krasta tha se zakonisht bëhen gabime edhe nga kolegët, të cilët, hedhin emra, tregojnë ngjarje gjysmake me qëllim që të jenë bindës në narrativat e tyre në pjesë të caktuara të publikut, bile jo të publikut të gjerë, por për grupe interesi.”
“Në rastin konkret, zonja Spahiu, drejtoreshë e përgjithshme, ka çuar në Bordin e RTK-së një sugjerim për një pezullim të zinxhirit editorial të RTK-së për sa kohë një komision i ngritur po nga ajo me kërkesë të Bordit, një komision vlerësimi me tre veta që kanë firma dhje janë njerëz që i takojnë RTK-së të përpilojnë një raport për një nga ngjarjet e caktuara që ka ndodhur në RTK. Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm në rastin konkret ka një drejtor të përgjithshëm që bën këtë veprim dhe ngjarjet kanë vijimësi…Në momentin që zonja Spahiu dha dorëheqje Bordi duhet të zgjedh drejtorin e përgjithshëm, kështu e thotë rregullorja që nuk mund të vonohej, sepse është person i rëndësishëm, sepse bën politikat e institucionit”, tha Krasta.
Por reagimet pas intervistët së Adi Krastës kanë qenë të shumta

Drejtori në detyrë i RTK-së, Adi Krasta, zgjodhi që pas një muaji diskutimesh rreth skandalit me lajmin e Slobodna Bosnës në RTK, të japë një “intervistë ekskluzive” në RTK.
Nuk dihet se cili ka qenë ekskluziviteti bazuar në fjalët e RTK-së, megjithatë, në intervistë nuk pati asgjë ekskluzive. Madje, nuk pati as lajm. Adi Krasta foli shumë, por nuk tha asgjë.
Temën e Dejona Mihalit e mbylli shpejt, pasi tregoi se pompa ku u takuan shërben për urinim. Nuk sqaroi në asnjë detaj raportin me Mihalin. Tha se nuk do të ngutet për marrjen e masave lidhur me lajmin e rrejshëm, pavarësisht se kanë kaluar 1 muaj.
E këto deklarata, shkaktuan reagime të ashpra në opinionin publik.
Gaztari Imer Mushkolaj ka reaguar ndaj intervistës boshe të Adi Krastës si zëvendësdrejtor në RTK.
Muskolaj ka thënë se aj çfarë tha “profesori i gazetarisë” Adi Krasta, është joprofesionalizëm i pashoq, çfarë nuk mësohet në asnjë shkollë gazetarie. Servilizëm i pështirë.
“Duhet të jesh naiv të besosh se Krasta do të marrë masa ndaj përgjegjësve për shpërndarjen e lajmit të rrezikshëm në RTK. Ai nuk është aty ku është për ta bërë një gjë të tillë.
Në fakt, duhet të jesh naiv ta besosh Krastën në përgjithësi për “shembull të të bërit gazetari”. Duke mos marrë vendim për skandalin në RTK ai, i cili paguhet nga paratë e qytetarëve, i fyen ata.
Joprofesionalizëm i pashoq, çfarë nuk mësohet në asnjë shkollë gazetarie. Servilizëm i pështirë. Gërdi”, ka shkruar Mushkolaj.
Juristja e mediave Flutura Kusari e ka quajtur intervistë të pasinqertë, dashakeqëse dhe fyerse për publikun, intervistën e zëvendësdrejtorit të RTK-së Adi Krasta, transmetuar në RTK.
“Intervista e Adi Krastes konfirmoi që Lëvizja Vetëvendosje do të qeverisë shlirë në RTK përmes Adit dhe anëtarëve të mbetur të bordit. Mirë qe u konfirmua zyrtarisht.
Megjithatë, ai dhe bordi nuk do ta kenë të lehtë sepse ka shumë në RTK që nuk i nënshtrohen as atij e as VV-së. RTK-duhet duhet të vazhdojmë ta monitorojmë, ta diskutojmë dhe ta mbajmë përgjegjës partinë në pushtet për vazhdimin e shkatërrimit të transmetuesit.
Për këtë të gjithë ne që kërkojmë llogari do të paguajmë çmim, sepse do t’i vazhdojmë t’i nënshtrohemi lincimeve, fyerjeve, propagandës dhe rrenave të orkestruara nga partia për të na frikësuar dhe për të na dehumanizuar”, tha Kusari.
Ehat Mifaraj, drejtor i Institutit Kosovar për Drejtësi, ka thënë se intervista e Adi Krastës, që aktualisht e ushtron edhe detyrën e drejtorit të RTK-së, dëshmon se “ka mungesë të theksuar të integritetit moral dhe personal në raport me pozitën që mban.”
“Adi Krasta na dëshmoj sonte se poziten e zv. Drejtorit Gjeneral të RTK e sheh si privilegj dhe asesi si përgjegjësi, përgjegjshmëri, llogaridhënie dhe integritet në raport me interesin e publikut. Adi Krasta sonte nuk foli si Adi Krasta por si një shërbyes i devotshëm i partisë në pushtet. Zhgënjyese, e dhimbshme dhe e pabesueshme. Dorëheqje, dorëheqje, dorëheqje!”, ka shkruar Miftaraj.
Analisti politik Fitim Salihu, ka ironizuar me intervistën skandaloze të zëvendësdrejtorit të RTK-së Adi Krasta, i cili foli shumë e s’tha asgjë për lajmin e rremë që u transmetua në RTK.
“Falenderimi i takon Dejona Mihalit qe e ka lejuar Adi spikericen te dale sonte ne nje interviste. Ajo, me shume dashuri, i kishte thene, “good boy, e meriton sonte edhe nje lepiske sepse je sjelle mire keto dite” dhe ia kish kapur faqkat dhe ledhatuar floçkat.
Adi spikerica, si çun i mbare, ne shenje falenderimi dhe me shume adhurim, tekqe perdridhej e kercente hareshem, e kishte mbajtur nje monolog tipik tijin per xhaxhi Albinin”, tha Salihu.
Gazetari Ilir Mirena, ka reaguar pas intervistës boshe të Adi Krastës, i cili nuk tha asgjë edhe pse foli shumë në RTK.
Mirena e ka quajtur “kloun” Krastën, duke thënë se nuk shpresonte në parimësinë dhe etiken profesionale të tij.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



