“Kreshniku” i kohëve moderne!
“Preferencat” e shqiptarëve u identifikuan, u klasifikuan dhe u vendosën në një tabelë … që duam apo s’duam, është edhe pasqyra e shoqërisë sonë.
Në krye shkëlqen ai që paskemi zgjedhur si “më t’mirin ndër shokë” dhe preferencave tona qofshin të blera, të manipuluara apo reale, nuk u shpëtojme dot:
“Më i miri ndër shokë” na ngërdheshet nga tabela.
Nuk di çfarë më trishton më shumë: skenari se preferencat e popullit tim janë “të blera” apo skenari tjetër, që keto mund të jenë vërtetë shijet e popullit tim…
“Më i miri ndër shokë” apo “kreshniku” i kohëve moderne është shumë ndryshe nga ata të vjetrit për të cilet kemi lexuar kur ishim kërthinj dhe mirë është të kthehemi më këmbë në tokë, para se të na ikë mendja e kokës nga tabela të tilla …
Në fund të fundit jemi në 2021 dhe na duhet të bëjmë paqe me vehten se modeli i kreshnikëve si Gjeto Basho Muji apo te tjerë të kujtesës sonë kolektive mund të jenë shndërruar në dicka tjetër… ose ndoshta figura te tilla nuk kanë ekzistuar kurrë, përvecse në deshirën a ëndrrën e një populli për të pasur trima që i dalin për zot fateve të tij.
Gjithsesi, është e qartë se kreshnikët shtatlartë që luftonin ballazi ditën per diell, mbanin fjalën e dhënë, derdhnin lot e madje kërkonin edhe falje ndonjëherë… kur u shkrepej… kanë dalë nga moda.
Tani qenka koha e “kreshnikëve” që blejnë mbështetjen, dalin vjedhurazi netëve pa hënë, e “kreshnikëve” të makinave me xhama te errëta që shperndajnë “plackë e gjë” tek njerezia por u vjedhin dinjitetin, e atyre që të vrasin natën e të qajnë ditën, që shembin ndërtesa më njerëz brenda, e mbi të gjitha është koha e “kreshnikëve” që nuk dijnë kurrë të kërkojnë falje, por vetëm të përqeshin.
Ky është “eposi i kreshnikëve” modernë, që ndoshta do të shkruhet në librat e historisë e letërsisë së brezave të ardhshëm … shoqëruar me ilustrime të tabelës që na bën me turp, të gjithëve!
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



