Kryeministri i Bullgarisë i kërkon qytetarëve të tij të dhurojnë rrogën e një muaji në ndihmë të Ukrainës
Në mesin e një lufte të ashpër, SHBA dhe shtetet e Europës janë angazhuar në mbështetje të Ukrainës duke kontribuar me ndihma ushtarake dhe humanitare.
Bullgaria duket se ka iniciuar një nismë më ndryshe. Kryeministri bullgar, Kiril Petkov ka nisur një fushatë publike duke u kërkuar qytetarëve të tij që të dhurojnë pagën e një muaji në ndihmë të Ukrainës.
“I bëj thirrje çdo qytetari bullgar që me të vërtetë dëshiron të ndihmojë Ukrainën, të dhurojë një rrogë si unë. Fjalët janë të lehta, veprat janë të vështira, është koha që postimet në Facebook të bëhen fonde për Ukrainën”, shkruan Petkov në rrjete sociale.
Thirrja vjen mes mosmarrëveshjeve në koalicionin e katërfishtë qeverisës nëse Bullgaria duhet të dërgojë armë në Ukrainë. Partia Socialiste është e vetmja në koalicion që kundërshton dërgimin e armëve. Kryetarja e partisë dhe zëvendëskryeministrja Kornelia Ninova madje kërcënoi se do të largohej nga koalicioni për këtë çështje.
Petkov shpjegoi se dërgimi i ndihmës ushtarake në Ukrainë kërkon unitet politik dhe social dhe tha se do të vazhdojë të punojë që Bullgaria të ketë një qëndrim të unifikuar. Këshilli i koalicionit do të mblidhet këtë javë për të diskutuar më tej këtë çështje dhe një delegacion qeveritar do të udhëtojë në Kiev të mërkurën (27 prill).
“Ndihma ushtarake nuk është domosdoshmërisht në një nga dy ekstremet, nuk janë vetëm predha apo helmeta. Le të kuptojmë nevojat reale të Ukrainës dhe, si një koalicion i informuar, të bashkohemi rreth nevojave të rëndësishme konkrete që ne të gjithë mund të qëndrojmë prapa”, shkruan Petkov.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



