Kryeministri Rama e ka urrejtje patologjike mendimin dhe fjalën e lirë
Siç provoi qartësisht cilësinë e ndërtimeve në vend (ndau cilësinë e mirë nga e keqja), kjo fatkeqsi e natyrës nxori në dritë të diellit armiqsinë e njeriut që qeveris me lirinë e mendimit dhe të shprehjes.
E kam provuar dhe më parë urrejtjen patologjike të Tij me mendimin dhe fjalën e lirë. Por këto ditë ai e demonstroi hapur dhe me energji të krahasueshme me atë sizmiken që bëri hatanë.
Pa asnjë dyshim vajza që mbahet e arrestuar është e burgosur politike. Portali JOQ u mbyll për motive politike.
Kërcënimi ndaj medias në tërësi, përse nuk e vendos kameran “në këndin e duhur”, përbën në vetvete ndërhyrje të dhunshme në të drejtën për t’u informuar dhe shkel qartë lirinë për t’u shprehur.
Ndërhyrjet e qeverisë në këto liri e të drejta themelore janë joproporcionale, jo ligjore dhe tërësisht të pa nevojshme për shoqërinë demokratike. (Këto janë kriteret me të cilat gjykon Gjykata e Strasburg).
Si Kushtetuta e Republikës ashtu edhe Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut e dënojnë këtë sjellje të qeverisë. Pa asnjë mëdyshje!
Në ka mbetur ende ndonjë gjykatës që i shërben Republikës, duhet menjëherë ta ndalojë këtë shkelje të rëndë.
E meqë është mbledhur dhe Këshilli i Sigurisë Kombëtare, duhet ta diskutojë këtë gjë sepse kombi është tërësisht i pasigurtë kur qeveria ndalon mendimin dhe shprehjen e lirë të qytetarëve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



