Kukësi fiton me polemika / Në Laç vendos goli i Shametit
Një gol i Ylli Shametit që në minutën e tretë i dha fitoren 1-0 sot Kukësit në Laç, në një betejë sportive dhe ndoshta edhe pak më shumë se kaq.
Mbrojtësi i Kukësit shënoi shumë shpejt dhe ndryshoi tërësisht strategjitë e dy skuadrave, sepse ndeshja u bë shumë e hapur me kalimin e minutave, ndërkohë që tensioni ishte i madh dhe shpesh tifozët kaluan masën, sepse përtej ofendimeve që kanë normale në stadiume, u hodhën edhe sende dhe dy lojtarë të Kukësit u goditën, një herë në secilën pjesë loje. Për fat, asgjë serioze, por nëse Flamurtari dënohet vetëm për sharje e banderola, është për t’u parë si do të sillet Disiplina për ngjarje të tilla, që mungonin prej kohësh në Laç.
U luajt edhe futboll, cilësor, shumë i shpejtë, por edhe plot gafa para porte, por edhe polemika, sepse në fundin e takimit Laçi pretendoi për një 11-metërsh dhe nga pamjet filmike dallohet qartë që Rrumbullaku ka shtyrë kundërshtarin në zonë. Në të dyja portat pati raste pa fund, Eskerda i Laçit humbi edhe një 11-metërsh në fundin e pjesës së parë dhe në të dytën mund të ishin shënuar të paktën 3-4 gola të tjerë, me sulmuesit e të dyja palëve që gabuan raste të pabesueshme dhe shpsh edhe fati u bë vendimtar që të mos dilte goli në dritë.
Fitorja ka vlerë oksigjeni për Kukësin, që eviton furtunën e radhës nga presidenti Safet Gjici dhe shpëton trajnerin Milinkoviç nga një largim i mundshëm.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



