Kur realiteti ‘shpartallon’ propagandën
Sot, ministrja e Brendshme Albana Koçiu u krekos në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes për të bërë atë që duket si një propagandë e stilit klasik qeveritar, të prezantojë Shqipërinë si një vend të sigurt, ku krimi ka rënë, rendi është përmirësuar dhe statistikat janë të shkëlqyera, gjithçka si “fushë me lule”.

Ajo foli për 12 milion turistë që vizitojnë vendin çdo vit, për investimet e huaja dhe qytetarët e huaj që hapin biznese apo blejnë prona, si prova të forta të një Shqipërie të qetë dhe të rregullt.
Por pak orë më vonë, realiteti hodhi poshtë çdo statistikë dhe çdo fjalë të këndshme. Një atentat mafioz në zonën e Rinasit, vetëm 50 metra larg komisariatit dhe pranë hyrjes VIP të aeroportit, mori jetën e Gilmando Danit dhe plagosi rëndë Muçi Shaljanin (Sheqeri), agjent i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore. Një vend që supozohej të ishte ndër më të sigurit në vend u shndërrua në skenë të një ekzekutimi të mirëorganizuar, të kryer me profesionalizëm dhe logjistikë të lartë nga autorët, që duket se e dinin çdo lëvizje të viktimës.

Ekzekutorët të armatosur, me breshëri automatiku goditën makinën e Danit dhe Sheqerit dhe më pas u larguan pa u identifikuar, duke djegur automjetin për të fshirë gjurmët. Ky akt kriminal nuk është thjesht një ngjarje e dhunshme, por një mesazh i qartë se rendi nuk vendoset nga qeveria, statistikat dhe propaganda, por nga ata që zotërojnë armët dhe frikën.
Më tronditës ishte edhe reagimi i policisë në terren. Pamjet nga vendngjarja treguan efektivë të papërgatitur, që përpiqen të thyejnë xhamin me këmbë për të hapur derën e makinës së qëlluar. Ky episod nuk është thjesht një dështim teknik, ai simbolizon mungesën e trajnimit, të përgjegjësisë dhe pajisjeve të nevojshme për emergjenca, duke nxjerrë në pah kontrastin mes fjalëve të ministres dhe realitetit që jetojnë qytetarët çdo ditë.

Ky paradoks i trishtë flet vetë, nga foltorja e Komisionit ku propagandohet se krimi ka rënë dhe rendi është përmirësuar, në rrugët e vendit plumbat bien në mes të ditës, duke dëshmuar se Shqipëria e sigurt e ministrisë, nuk ekziston në realitet.
Në një vend ku fjalët e qeverisë bien ndesh me gjakun dhe frikën e qytetarëve, qytetarët nuk kanë nevojë për statistika të zbukuruara ose për raportime për turistë të lumtur. Ata kërkojnë siguri reale, reagim të shpejtë dhe institucione që funksionojnë.

Sot, Rinasi tregoi se siguria në letër nuk mbron askënd, dhe se propagandës i vjen fundi kur realiteti përplaset me të.
Kjo video e mëposhtme shfaq kontrastin e qartë: nga deklaratat për sigurinë në Kuvend te plumbat që ranë vetëm pak orë më vonë. Një paradoks që flet më shumë se çdo raport zyrtar, sepse realiteti po e shpartallon propagandën.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



