Kush e kërcënon “çunin” tonë?!
Iva Grillo
/ Deklarata e fundit e Kryetarit të Bashkisë Tiranë, lidhur me përgënjeshtrimin që ai tenton t’i bëjë lajmit për makinën e shtrenjtë që u tha se ka në pronësi, është jo vetëm një deklaratë e çuditshme por edhe shumë shqetësuese.
Së pari, spjegimi i tij mund të jetë cdo gjë, por jo një pergënjeshtrim korrekt dhe bindës.
Nuk ka rëndësi se kush e ka postuar dhe si e ka postuar këtë lajm/akuzë.
Kryetari i Bashkisë është një funksionar që paguhet nga taksat e qytetarëve.
Në qoftë se ndaj tij bëhet një akuzë publike nga portale apo media, përgënjeshtrimi i lajmit duhet bëre në mënyre korrekte dhe të plotë, duke iu drejtuar direkt taksapaguesve shqiptarë.
Në këtë kuptim, tentativa për të bindur publikun se përgënjeshtrimi nuk ia vlen të bëhet sepse ata që e botuan nuk hyjnë tek lista e të preferuarve të “Lalit” tonë , është një diversion i panevojshëm dhe një arrogancë e papranueshme.
Së dyti, Kryetari i Bashkisë me një lehtësi të çuditshme flet për një klimë kërcënimi nëpërmjet “gjobave” pa dhënë detaje se kush ia bën këtë kërcënim dhe pse.
Një gjë është e sigurtë ama: që “Lali” i Tiranës këtë klimë gjobash e konsideron si normalitet. Madje, jep edhe versione të ndryshme si mund të reagohet ndaj tyre, me “bon sens”, duke përshkruar skenare të ndryshëm sesi mund te menaxhohen “shëndetshëm” këto “gjoba”.
Në fakt, kërcënimi që i bëhet funskionareve të lartë në këmbim të favoreve personale nuk është gjë tjetër vecse një vepër penale…shumë serioze. Dhe nuk ka asnjë mënyrë tjetër për t’u marrë me të, vecse duke shkuar drejt e në derën e organeve të drejtësisë.
Eshtë shumë shqetësuese lehtësia e papërballueshme e pranimit nga kryeadministratori i Tiranes se dikush i vendoska gjoba…dhe ai i zgjidh ato ashtu “fshatçe”… “duke ndërtuar më shumë shtëpi për fukarenjtë”.
Pyetja djegëse tashmë nuk është e kujt është makina, por:
Kush e kërcënon” “çunin” tonë dhe pse?
#StopFarsesVeliaj
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



