Kush është Ergys Misha që ka dhuruar e shitur pronat e shtetit për dy pare

Misha dora e zezë e Edi Ramës dhe Anila Denajt

Drejtor i Pronave në Ministrinë e Financave, ka marrë për vete 53 pasuri shtetërore, të blera nëpërmjet të besuarve të tij me çmime 50-70% më të ulëta se vlera e tregut real, duke përdorur skemën e ankandit me VAM (Vlera e Amortizimit të Mallit); madje me këtë skemë në vlerën 10% të çmimit, Pëllumb Salillarit i shiti 3100 m2 ndërtim që iu konfikskua në Tiranë…

Një “moçal” i madh korrupsioni në qeveri, është Drejtoria e Pronave Publike në Ministrinë e Financave, me drejtues Ergys Mishën, i cili administron pasuritë shtetërore dhe pasuritë që i konfiskohen botës së krimit e përdoren nga shteti, jepen me qira e nxirren në shitje.

Në janar 2023, SPAK thirri drejtorin Ergys Misha, si person që ka hartuar procedura, ka urdhëruar e firmosur dhënie me qira, dhurime, shitje direkt pa ankande e me ankande, të shumë pasurive toka e objekte shteti, apartamente, pallate, vila, bar-restorante, linja prodhimi vreshta e mjete luksoze të transportit rrugor e detar të konfiskuara.

Marrja në pyetje e drejtorit Ergys Misha, është bërë në kuadër të një hetimi në lidhje me pronat publike, ku është konstatuar vlera totale 21 miliardë Euro humbje për shtetin, të cilat janë dhënë edhe me falsifikime dokumentesh shteti e privati.

Sipas raportit të brendshëm të Ministrisë së Financave, rezulton se nëpërmjet Drejtorisë së Administrimit të Pronave Publike, Drejtorisë së Privatizimit dhe Drejtorisë së Pronës Publike, që janë në vartësi të Ergys Mishës dhe me firmën e tij, janë dhënë me qira 20-99 vjeçare e janë shitur në shkelje të ligjit, 2258 hektarë toka, troje e objekte shtetërore.

Në listën e tokave, trojeve e objekteve të dhëna me qira emfiteoze, i është dhënë e drejta qira-marrësve, t’i hipotekojnë, t’i vendosin kolateral në banka dhe të shesin pronat e shtetit sikur i kanë të tyre, konkretisht 9.8 milionë m2 toka, 1.2 milionë m2 troje e 2.7 milionë m2 objekte shteti

P.sh., objekt hetimi i SPAK është kjo vjedhje e maskuar me procedura shtetërore: Drejtori Ergys Misha, tokat e objektet shtetërore që i ka dhënë privatëve me kontrata qerja “1 Euro” për 20 vite, ua ka shitur pas 1 e 2 vite, me çmim 3-5% të vlerës së tregut, siç ka vepruar me Gjergj Lucën, të cilit i ka shitur 150 mijë m2 troje e objekte në Elbasan, Librazhd, Përrenjas e Maliq.

Krim ekonomik ndaj shtetit, të kryer nga drejtori Ergys Misha, SPAK ka konsideruar edhe dhurimin e 537 mijë m2 tokë truall e objekte të Porti Ushtarak në Limion- Sarandë, dhuruar Artan Dulakut.

Edhe në këtë vjedhje, drejtori Ergys Misha ka firmosur verbalisht, pazarin që bëri Babloku dhe letrat që i dhanë ministret Anila Denaj e Olta Xhacka, por dhe 530 hektarë toka e troje dhënë Milo Gjikurisë, Pëllumb Salillarit, Bashkim Ulajt, Olta Xhaçkës, Rrok Gjokës, Gaz Demit e Alabbarit.

Sipas raportit të Ministrisë së Financave, rezulton se drejtori Ergys Misha ka shitur dhe 215 pasuri të krimit, që kanë kaluar në pronësi të shtetit, madje sipas KLSH, u janë shitur përsëri kriminelëve.

Këto pasuri, Drejtori Ergys Misha i ka shitur te klientët e tyre në ankand me vlera të ulëta, duke përdorur marifetin e anulimeve të ankandeve 3-4 herë, sikur gjoja nuk ka pasur kërkesa dhe sipas ligjit shiten me VAM (Vlera e Amortizimit të Mallit) deri 90% ulje çmimi.

Këtë marifet, Drejtori Ergys Misha, e bëri kur i shiti oligarkut Pëllumb Salillari, me çmim 10% të vlerës së tregut, 3100 m2 sipërfaqe ndërtimi që iu konfiskua si ndërtim pa leje në Tiranë, por dhe 88 mijë m2 ndërtuesve të tjerë të lidhur me Bablokun e Lali Erin.

Për vjedhjet e korrupsionin që ka bërë, është përhapur opinioni, sikur drejtori Ergys Misha, firmos vjedhjet si “mish me dy sy”; por faktikisht është “esnaf” punësh të pista, si “sekser” i Anila Denajt, me të cilën ka punuar në rrjetin agjencive mashtruese Iute-Credit, Besa, Micro-Credi etj.

Ndërsa kur u bë ministre Financash, Anila Denaj e mori me vete si këshilltar e më pas drejtor të pasurive shtetërore; madje për profilin e tij si firmosës i çdo pazari e vjedhje, Bablolku urdhëroi që Ergys Misha të vazhdonte detyrën te pronat gjatë kohës së Delina Ibrahimajt e të Ervin Metes.

Para se të bëhej drejtor, ka punuar 11 vite shef sektori i mikro-kredive; 3 vite në KLSH ku u shkarkua për pazare me subjektet e kontrolluara; 3 vite  te Tatim-Taksat e Bashkisë Tiranë; 7 vite me mafien bankare të Andi Balltës e grupit të kredive zhvatëse “Meskuti-Ibro-Ajdini”.

Ky drejtor duhet hetuar nga SPAK, sepse ka marrë për vete 53 pasuri konfiskuara, të blera nëpërmjet të besuarve të tij me çmime 50-70% më të ulëta se vlera e tregut real, duke përdorur skemën e ankandit me VAM (Vlera e Amortizuar e Mallit), ku shef juridik, përdor Besard Buzin, djalin e Adriana Berberit dhe burrin e  ministres Bora Muzhaqi.

Saktësojmë, se më 31 janar 2023, dy javë pasi ishte thirrur në SPAK, Ergys Misha tentoi të shkëputej nga moçali i vjedhjeve, duke kandiduar për Anëtar Bordi te Konkurrenca, por nuk e lejuan Babloku dhe mafia që zhvat pronat shtetërore./Pamfleti

Publikuar nga Publik Media