E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Kush ishte Aleksandër Koçeku, 40-vjeçari i ekzekutuar në Shkodër
Lajme

Kush ishte Aleksandër Koçeku, 40-vjeçari i ekzekutuar në Shkodër

Publikohet fotoja e 40-vjeçarit Aleksandër Koçeku, i cili mbeti viktimë e një atentati me armë zjarri mbrëmjen e djeshme në zonën e Dukagjinit, në Shkodër.

Ngjarja e rëndë po hetohet nga autoritetet, ndërsa pista kryesore lidhet me një konflikt të hershëm mes familjeve, i cili daton që nga viti 2017. Sipas burimeve hetimore, dyshohet se vrasja mund të jetë kryer për motive hakmarrjeje, në vijim të një përplasjeje të vjetër që ka prodhuar edhe viktima të tjera.

Aleksandër Koçeku u qëllua me breshëri automatiku në fshatin Lin, përgjatë segmentit rrugor Kir–Prekal. Trupi i tij u gjet brenda automjetit, pasi një banor i zonës konstatoi mjetin e dalë nga rruga dhe njoftoi menjëherë policinë.

Hetimet paraprake tregojnë se autorët kishin organizuar një pritë të mirëplanifikuar, duke shfrytëzuar njohuritë mbi lëvizjet e viktimës. Ata kanë zgjedhur momentin kur ai po kalonte në këtë zonë për të kryer atentatin dhe më pas janë larguar në drejtim të paditur.

Vështirësitë në hetim shtohen për shkak të terrenit të thellë malor, ku mungojnë kamerat e sigurisë. Për këtë arsye, grupi hetimor po fokusohet në analizimin e tabulateve telefonike dhe komunikimeve të fundit të viktimës, me qëllim identifikimin e autorëve.

Ndërkohë, hetuesit janë rikthyer në vendngjarje dhe pritet të marrin në pyetje familjarët e viktimës, për të zbardhur më tej konfliktin e vjetër që dyshohet se qëndron në themel të ngjarjes.

Sipas të dhënave nga dosja hetimore, në vitin 2017, Artan Koçeku, vëllai i viktimës, vrau me armë zjarri Angjelin Shkambin pas një takimi mes tyre. Konflikti dyshohet se lidhej me një borxh prej 40 mijë eurosh, por edhe me mosmarrëveshje të thella personale mes dy familjeve.

Në këtë kuadër, policia po verifikon persona të afërt dhe familjarë të Angjelin Shkambit, disa prej të cilëve ndodhen jashtë vendit, për të përcaktuar nëse atentati është organizuar si një akt hakmarrjeje.

Burime pranë hetimit bëjnë me dije se Aleksandër Koçeku ka qenë një emër i njohur për autoritetet, pasi ishte përfshirë më herët në verifikime për ngjarje të tjera kriminale, përfshirë dyshime për sulme ndaj forcave të policisë me armë zjarri dhe lëndë plasëse.

Gjithashtu, ai dyshohet se kishte lidhje edhe me kultivimin e bimëve narkotike në zonën e Dukagjinit.

Policia e Shkodrës vijon hetimet intensive për identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij atentati të rëndë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.