Kush po e mban në këmbë këtë mostër të Trazicionit?!
Poli Hoxha / Ndërkohë që muaji shtator është paralajmëruar nga opozita, Berisha-Meta, si startim i protestave të mëdha të cilat do të rrëzojnë qeverinë Rama, ende nuk ka ndonjë shenjë për organizmin e tyre.
Gjatë muajit gusht ky grupim testoi disa herë përsëritjen e 7 korrikut duke shfrytëzuar ngjarje tragjike si ajo e vdekje-vrasjes së vogëlushes 7-vjeçare nga një komisar policie, por masiviteti i tyre edhe pse fillimisht mori pjesë edhe vetë Berisha, la shumë për të dëshiruar.
Nga ana tjetër Rithemelimi dhe Partia e Lirisë prej kohësh kanë testuar bazën e tyre. Ju ka rezultuar se maksimumi që mund të arrijnë është vetëm një 7 korrik i dytë, por edhe ky në pamundësi për të qenë permanent dhe në vazhdim, siç edhe është premtuar.
Kjo vakësi e konstatuar duket se nuk vjen nga fakti se shqiptarët nuk janë të zemëruar me gjendjen katastrofike ekonomike dhe skandalet e pa precedenta të qeverisë Rama, por më së shumti nga situata e rënduar politike dhe penale e drejtuesve të këtij grupimi.
Por edhe nga kompleksimi që kanë vetë udhëheqësit e shënjestruar dhe nën vëzhgim nga Perëndimi, për të ndezur “zjarr” një vend anëtarë të NATO, ndërkohë që lëvizjet gjeo-ushtarake mes bllokut Euro-Atlantik dhe Rusisë e Kinës në anën tjetër, po ngjasojnë çdo ditë e më shumë si një prag lufte botërore.
Pavarësisht nga kjo, që të mbushësh sheshet nuk mjaftojnë vetëm ndjekësit e Berishës dhe të Metës, por duhet edhe pjesa tjetër e demokratëve “kundër dhe asnjëanës” dhe veçanërisht, zgjimi i shtresës gri e cila është kundër dhe për rrëzimin e Ramës, por jo për një riciklim të klasës politike të Tranzicionit.
Në këtë situatë nga grupi i përbashkët i opozitës, Berisha- Meta, është kërkuar një shkëndijë të fortë e cila do të shkaktonte tronditje dhe zemërim jo vetëm te mbështetësit e tyre, por edhe te socialistë dhe çdo shqiptarë.
Pak a shumë një skandal të ngjashëm me video-përgjimin Meta-Prifti, i cili shkaktoi 21 janarin edhe pse planet malinje të Edi Ramës, përfunduan vetëm me gjak të pafajshmish.
Dhe duket se diçka të tillë që ata mendojnë se do të funksionojë për të karikuar vërshimin e njerëzve në shesh, tashmë e kanë.
Burime të sigurta brenda grupimit, Berisha- Meta, konfirmojnë se ata kanë në dispozicion një përgjim ndaj kryeministrit Edi Rama duke komunikuar në mënyrën më skandaloze dhe anti-ligjore, me eksponentë të njohur të krimit shqiptarë.
Mësohet se përgjimi është i rëndë, por ende nuk dihet ende se për çfarë bëhet fjalë konkretisht.
Kujtojmë se Edi Rama në lidhje me afeksionin dhe bashkëpunimi që ka me botën e krimit, duket se tashmë ka krijuar “imunitet”. Ai erdhi në pushtet në vitin 2013 jo vetëm falë LSI-së së Ilir Metës, por edhe në aleancë të hapur me qelbësirat më pikante të krimit të organizuar shqiptarë.
Një nga kryeveprat e opozitës të kohës Basha, ligji i dekriminalizimit, nxori pjesërisht në shesh se ai nuk e ka problem që krimin ta vesh me kostumin e deputetit dhe të kryetarit të bashkisë. Nuk po flasim pastaj për administratën dhe policinë, sepse aty të deleguarit e krimit bëjnë ligjin.
Pra simbioza e Ramës me krimin nuk është ndonjë habi, ndaj edhe ky përgjim sado skandaloz që të jetë, besoj (fatkeqësisht) se do të jetë thjesht një tullë më shumë në murin gjigant të inkriminimit dhe korrupsionit, të organizatës së tij në pushtet.
Nga ana tjetër që tani imagjinohet kundërpërgjigjja e Ramës, i cili e ka gati relativizmin e bëmave të tij, duke ju vënë përball shqiptarëve ato të Sali Berishës dhe të Ilir Metës.
Çdo përgjim dhe denoncim, (veçanërisht për kryeministrin ende në detyrë), pavarësisht se nga kush vjen është një shërbim i madh publik dhe pikë.
Por çështja është te karta morale që është e domosdoshme për të ngritur peshë zemërimin e shqiptarëve, ndaj regjimit më të inkriminuar dhe kleptokrat që njeh Europa. Dhe ai mungon. Shto këtu edhe kapërcimin pindarik të Berishës i cili nga rrëzimi në shtator i Ramës, u hodh papritur te heqja e tij me votë!
Që Edi Rama është mik dhe ortak i krimit dhe madje edhe llumit të tij, nuk e vë në dyshim asnjë shqiptarë dhe demokrat i çdo kahu. Madje asnjë syresh socialist nuk e dyshon më këtë fakt, sepse ai e ka të shkruar vet në ballë këtë aleancë.
Rama dhe organizata e tij janë në grahmat e fundit dhe për këtë merita është e vetë atyre. SHBA, BE dhe madje edhe vetë Soros e kanë lëshuar përfundimisht dhe madje, po e cilësojnë hapur si një rrezik gjeo- strategjik në kuadrin e zhvillimet alarmuese Perëndim- Rusi&Kinë.
Vetvetja e ka rrëzuar, Perëndimi e ka lëshuar; kush po e mban në këmbë këtë mostër të Trazicionit?!/ Alfapress.al
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



