Kush u shqetësua nga investigimi për bordellot e masazheve?
Pas publikimit të investigimit, postimi i Publik Media u përball me një valë raportimesh
Tentativa për ta zhdukur nga rrjetet sociale vetëm sa ngriti më shumë pikëpyetje mbi fuqinë e kësaj industrie
Vetëm pak ditë më parë, Publik Media publikoi një investigim që nxori në dritë mënyrën se si një pjesë e të ashtuquajturave “qendra masazhi” në Tiranë funksionojnë në realitet si ambiente ku, përtej shërbimit të deklaruar, ofrohen edhe shërbime seksuale kundrejt pagesës.
Artikulli u lexua nga mijëra qytetarë, u shpërnda gjerësisht dhe ngjalli reagime të shumta. Por ajo që ndodhi më pas ishte po aq domethënëse sa vetë përmbajtja e investigimit.
Brenda një kohe të shkurtër, postimi i Publik Media në rrjetet sociale u përball me një numër të lartë raportimesh, deri në kufizimin e shpërndarjes së tij. Një reagim i tillë ngre një pyetje të thjeshtë: kush ka kaq shumë interes që ky realitet të mos bëhet publik?
Sepse kur një lajm tentojnë ta mbytin me raporte masive, mesazhi është i qartë. Dikush shqetësohet nga e vërteta.
Një industri që nuk fshihet më
Sot qendrat e masazhit nuk janë më një fenomen sporadik. Në shumë zona të Tiranës ato gjenden pothuajse në çdo lagje, me tabela ndriçuese, reklama në rrjetet sociale dhe faqe që publikojnë vazhdimisht fotografi provokuese, duke reklamuar “staf të ri”, “vajza të reja” apo “oferta speciale”.
Në letër ofrohet masazh.
Sipas dëshmive të mbledhura gjatë investigimit të Publik Media, në praktikë klientit i ofrohen edhe shërbime të tjera, të cilat negociohen brenda ambienteve.
Skema është pothuajse identike në shumë prej këtyre qendrave, çka krijon dyshimin se nuk bëhet fjalë për raste të izoluara, por për një model funksionimi të konsoliduar.
Një biznes që llogarit fitimet çdo orë
Nëse llogaritjet bëhen mbi fluksin që raportojnë vetë banorët e zonave ku operojnë këto biznese, shifrat bëhen befasuese.
Nëse një qendër pret rreth 30 klientë në ditë dhe secili paguan mesatarisht rreth 100 mijë lekë të vjetra, xhiroja ditore arrin në miliona lekë të vjetra.
Kur ky model shumëzohet me dhjetëra qendra që operojnë vetëm në Tiranë, krijohet një industri informale që qarkullon shuma të konsiderueshme parash çdo muaj.
Kjo është arsyeja pse shumë qytetarë pyesin: si është e mundur që një aktivitet me një qarkullim kaq të madh të mbetet për kaq gjatë jashtë radarit të institucioneve?
Banorët flasin, por askush nuk dëgjon
Në redaksinë e Publik Media kanë mbërritur vazhdimisht ankesa nga banorë që jetojnë pranë këtyre ambienteve.
Ata flasin për lëvizje të pazakonta gjatë gjithë ditës, hyrje-dalje të vazhdueshme klientësh, muzikë me volum të lartë dhe shqetësime që, sipas tyre, nuk përputhen me aktivitetin normal të një qendre masazhi.
Për ta, problemi nuk është vetëm morali apo ligji.
Është cilësia e jetës në lagjet ku këto ambiente vazhdojnë aktivitetin çdo ditë.
Masat e sigurisë flasin vetë
Një tjetër element që bie në sy është mënyra se si ruhen këto ambiente.
Sipas materialeve të siguruara gjatë investigimit, klientëve u kërkohet të dorëzojnë telefonat celularë përpara hyrjes në ambientet e brendshme, me qëllim që të mos realizohen foto apo video.
Kjo praktikë nuk është karakteristikë e një qendre të zakonshme mirëqenieje.
Pikërisht për këtë arsye Publik Media ka vijuar dokumentimin e këtij fenomeni me prova audio dhe video.
Pse u tentua të fshihej investigimi?
Fakti që publikimi ynë u përball me raportime masive nuk e ndryshon realitetin.
Përkundrazi.
Ai tregon se tema prek interesa të forta.
Sa më shumë përpiqet dikush ta heshtë një investigim, aq më shumë rritet interesi publik për të kuptuar se çfarë fshihet pas tij.
Publik Media nuk do të ndalet.
Redaksia disponon materiale të tjera filmike dhe audio që dokumentojnë mënyrën e funksionimit të kësaj skeme dhe në ditët në vijim do të publikojë pjesë të tjera të investigimit.
Sepse një aktivitet që maskohet si biznes i ligjshëm, por për të cilin ekzistojnë dyshime të forta se shërben për ushtrim prostitucioni, nuk është thjesht një histori kronike. Është një çështje me interes të gjerë publik, që meriton transparencë, hetim dhe përgjigje nga institucionet përgjegjëse.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco












