Lindita Nikolla përgatit një raport ‘as mish, as peshk’ për mandatin e Olta Xhaçkës

Maxhoranca parlamentare ende nuk e ka vendosur nëse do t’i dorëzojë Gjykatës Kushtetuese mandatin e deputetes dhe ish-ministres së Jashtme, Olta Xhaçka, e dyshuar se është në kushtet e konfliktit të interesit pasi bashkëshorti i saj, Artan Gaçi, u shpall “investitor strategjik”.

Në hapjen e seancës së sotme parlamentare, kreu i grupit parlamentar demokrat, Gazmend Bardhi, deklaroi se ende nuk është publikuar qëndrimi i Partisë Socialiste për këtë çështje, ndërkohë që votimi nëse rasti duhet t’i kalojë për shqyrtim Gjykatës Kushtetuese është parashikuar të zhvillohet këtë të enjte.

Kryeparlamentarja Lindita Nikolla dhe kreu i grupit parlamentar socialiste, Bledi Çuçi, njoftuan se qëndrimi i socialistëve ishte bërë publik në sistemin elektronik të Kuvendit dhe në faqen e internetit të institucionit.

“Boldnews.al” verifikoi të dhënat dhe rezultoi se, vetëm pas deklaratave të Nikollës dhe Çuçit, qëndrimi i anëtarëve socialist të Komisionit të Mandateve dhe Imuniteteve u publikua.

Në 16 faqe raport, socialistët nuk shprehen qartë nëse do të votojnë që mandati i Xhaçkës të shkojë apo jo në Kushtetuese.

Në konluzionin e anëtarëve socialist të Këshillit të Mandave dhe Imuniteteve thuhet shprehimisht:

“Anëtarët e shumicës parlamentare në Këshillin e Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit, vlerësojnë që cështja t’i kalojë seancës plenare për të vendosur në lidhje me dërgimin e mocionit në Gjykatën Kushtetuese sipas parashikimeve të nenit 70 të Kushtetutës”, pa dhënë një opinion paraprak.

Më herët, anëtarët opozitarë në atë Këshill kanë miratuar raportin, ku i sugjerojnë Parlamentit që të dërgojë në Gjykatën Kushtetese çështjen e Olta Xhaçkës./ Boldnews

Publikuar nga Publik Media