E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Llamba magjike e Aladinit s’mund ta shndërrojë sëndukun e Palokës në arkën e Noes
Lajme

Llamba magjike e Aladinit s’mund ta shndërrojë sëndukun e Palokës në arkën e Noes

AZGAN HAKLAJ

Prej disa ditësh, sënduku i Palokës është shndërruar kryefjalë dhe kallëzues i politikës së ditës, ashtu si arka e gjyshes apo e pajës së nuses. Berisha beson te sënduku i Palokës si tek arka e Noes apo varka e Sulltan Mehmetit “Pushtuesi” se mund ta shpëtojë nga fundosja në Trekëndëshin e Bermudës. Sa më shumë afrohet d. 11 dhjetor aq më shumë ashpërsohet gjuha e Sali Berishës ndaj kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, të zgjedhur me plebisht blu dhe strukturave të certifikuara nga një proces zgjedhor legjitim, në të cilin ka marrë pjesë edhe Berisha, por që sot nuk i njeh dhe e akuzon Bashën për shkelje të statutit sepse nuk ka pyetur forumet e partisë për vendimin ndaj tij për pezullimin nga grupi parlamentar, ndërkohë ai vetë në mënyrë flagrante ka shkelur Kushtetutën e partisë duke shpallur një “Kuvend” miting, mbledhur ca formularë të dyshimtë, futur disa fletë të falsifikuara në arkën e Palokës, vetëshpallur kandidaturën e vet për kryetar duke bërë deklamimin solemn se do të t’ia arrijë qëllimit me çdo çmim.

“Augusti” ynë për të realizuar planin e tij ogurzi pa shpalosur asnjë ide, projekt apo platformë politike, por i mbërthyer nga ethet për pushtet për ta zaptuar PD-në për hallin e vet e familjes së tij po përdor një strategji të gërshetuar me demagogji, mashtrim, blofe, intriga, shpifje, falsifikim, trukim, kanosje, kërcënim, shantazh, miklim sedre, linçim publik të disa personaliteteve të PD nga njëra anë, falje publike për gabimet e veta nga ana tjetër, premtime përrallore, duke nxitur përçarje në emër të bashkimit, deklaron rikthim tek konservatorizmi, riformatim të djathtës, rithemelim të PD-së e konsolidimin e sovranitetit të saj. Është vetëshpallur “Ati i Atdheut” duke tentuar t’ia atribuojë vetes shpëtimin e Kosovës nga ndarja, ndërkohë e shpall mik të çmuar arkitektin e ndarjes Grenellin, siç e pati pagëzuar vite më parë Fazlliçin. Njësoj ka vepruar edhe me Sorosin. Vite më parë e pati shpallur mikun më të madh të Kombit Shqiptar, kurse sot deklaron se do ta shpallë “non grata” nëse kthehet në pushtet.

Berisha si një artist cirku po përpiqet me çdo çmim ta rrëmbejë PD.

Ai herë sillet si Mato Gruda (që qëlloi me top mullarët e plakut Mere), teksa shprehet se do të pushtojmë shtëpinë e lirisë dhe u bën thirrje të gjithë të zgjedhurve me votë të lirë të japin dorëheqje, ndërsa Paloka, beniamini i tij i zgjedhur me të njëjtin proces jo, nga ana tjetër deklarohet për fraksionet ngjashëm me teorinë e Mao Ce Dunit të 100 shkollave dhe 100 luleve.

Në mënyrë të paskrupullt akuzon Lulzim Bashën si peng të Ramës dhe se i ka bërë dëm të madh PD-së, por i thotë të rrijë në PD si fraksion.

Po si mund të rrijë fraksion në PD ai që ka dëmtuar PD?!

Këtë vetëm Berisha mund ta dijë. Berisha sulmon binomin Blinken- Yuri Kim, nga ana tjetër i thur elozhe SHBA-së.

Ai deklaroi se Yuri Kim nuk do të shkelë në zyrën e tij pa iu kërkuar falje shqiptarëve, kurse ambasadorja shkoi në Malësinë e Gjakovës dhe i dha shah mat, si kujtesë e maksimës “Shpia e shqiptarit është e Zotit dhe mikut” që na ka lënë si testament rilindësi i parë i jurisprudencës europiane, arkitekti i Kanunit, Kushtetutës së parë europiane, Lek Dukagjini.

Berisha është shprehur se nuk do të shkojë në Amerikë sa të jetë Blinken në detyrë. Ai deklaroi se do të marrë PD e do të bëhet edhe Kryeministër dhe se ka mbështetjen e Europës pa deklaruar asnjë shembull konkret, por duke gënjyer publikisht, ashtu si për gjyqin në Francë ndaj Blinkenit. Pyetja lind si do të shkojë Berisha në takimet e Aleancës Euroatlantike kur dihet se lidershipi i kësaj aleance është Amerika?!

Në fjalimet e tij kakofonike nëpër foltoreve Berisha ka deklaruar se do të riformatojmë të djathtën me revolucion paqësor dhe se do të rithemelojë një PD të re konservatore.

Natyrshëm lind pyetja: Ç’lidhje ka konservatorizmi me revolucionin?!

Cili revolucion quhet paqësor?!

Apo e ka fjalën për revolucionin kulturor “paqësor” të Mao Ce Dunit që u adaptua edhe nga Enver Hoxha!

Ai premton se do të realizojë rehabilitimin e plotë të të përndjekurve politikë, megjithëse shqiptarët tani janë të vetëdijshëm që slogani i tij “bashkëvuajtës e bashkëfajtor” vrau demokracinë shqiptare që në ngjizje. Amnistimi moral dhe politik i shërbëtorëve të diktaturës nga Berisha ua dha mundësinë atyre të mbërthejnë demokracinë shqiptare si oktapod dhe penguan dënimin e krimeve të komunizmit, dekomunistizimin dhe hapjen e dosjeve të sigurimit të shtetit, heqjen e simboleve të diktaturës.

Turp, shumë turp.

Sot, pas 30 vitesh, deputeti i majtë u uron shqiptarëve Festën e Pavarësisë me fotografinë e Enver Hoxhës. Si ndihet Berisha që në vend të regjimit diktatorial konstruktoi një regjim autokratik si garanci e vazhdimësisë të sundimit të së njëjtës frymë dhe personazheve të mëparshëm, pra, të komunistëve të konvertuar në demokratë?!

Nëse i merr emër për emër dhe i analizon ekipin e afërt të Sali Berishës për 30 vite, ata kanë lidhje të forta me diktaturën ose janë shërbëtorë të saj, ose janë pinjollë të familjeve që i kanë shërbyer me zell asaj.

Prandaj edhe sot që po përpiqet të rrëmbejë opozitën ka mbështetjen e Trekëndëshit të Bermudës për të mbajtur në fuqi Katovicën, por sigurisht që kësaj radhe erdhi dita që do të fundosen së bashku. Ka dy muaj që endet nëpër Shqipëri me vajatorët e tij të famshme duke i bërë karshillëk aleatit tonë tradicional, kampionit botëror të lirisë dhe demokracisë, lidershipit të Aleancës Euroatlantike SHBA-së, që e ka damkosur atë dhe familjen e tij si Lucifer.

Berisha është përpjekur të organizojë një foltore edhe me të përndjekurit politikë, por deri sot ka dështuar sepse e ndjekin hap pas hapi hijet e Lirak Bekos dhe Gjergj Ndrecës si Makbethin fantazmat e krimeve të tij. Nuk ka parashikuar takim me pronarët as nuk ka folur për pronat, sepse me ligjin 7501 nuk lejoi pronarët e vërtetë të marrin kurrë pronat e tyre.

Ky ligj për 30 vite ka shkaktuar aq shumë viktima pothuajse aq sa kanë rënë dëshmorë në Kosovë për çlirimin e saj nga regjimi gjakatar i Millosheviçit.

Privatizimi me letrat me vlerë, të cilat i emetoi gjoja si shpërblim për të burgosurit politikë, duke ua mbledhur vetë përsëri atyre të zhvlerësuara krijoi artificialisht një kastë të pasurish ish-kontingjent të regjimit diktatorial që do t’i kontrollonte vetë për interesat e tij. Me firmat piramidale lejoi lulëzimin e tregut informal, duke ua mbledhur paratë shqiptarëve me disa eksponentë të diktaturës dhe dëmtoi rëndë ekonominë e familjeve shqiptare, të cilat nuk u rimëkëmbën për një kohë të gjatë. Programi i ekonomisë sociale të tregut dhe adaptimi i politikave etatiste asgjësuan konkurrencën e lirë, duke inkurajuar krijimin e monopoleve e oligopoleve dhe mundësuan instalimin e një regjimi oligarkikoplutokratiko, kleptokratiko, kakistokratik që sot e mbështet Berishën me tërë fuqinë e tij për t’u rikthyer e për të ruajtur më çdo çmim vazhdimin e sundimit.

Berisha tashmë ka luajtur faktin e kryer, ka shpallur “Kuvendin” miting të d. 11 dhjetor. Aq shumë e ka fetishizuar këtë ditë sa e ka pagëzuar si ditë hyjnore. Demokratët e Shqipërisë nuk duhet të bien pre e lojërave djallëzore të Sali Bershës për hallin e tij dhe të familjes së vet pas shpalljes non grata nga SHBA.

Është momenti t’i bëjnë thirrje koshiencës se vet politike e subkoshiences kombëtare për të mos e sakrifikuar veten dhe shtëpinë tonë të përbashkët të lirisë për Sali Berishën dhe familjen e tij.

Të mos bëhen mish për top.

Të mos kurbanizohen për Berishën.

Mjaft demokratë ka kurbanizuar Berisha deri më sot për utilitarizmin e tij politik. Tani Berisha dhe Berishizmi do të bëhem kurban vetë.

Mao Ce Duni, të cilin Berisha e imiton sot, na ka lanë një postulat:

“Kryet e prerë nuk mund të ngjitet më”. Ambasadorja e SHBA-së para pak ditësh në Malësinë e Gjakovës me një ritual simbolik i preu kryet gjelit. Ky rit tradicional dëshmon se çdo shtëpi e re kërkon një kurban.

Epoka e re që po lind ka si kurban politik Berishën. Data 11 dhjetor nuk është Nata e Kadrit, që do të realizojë dëshirën e dumbabistëve për shpëtimin e Berishës, edhe pse ky i fundit shpreson që 11 dhjetori të jetë për të llamba e magjishme e Aladinit që arkën e Palokës ta kthejë në arkën e Noes për ta shpëtuar nga fundosja.

Arka Palokiane nuk shndërrohet dot shpëtimtare si arka e Noes, përkundrazi do të jetë arkmorti politik i Berishës sepse ai do të jetë kurbani politik i epokës së re demokratike. 18 dhjetori ndan dy epoka, absolutizmin dhe demokracinë. 18 dhjetori është apokalipsi i Berishës dhe Berishizmit e mercenarizmit politik.

Në dhjetorin e Krishtlindjeve nuk do të ringjallet Berisha i tretë, por me dt. 18 dhjetor do të ringjallet shpresa demokratike e vrarë nga absolutizmi berishist.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.