E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Lodra e re e Pushtetit: Si po i merr kryeministri fuqitë e Parlamentit
OP-ED

Lodra e re e Pushtetit: Si po i merr kryeministri fuqitë e Parlamentit

Në pothuajse të gjitha herët, raportet ndërkombëtare i kanë dhënë demokracisë shqiptare statusin e një sistemi hibrid, i cili tenton të rrëshqasë drejt autoritarizmit. Gjithë këto vite kanë qenë të mjaftueshme për të vetëkorrigjuar defektet dhe për ta sjellë vendin në kushtet e një demokracie funksionale. Por koha duket sa nuk ka punuar për ne. Ndryshimet e pushtetit kanë sjellë të tjera trajta të shfaqjes së autoritarizmit.

Ditët e fundit ka një shqetësim të drejtë të disa grupimeve të biznesit dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar që ndryshimet e taksave mund të ndodhin me vendim kryeministri dhe jo si ligje që votohen e mbikëqyren nga Parlamenti.

Përfaqësuesi i Përhershëm i FMN-së, në Shqipëri, Jens Reinke, ka pohuar në një intervistë për “Monitor” se “Paketa Fiskale i jep fuqi të madhe për të vepruar lirisht Këshillit të Ministrave, duke reduktuar në këtë mënyrë transparencën e ligjeve të taksave. Ne e shikojmë si veçanërisht problematik faktin që përjashtimet mund të përfshijnë shërbime të tjera përveç akomodimit të ofruar nga hotelet dhe barazinë e tyre (p.sh., “status special”) nuk rregullohen në mënyrë të qartë. Përjashtimet e propozuara mund të jenë shkak që të rriten më tej mundësitë për evazion fiskal”.

Edhe Dhoma Amerikane, në komentet e saj për paketën fiskale ka theksuar: {Nga leximi i projektligjeve të propozuara si pjesë e Paketës Fiskale 2018, anëtarët e Dhomës janë të mendimit që këto projektligje përcaktojnë vetëm disa parashikime të përgjithshme dhe lënë një hapësirë të madhe për plotësim nga ana e Këshillit të Ministrave. Sipas nenit 155 të Kushtetutës së Shqipërisë “Taksat, tatimet dhe detyrimet financiare kombëtare e vendore, lehtësimi ose përjashtimi prej tyre i kategorive të caktuara të paguesve, si dhe mënyra e mbledhjes së tyre, caktohen me ligj”}.

Ky është një rast i pastër i deformimit të sistemit dhe demokracisë. Dobësimi i Kuvendit dhe rrëmbimi i funksioneve të tij është goditje ndaj republikës që të kthen pas shumë shekuj, atëherë kur mbretërit ishin zotat e tokës mbi çdo ligj.

Ne ende nuk e dimë pasi nuk ka asnjë shpjegim publik, sepse duhet bërë diçka e tillë për t’i vendosur taksat pa ligj. Por e dimë fare mirë se ndërhyrja jo me ligj për taksat në mbretëritë e mëdha të kohës në Angli dhe Francë, ka marrë fund përgjatë shekujve 18-19. Më parë, në monarkitë absolute, vetëm Mbreti kishte autoritetin që të vendoste taksë. “Unë jam ligji” thërriste Luigji XIV. Kjo që po bën sot Kryeministria është formë e tejkaluar, por që duket si një ambicie e për të ringjallur monarkët e për t’u rrëmbyer atyre skeptrin. A është kjo një çështje ambicie, ekspertize apo zgjedhjeje të gabuar ligjore dhe institucionale. Me dëshmitë e derisotme, vlerësojmë që Jo.

Sepse skeptri i Kryeministrisë ka nisur të përzgjedhë ata që duhet të qëndrojnë afër mbretit dhe të përfitojnë nga hija e tij. Nga ky skeptër shkarkohen disa e po përzgjidhen me një të trokitur disa të tjerë. Bien prefektët, në vend të tyre vijnë ish-ushtarakët, rrëzohen disa drejtorë e vijnë në turmë të tjerë. Edhe për taksat ky skeptër do të zgjedhë. Tek propozimet e reja për stimujt e ri fiskalë në turizëm, edhe FMN e ka paralajmëruar një rrezik të tillë.

Ajo thotë se e ka të paqartë se a do të përftojë publiku apo vetëm një grupim i vogël.

Pra kjo që po ndodh nuk lidhet vetëm me kënaqësitë që të jep përqendrimi i pushtetit, por me aftësinë që ky pushtet monarkik ka për të diktuar jetën dhe suksesin e të tjerëve. Dhe të mos kemi iluzione, se këto skema me mbretëri absolute, janë si mbretëritë në Mbretërinë e Bashkuar, Danimarkë apo Norvegji. Thjesht kjo është një skemë qeverisje, që do të bjerë në kolaps sapo mbreti do të zbresë nga froni. Fatkeqësisht do të duhet t’ia nisim nga e para për të ndërtuar mbretërinë tonë të punës, drejtësisë dhe barazisë.

 Monitor.al

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.