Lufta Izrael-Palestinë hyn në ditën e gjashtë!

Lufta Izrael-Palestinë hyn sot në ditën e gjashtë! Izraeli vazhdoi të bombardojë Rripin e Gazës me sulme ajrore dhe predha artilerie edhe këtë të shtunë. Avionët luftarakë izraelitë kanë goditur ditën e sotme objektivat në Gaza qendrore, ndërsa militantët palestinezë hapën raketa në shenjë hakmarrje pasi një ditë dhune vdekjeprurëse tronditi Bregun Perëndimor dhe trazirat vazhduan brenda Izraelit. Forcat ajrore të Izraelit goditën disa zona, duke përfshirë një shtëpi në Gaza me të paktën 12 palestinezë, si dhe një kamp refugjatësh.
Hamas paralajmëroi se numri i viktimave do rritet, teksa përpjekjet për të rimarrë viktimat nga rrënojat e shtëpisë në buzë të kampit të refugjatëve Shati po vazhdonin. Avionët luftarakë izraelitë hodhën të paktën tre bomba në shtëpinë trekatëshe pa paralajmëruar banorët e saj. Forca e Mbrojtjes së Izraelit thanë se breshëri raketash po gjuanin pa ndaluar nga Gaza në Izraelin jugor, duke përfshirë një raketë që goditi qytetin.
Bilanci i deritanishëm i përplasjeve mes Izraelit dhe Palestinës është i trishtë. Janë 133 të vdekur në Gaza, mes tyre 36 fëmijë dhe mbi 900 të plagosur. Ndërsa në Izrael raportohet për 8 viktima. Një seri tjetër e sulmeve ajrore izraelite goditi kampin e refugjatëve Shati në Gaza duke vrarë të paktën dy gra dhe shtatë fëmijë, ndërsa disa të tjerë janë në rrënoja. Të paktën 15 persona u plagosën. Një sulm tjetër ajror gjithashtu thuhet se goditi një shtëpi në Khan Yunis, sipas Aljazeera. Shumë familje palestineze u larguan dje nga kufiri me Izraelin dhe tashmë janë strehuar në shkollat e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për t’i shpëtuar zjarrit të artilerisë izraelite. OKB ka thënë se rreth 10,000 palestinezë kanë lënë shtëpitë e tyre në Gaza.
Si nisi lufta? Përplasjet që po mbajnë botën pezull që prej të hënës…
1.Tri raketa u hodhën nga Libani drejt Izraelit Verior dhe sipas IDF, (Forcave të Mbrojtjes së Izraelit), asnjë grup nuk mori përgjegjësinë.
2. Ushtria izraelite goditi në Gaza disa ndërtesa që sipas qeverisë përdoreshin nga militantët dhe inteligjenca.
3.Kundërpërgjigjia erdhi nga Hamas, që qëlloi me raketa Izraelin nga rripi i Gazës. Pas këtij momenti dhuna shpërtheu mes grupeve palestineze dhe izraelite brenda Izraelit.
4.Udhëtimet ndërkombëtare janë mbyllur, përfshirë edhe aeroportin kryesor atë në Tel-Aviv.
5.Janë 133 të vrarë në Gaza që sipas Izraelit ishin militantë.

Por si e sheh bota këtë përplasje?
Aleati kryesor i Izraelit, SHBA gjithashtu ka kërkuar armëpushim edhe pse ka njohur të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur. Psaki tha se këshilltari i sigurisë kombëtare ka biseduar me homologun e tij në Izrael disa herë gjatë orëve të fundit. Ajo gjithashtu u shpreh se SHBA ka patur dialog të rregullt shumë herë në ditë me zyrtarë nga Egjipti dhe Katari, duke qenë tepër të angazhuar. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka thënë se ajo është “shumë e shqetësuar” për përshkallëzimin e dhunës në Izrael dhe Gaza.
Edhe Organizata e Kombeve të Bashkuara ka kërkuar armëpushim. Gjithashtu në Izrael ka shkuar një delegacion nga Egjipti për të kërkuar armëpushimm, gjë që u refuzua menjëherë. Nga ana tjetër, Hamas ka kërkuar një armëpushim reciprok në këmbim të pushimit të sulmeve nga ana e Izraelit në xhaminë Al-Aqsa në Jeruzalem. Por Izraeli nuk tërhiqet. Qeveria deklaron se Izraeli nuk po kërkon një armëpushim dhe as ka interes për një gjë të tillë.
Por cila ishte shkëndija e parë e luftës?
Luftimet nisën pas një përplasje mes policisë izraelitëve dhe palestinezëve në vendin e shenjtë në Jeruzalemin lindor. “Haram al sharif” është Mali i Tempullit dhe frekuentohet edhe nga myslimanët palestinezë edhe nga izraelitët. Përplasjet vazhduan dhe autoritetet izraelite përgjatë muajit të Ramazanit kërkuan të dëbonin familjet palestineze që jetojnë në Jeruzalemin lindor. Gjatë përplasjeve, Hamas kërkoi që qeveria izraelite të largonte policinë dhe të mos dëbonte familjet por thirrjet nuk u dëgjuan. Në këtë moment, ushtria palestineze dërgoi raketa drejt Izraelit dhe kaq mjaftoi që lufta të niste. Konflikti mes dy vendeve është i vjetër dhe daton për më shumë se 7 dekada. Izraeli ka aneksuar Jeruzalemin Lindor në 1980 dhe e quan kryeqytetin e tij, por shumica e botës nuk e ka pranuar,ndërsa Palestinezët kërkojnë pronat e tyre në më shumë se gjysmën e Jeruzalemit lindor.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco









