Majko: Vendimi i Hagës tregoi se Kosova ka veç Shqipërinë!
“Është disa herë që përpiqen të na deformojnë historinë”
Ish-kryeministri shqiptar gjatë luftës së Kosovës, Pandeli Majko, reagoi pas vendimit të Gjykatës së Hagës, duke e cilësuar si një moment të rëndë njerëzor dhe duke paralajmëruar për pasojat që mund të ketë në perceptimin e historisë së luftës.
Pandeli Majko e ka cilësuar si një vendim dramatik, por jo një akt që mund të ndryshojë historinë, verdiktin e shpallur sot nga Gjykata e Hagës ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ish-kryeministri shqiptar, i cili drejtonte qeverinë e Tiranës gjatë luftës në Kosovë, tha se vendimi i ka shkaktuar shqetësim për mënyrën se si mund të interpretohet historikisht konflikti dhe roli i UÇK-së.
Majko tha se, pavarësisht diskutimeve se UÇK-ja nuk ishte objekt i gjykimit, ai mbetet pesimist për mënyrën se si kjo çështje mund të ndikojë në narrativën historike.
“Megjithëse dëgjoj se UÇK-ja doli e pastër, kam një ndjenjë pesimizmi. Është disa herë që përpiqen të na deformojnë historinë. Nuk mund të thuash doli nga kjo histori e pastër UÇK-ja, që doli e papërlyer.”
Sipas tij, pasojat e luftës për shqiptarët e Kosovës nuk mund të shihen vetëm përmes një vendimi gjyqësor, ndërsa vuri në dukje humbjet dhe dënimet e pësuara nga pjesëtarë të UÇK-së.
“Është fakt historik që UÇK-së ose i janë vrarë, ose i janë dënuar. Kjo është dramë dhe duhet vlerësuar thellësia e saj”, u shpreh Majko.
Ai bëri thirrje që reagimi i Kosovës dhe Shqipërisë ndaj vendimit të jetë i matur dhe dinjitoz, duke argumentuar se përplasja me një vendim gjykate nuk përbën shenjë force.
Majko tha se pamjet e familjarëve, ish-luftëtarëve dhe fëmijëve që kanë reaguar emocionalisht pas vendimit tregojnë dimensionin njerëzor të kësaj çështjeje.
“Drama nga pikëpamja njerëzore është e jashtëzakonshme. Nuk ka nevojë të qajnë, por të kenë një qëndrim dinjitoz. Nuk është i fuqishëm ai që shan një vendim gjykate. Çdo inat karshi saj më duket dobësi.”
“Beteja nuk ka përfunduar”
Ish-kryeministri theksoi se procesi gjyqësor nuk është mbyllur përfundimisht, pasi vendimi mund të ankimohet në Apel.
Sipas tij, Shqipëria dhe Kosova duhet ta trajtojnë situatën jo thjesht si çështje që lidhet me individët e dënuar, por si një zhvillim me ndikim më të gjerë në shoqëritë shqiptare.
“Tani është edhe Apeli dhe mendoj se Kosova dhe Shqipëria duhet ta vlerësojnë këtë jo si akt personal, por si akt që na ka goditur të gjithëve. Në luftë është shumë e vështirë të ndash një akt personal nga një akt kolektiv.”
Majko u ndal edhe te krijimi i Dhomave të Specializuara të Kosovës, duke e përshkruar vendimin për ngritjen e këtij mekanizmi si një kosto që Kosova pranoi në funksion të pozicionimit të saj ndërkombëtar.
Ai argumentoi se pranimi i procesit kërkonte një vendim politik të vështirë dhe se shqiptarët e Kosovës e morën përsipër këtë përgjegjësi në një moment të rëndësishëm për konsolidimin e shtetësisë së tyre.
“Mënyra se si u formua ky vendim ishte si një çmim. Mendoj se akti i krijimit të kësaj gjykate kërkoi një trimëri të caktuar dhe, në fund të fundit, askush nuk mund të akuzojë nga pikëpamja ndërkombëtare apo historia.”
Majko: Thaçi, drejtues i delegacionit në Rambuje
Në fund të reagimit të tij, Pandeli Majko foli edhe për Hashim Thaçin në një plan më personal, duke kujtuar rolin e tij gjatë procesit të Rambujesë.
Majko, i cili ishte kryeministër i Shqipërisë në periudhën e luftës së Kosovës, tha se Thaçi ishte një prej figurave kryesore të delegacionit të Kosovës në Rambuje dhe e lidhi atë rol me përfshirjen e Kosovës në proceset ndërkombëtare.
“Hashim Thaçi është drejtues i delegacionit të Rambujesë që e bëri për herë të parë Kosovën subjekt të të drejtave ndërkombëtare. Hashimi ishte një luftëtar, ishte një drejtues. Jam krenar që e kam pasur dhe do ta kem mik. Madje tani do ta kem mik më shumë”, deklaroi Majko.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



