E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
MAKIAVELI I DESTABILITETIT 
OP-ED

MAKIAVELI I DESTABILITETIT 

Nga Sonila MeçoPrej kur brigjet shqiptare u “pudrosën” nga gjysmë ton kokainë, propaganda e pushtetit u përfshi nga ethet për të “pudrosur” sa më shumë hapësirën publike, me rrezikun që po i kanoset vendit nga ndikimi rus. Për të ndihmuar kuptimin e thellë të këtij rreziku, media solli në vëmendje hetimin e FBI-së, ndaj lobuesit amerikan, Nick Muzin, i cili ka qenë i tillë edhe për shërbime konsulence ndaj Partisë Demokratike shqiptare dhe vetë kryetarit të saj. Hetimi (ende i pakonfirmuar zyrtarisht), synon zbardhjen e pagesave nga disa agjentë rusë për lobuesin amerikan, gjë që apriori u pranua si ndikim i Rusisë në politikën e brendshme shqiptare. Pra, përpos një vektori antiamerikan në politikën shqiptare, tashmë konspiracioni ka shkuar aq larg sa të vendosë protagonistë të jetës politike në vend, në mes të një komploti të madh me rusë e amerikanë, duke rrezikuar stabilitetin e vendit, e me gjasë të vetë rajonit.

Dhe nëse propaganda është mjeti i përdorur për të justifikuar qëllimin “e sinqertë”, për të zbuluar komplotin rus në politikën shqiptare, çfarë synimi në vetë politikën shqiptare e justifikon qëllimin në fjalë?

Le të nisemi nga kërcënimi i stabilitetit të vendit, qëllimi aq shumë i përmendur nga propaganda.

A kemi sot një ide të qartë, se si dhe sa financohen partitë politike në Shqipëri? Nëse është aluduar kaherë për përdorimin e parave të trafiqeve dhe krimit të organizuar për blerjen e votës, a nuk qe vetë media që na vuri në dispozicion pjesë nga dosja e famshme e Habilajve, ku aludohej për paratë e drogës në funksion të zgjedhjeve të fundit parlamentare? Për hir të stabilitetit të vendit, a nuk do qe logjike që, prokuroria të kishte nisur hetim edhe për këto aludime, siç bëri vrik me ato të medias, në lidhje me pagesat e agjentëve rusë ndaj lobuesë amerikanë për interesa të Partisë Demokratike? Nëse këtu jemi në konspiracion, a mund të cilësojmë të tilla shpenzimet marramendëse nëpër fushata, apo blerjet e votave të denoncuara edhe në media? A ka kërcënim më të dukshëm për stabilitetin e vendit se, hyrja e krimit të organizuar si sponsor i politikës, madje edhe aktor i saj në Parlament? Ndërkohë, prokuroria le të zbulojë komplotin rus për të financuar lobuesit e Bashës në Amerikë, megjithëse nuk dimë nëse dëmi që i bënë stabilitetit të vendit qe Çadra e Lirisë, ku u denoncuan me fakte kapja e shtetit nga oligarkë dhe shndërrimi i Shqipërisë në hambar të hashashit, apo foto e Bashës me Presidentin Trump (në rast se rusët kanë financuar të dy aktet).

Të vijojmë me kërcënimin e stabilitetit, si qëllimi i përmendur prej propagandës që buron prej ndikimit rus, tek opozita shqiptare:

Kryeministri me një shqetësim që e rimerr sa herë horizonti i brendshëm politik i tij nxin, na kujton rrezikun rus në destabilizimin e Ballkanit. Mjeti që thërritet në ndihmë është një foto e liderit demokrat me Presidentin Amerikan, që vetë kryeministri shqiptar e ka anatemuar fort gjatë fushatës si kandidat për president. Por edhe një kompani off shore që është financuar nga rusë, e ka paguar lobuesin amerikan për interesa të Partisë Demokratike. Kjo sipas propagandës qeveritare është shprehja më flagrante e një ndikimi konkret rus në politikën e brendshme, që do t’i jepte pushtet liderit demokrat për të penguar reformat e për rrjedhim avancimin e Shqipërisë drejt BE-së. Që Shqipëria ka ngecur në udhën e integrimit, këtë e thonë rekomandimet ende të paplotësuara në listën që Brukseli na vë rregullisht përpara. Skepticizmin e kanë shprehur vetë vendet, duke na kujtuar reformat e pambyllura, luftën ndaj krimit të organizuar, numrin e lartë të azilkërkuesve dhe emigrantëve, pa gjetur asnjë shqetësim konkret për tendencat pro ruse, në politikën e brendshme shqiptare. Përkundrazi, një vend më i avancuar se ne në agjendën europaine, Serbia, ka një politikë aktive të jashtme me lidhje të forta me Rusinë. Beogradi mban lidhje të qëndrueshme me Kremlinin, dy vendet lidhen nëpërmjet besimit Ortodoks dhe trashëgimisë sllave. Serbia ka një varësi të fortë ndaj naftës dhe gazit rus. Pra, që integrimi europian i Shqipërisë të jetë viktima e këtij ndikimi rus, bie, sepse aty ku rusët ndikojnë me investime, ofrim pajisjesh luftarake, lidhjet fetare e kulturore, Europa ngjan më afër. Serbia është vendi i përmendur në çdo raport të Komisionit Europian, si i pari për t’u aderuar në Familjen e Përbashkët Europiane. Stabilitetin në Ballkan mund ta kërcënojnë këto vende që identifikohen më lehtë me ndikimin real e konkret rus, ndërsa në Shqipëri, stabiliteti kërcënohet nga kapja e shtetit prej krimit të organizuar.

Por le të vijojmë arsyetimin, nëse është realisht ndikimi rus tek opozita shqiptare, faktori primar i destabilitetit në vend.

Monedha e përbashkët europiane po zhvlerësohet ndjeshëm në vend, duke arritur minimume historike ndaj lekut. Arsyet sipas ekspertëve, përfshijnë sasinë e madhe të euros në treg, uljen e qarkullimit të lekut si pasojë e rënies së konsumit e qarkullimit. Kjo fazë përkon me një ngritje të shpejtë të sektorit të ndërtimit, jo i financuar nga bankat. Nga buron kjo pará? Sa prej saj vjen nga aktivitete kriminale dhe trafikut të drogave? Nëse kapen gjysmë ton kokainë në port, sa kalon pa u vënë re dhe sa fitim prodhon? A ka kërcënim më të madh stabiliteti se, prania e pajustifikuar e monedhës së huaj cash, që qarkullon jashtë sistemit bankar, duke financuar sektorë të njohur për pastrimin e parave në vend? Dhe sa më i prekshëm është ky ndikim, se ai i një kompanie off shore, që aludohet se mund të jetë financuar nga disa rusë për të lobuar pro Partisë Demokratike në SHBA? Çfarë aktivitetesh të opozitës në funksion të destabilitetit të vendit, po financon kapitali rus, kur pushteti nuk arrin të shpjegojë dot paranë e pistë në qarkullim, sasinë e madhe të kokainës që qarkullon në vend dhe pasuritë e pajustifikuara në duart e tij? A ishte kanabisi problemi kryesor i kësaj qeverisjeje, që e lejoi të lulëzojë e kësisoj të sigurojë pará për kriminelët, që sot po i investojnë, duke shtrembëruar ekonominë, duke blerë vota, duke korruptuar zyrtarë pushteti? A ka destabilitet më konkret se ky, buruar në rastin më të mirë nga paaftësia e qeverisë për të luftuar kriminelët dhe në më të keqin, duke bashkëpunuar me ta?

Nëse destabiliteti i vendit është shqetësimi kryesor pas aludimit për rrezikun e ndikimit e kërcënimit rus, le të shohim ç’ndodh konkretisht në Shqipëri.

Gjatë muajit shkurt, sipas informacioneve zyrtare, policia shqiptare ka kapur 819 kg kanabis, 616 kg kokainë dhe 13,3 kilogramë heroinë. Ndërsa policia italiane ka mundur të sekuestrojë rreth 2 tonë kanabis, 7 kilogramë kokainë, 83 kilogramë heroinë të ardhur nga Shqipëria. Policia greke ka mundur të sekuestrojë,1071 kilogramë kanabis, të ardhur nga Shqipëria. A ka destabilitet më të madh për një vend, se këto statistika? Çfarë roli mund të luajë këtu opozita shqiptare nëpërmjet lidhjeve të saj me lobe ruse? Opozita dhe financuesit rus të lobuesve të saj, nxitën komisarë e policë në zinxhir të bëheshin rojtarë të plantacioneve me kanabis dhe trafikut të drogave në Shqipëri? Opozita dhe ndikimi rus në të, i pëshpëritën në vesh arratisjen atyre që duhej të siguronin rendin e qetësinë në vend? Opozita dhe rusët i emëruan këta komandantë e policë? Laurent Laniel, analist shkencor për reduktimin e ofertës së drogës, në Qendrën Europiane të Drogave dhe Varësisë nga Drogat (EMCDDA), me seli në Lisbonë, në një intervistë ekskluzive për një media shqiptare, do të theksonte: “Grupet kriminale që flasin shqip, po marrin drejtimin e shpërndarjes së narkotikëve në tregjet e BE-së, duke shqetësuar dukshëm Europën. Autoritetet europiane nuk e përjashtojnë mundësinë se grupet që veprojnë në Europë, të jenë të lidhur me ata në Shqipëri; madje, dyshimet janë se, bosët e krimit në Shqipëri, janë të mbrojtur dhe nuk i gjen gjë.” Kush e ofron mbrojtjen për ta, opozita? Drejtësia qenka nën ndikimin rus që nuk vepron? Po, a nuk qe Prokurorja e re e Përgjithshme e zgjedhura vetëm nga njëra “palë”, ajo e shumicës, që ka në dorë hetimet në këtë vend?

Ka edhe më për të vërtetuar se, stabiliteti i vendit dhe Ballkanit po kërcënohet konkretisht nga faktorë të brendshëm.

Në Strategjinë për Ballkanin të Komisionit Europian, publikuar në datën 6 shkurt të këtij viti, thuhet shprehimisht se: “Bashkimi Europian duhet të mbetet i besueshëm, i vendosur dhe i ndershëm në marrëdhëniet me Ballkanin, teksa duhet të mbështesë më mirë politikat transformuese në rajon”. Pra, politika e njohur e stabilitetit mbi demokracinë, nuk ka rezultuar e suksesshme, duke prodhuar edhe më shumë destabilitet, nëpërmjet demokracisë së munguar në vendet e rajonit. Nëse demokraci do të thotë zgjedhje të lira e të ndershme, sistem i pavarur i drejtësisë, parlament i fortë, shtet i së drejtës, luftë ndaj korrupsionit e krimit të organizuar, vetë rekordet e kësaj qeverie dëshmojnë se, stabiliteti që Brukseli kaq shumë e ka mbështetur në Ballkan, nuk ka prodhuar dot demokraci, kriterin bazë të integrimit. Stabilitokracia, si forma e zgjedhur nga Brukseli për të avancuar projektin Europian në Ballkan, paradoksalisht po prodhon më shumë destabilitet, vota u ble, hapësira politike u kriminalizua, pasuritë kombëtare u vendosën në duart e pak oligarkëve të lidhur me pushtetin. Syri i mbyllur i Brukselit, sot u ka hapur shqisat liderëve të rajonit për të arritur, nëpërmjet autoritarizmit, kapjen e shtetit. Por rekordet e Shqipërisë tejkalojnë çdo stil tjetër autoritarizmi në Ballkan, sepse sot Shqipëria njihet si Kolumbi Europiane. A ka destabilizim më të madh se ky?

Ndaj, qëllimi diabolik i pushtetit për të mbuluar skandalet e trafiqeve të drogës e kapjes së shtetit, me destabilitetin prej ndikimit rus tek opozita shqiptare, mund të justifikojë mjetin (propagandën e shfrenuar), por do t’i duhet edhe “diçka” për të justifikuar veten. Mesa duket, ndikimi rus nuk mjafton, e një Zot e di çfarë planeti do të thërritet në ndihmë për të justifikuar destabilitetin që prodhon vetë Makiaveli, me kufje në vesh!/AFP

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.