Mali i Zi /Arreston ish-kryeprokurori special, Millivoje Katniç

Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Malit të Zi, ish-kryeprokurori special, Millivoje Katniç, dhe ish-zyrtari i lartë i policisë, Zoran Llazoviç, u arrestuan mëngjesin e së dielës, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë Prokuroria Speciale e këtij vendi.

“Katniç dhe Llazoviç janë privuar nga liria për shkak të dyshimit se kanë kryer veprat penale të krijimit të organizatës kriminale dhe keqpërdorimit të pozitës zyrtare”, tha zëdhënësi i Prokurorisë Speciale, Vukas Radonjiç. Ai shtoi se arrestimet janë kryer në bashkëpunim me agjencinë evropiane të policisë, Europol.

“Bastisjet e banesave dhe objekteve të tyre në Podgoricë, Cetinë, Budvë dhe Bijello Pole janë duke vazhduar, për të gjetur gjurmë të veprës penale dhe gjëra që mund të jenë të dobishme për procedurën”, tha prokurori Radonjiç.

Ai, po ashtu, tha se Katniç dhe Llazoviç do të dërgohen në Prokurorinë Speciale për t’u marrë në pyetje brenda afatit ligjor. Zyrtarë të Qeverisë malazeze e mirëpritën lajmin për arrestimin e Katniqit dhe Llazoviçit.

Kryeministri Millojko Spajiç tha se veprimi i Prokurorisë Speciale dëshmon për “shkallën e infiltrimit të krimit të organizuar në institucionet e sistemit, të krijuar në kohën e ish-pushteteve”./REL

Publikuar nga Publik Media