E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
MARKETET MBETEN PA QUMËSHT TË FRESKËT
Uncategorized

MARKETET MBETEN PA QUMËSHT TË FRESKËT

AKSIONI I TATIMORËVE SJELL KAOS TE FURNIZIMI NGA FERMERËT

Publik.al | 17 Korrik 2025

Prej ditës së hënë, në shumë lagje të Tiranës mungon qumështi i freskët i fermerëve. Marketet e vogla janë përballur me ndërprerjen e furnizimeve pas nisjes së aksionit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve për formalizimin e tregtisë së produkteve blegtorale.

Në Astir, Fresk e “5 Maji”, mungesa është evidente. Tregtarët pohojnë për gazetarin se janë të paqartë mbi mënyrën si duhet të veprojnë me lëshimin e faturave për produktet e blera direkt nga fermerët. Ndërkohë, fermerët vetë thonë se, ndonëse janë të pajisur me NIPT, nuk po arrijnë të shesin produktet e tyre, pasi marketet refuzojnë të marrin mall pa dokumentacion të rregullt fiskal.

Sipas udhëzimit tatimor nr.16, datë 03.04.2020, çdo njësi tregtare që blen mall nga fermerë, duhet të lëshojë një autofaturë, edhe nëse fermeri ka NIPT apo jo. Ky detyrim bie mbi blerësin  në këtë rast marketi apo dyqani ushqimor  i cili duhet të ngarkojë në sistem faturën me të dhënat e shitësit, të firmosur gjithashtu nga fermeri.

Tatimet theksojnë se kjo masë ka për qëllim gjurmueshmërinë e produkteve për arsye sigurie ushqimore, si dhe rritjen e të ardhurave përmes formalizimit të tregtisë së produkteve bujqësore dhe blegtorale. Skema zbatohet njësoj si për tregtarët e vegjël, ashtu edhe për përpunuesit dhe grumbulluesit e mëdhenj.

Por në praktikë, mungesa e informacionit dhe burokracitë teknike po paralizojnë tregtinë. Fermerët janë lënë me produktin në dorë, ndërsa qytetarët pa qumësht të freskët. Tregtarët e vegjël, të pasigurt për mënyrën e formalizimit, zgjedhin të mos blejnë më.

Megjithatë, Tatimet nënvizojnë se aksioni nuk ka në fokus tregtarët ambulantë apo njësi të vogla, por pikësëpari grumbulluesit, baxhot dhe thertoret.

Nëse institucionet nuk ndërhyjnë me udhëzime praktike dhe zgjidhje të shpejta, ky aksion rrezikon të dëmtojë drejtpërdrejt fermerët, tregtarët e vegjël dhe konsumatorët. Formalizimi është i domosdoshëm, por pa një plan të zbatueshëm, rrezikon të shndërrohet në një bllokadë tjetër për zinxhirin e furnizimit me ushqim.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.