Marrja e Madhe
Naim Noka
Në fillim, si komb i vogël, duhet të kërkojmë ca marrina te vetja. Është marre që njëfarë ministri servil me emrin Ferit Hoxha, që ka marrë rrogë dhe dieta ambasadori prej 30 vitesh nëpër botë, të mos dilte me nja dy fjali për vendimin e turpshëm dhe antishqiptar të Gjykatës së Hagës për katër ish-krerët e UÇK-së. Edhe pse po foli “mbreti” i gjysmës së kombit, nuk ka nevojë për Feritin. Duhet t’u vijë marre shumicës që nuk miratuan në kuvend projekt-rezolutën e opozitës ku kërkohej dënimi i Gjenocidit serb në Kosovë.
Është marre që kryeministri, që mendon se gjithçka e vendos vetë në gjysmën tjetër të kombit, në Dardani, nuk gjeti kurrë gjuhën të paktën për një politikë dhe një qëndrim unifikues si komb në politikën e jashtëme me një platformë unifikuese dhe afatgjatë.
Është marre që “mbreti” ynë ka mbledhur një ‘ton me pleshta’ dhe krekoset me benevreke e atlete të bardha, herë ulur në gjunjë e herë hapadollapa me interesaxhinjtë e kurvit të Europës.
A nuk është marre që “lideri ynë global”, Rama, në katër mandate e ka dobësuar gjysmën e kombit, duke e katandisur në një nga vendet më të varfra në Europë; një vend me një popullsi të plakur, konsumatore e rëndomtë e miellit serb , që atje e përdorin për gjënë e gjallë, ndërsa shqiptarët e përdorin për të mbushur barkun me bukë?
A nuk është marre që mbreti ynë sillet si “Koçi nëpër kancelaritë e Europës”, gjoja për integrimin e Shqipërisë në BE? Shqipërinë e raskapitur nga korrupsioni, që e sundojnë 15 oligarkë dumbadumbë dhe që ushqehen me fondet e buxhetit të shtetit dhe favoret e copave që kanë mbetur nga grabitja.
Si mund të kërkosh drejtësi për vëllezërit e Albinit në Hagë , kur në vatrën tënde ke këtë sistem drejtësie të ububushëm? A nuk është vërtet marre të kesh mijëra dosje stok në Gjykatën e Apelit për qytetarët e tu prej dhjetëra vitesh dhe akoma të merresh me rrogat e gjyqtarëve?!
Është marre të kërkosh të hysh e të sillesh si europian, ndërkohë që në fakt nuk je gjë tjetër veçse një feudal KÇK. Kap ç’të kapësh nga llokmat për vete, shokët, Ergys Yeffet-in dhe RON Agasi-n.
Marrja këtu te ne është kaq normale sa buka me miellin serb që hamë ne, gjysma e kombit. Marre është që “Ballkani i Hapur” e ka naftën shumë më të lirë se ne. Marre është se Arjeta Puca importon ca makina turke, i lyen me bojë, u vë targa dhe emrin “Shota”, pastaj i përdor ushtria jonë për të na mbrojtur.
Marre është që mbi 13 miliardë euro janë bërë rrush e kumbulla dhe sot, përveç kullave në Tiranë e betonit në bregdet, nuk ka një vepër të saktë si në Europë ose kanë mbetur rrugëve, ose janë pa vlerë.
Nuk ka marre më të madhe që ky vend i bukur të jetë kaq i pistë, i djegur nga zjarret dhe me male plehrash që groposen në Sharrë. Nuk ka marre më të madhe se një kryeministri t’i kenë mbaruar edhe të paaftët për të drejtuar institucionet.
A nuk është marre që opozita e Sali Berishës tani pa “non grata”, nuk e di se po protestohet prej tre muajsh pa ndërprerje në shesh? Se erdhën zgjedhjet vendore? Dhe se duhet ta ndajë mendjen: ose të bashkohet me protestuesit, ose të presë shkrirjen dhe kapitullimin përballë Ron Yeffet-it?
Dënimi i Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit nga Gjykata e Hagës duhet të bëjë me marre edhe Albin Kurtin dhe klasën politike në Kosovë. Edhe pse bëjnë zgjedhje europiane, ndryshe nga ne që i vjedhim dhe i shesim votat njëri-tjetrit, në Prishtinë bëjnë hile anadollake në konsolidimit e institucioneve.
Albini duhet ta dijë fort mirë se Kosova nuk mund të ekzistojë pa Shqipërinë, ashtu si edhe Shqipëria, në botën gjeopolitike ku jemi futur, nuk bën dot pa Kosovën.
Është marre e madhe që dy kryeministrat e dy gjysmave të kombit, njëri i bie thumbit në Prishtinë dhe tjetri i bie patkoit në Tiranë. Para se të ketë marre Europa, duhet të na vijë marre neve nga vetja jonë, për sa mbrapa kemi ngelur.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



