E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Mashtrimet duket sikur nuk kanë fund
Publik News

Mashtrimet duket sikur nuk kanë fund

Situata e epidemisë ka arritur kulmin me mbi 1,000 raste të diagnostikuar çdo ditë. Situata reale në fakt duhet të jetë shumë më keq se kaq:

Objektivisht, fakti që numri i rasteve që testojnë pozitiv është mbi 25% flet për nevojën për të kryer më shumë testime, ku potencialisht do të ketë edhe më shumë persona të diagnostikuar.

Subjektivisht, ministria vazhdon të raportojë shifra që nuk përputhen me realitetin. P.sh. nëse Drejtoria e Shëndetit Publik të një qyteti raportonte mbi 100 raste pozitive në një nga ditët e para të shkurtit, raportimi i MSH të nesërmen fliste për më pak se 50. Këto mospërputhje ndodhin shpesh duke prekur herë një drejtori dhe herë një tjetër!

Për shkak të paaftësisë ose në mënyrë të qëllimshme (ose të dy këta faktorë), ministria nuk i ka sqaruar asnjëherë parimet e survejancës, pra mbi çfarë bazash dhe përkufizimesh raporton rastet, shtrimet në spital dhe vdekjet! Denoncimet nuk kanë munguar por asnjë hetim nuk është zhvilluar, lëre të jetë çuar deri në fund!

Në kushte pandemie rastet dhe vdekjet nuk raportohet për kuriozitet shkencor! Ato janë të lidhura ngusht me komunikimin e riskut dhe komunikimi i gjysmës së rasteve apo vdekjeve nënkupton dhënien e mesazheve në dukje “qetësuese”, por në thelb dizinformuese!

Mesazhet “qetësuese” atëherë kur duhet të jenë paralajmëruese ndikojnë në mosmarrjen e masave nga qytetarët, në përshpejtimin e përhapjes së epidemisë dhe në rritjen e numrit të infektimeve dhe vdekjeve.

Nëse provohet (dhe është relativisht e lehtë të hetohet), fshehja e numrit të rasteve do të ishte papërgjegjshmëri e strukturave të ministrisë dhe komitetit, implikimet e së cilës nuk janë thjesht profesionale dhe etike, por hyjnë në sferën e shkeljeve me natyrë ligjore.

Uroj që mospërputhjet e raportimeve ditore të jenë lapsuse dhe të jenë korrigjuar në ditët në vijim (pra të bëhet fjalë thjesht për paaftësi).

Përndryshe, do të ndodheshim në kushtet e një skandali nga më të mëdhenjtë që kanë ndodhur gjatë pandemisë.

Koha do ta provojë…

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.