Mbappe zgjidhet lojtari më i mirë francez
Sulmuesi i Paris Saint-Germainit, Kylian Mbappe, është zgjedhur lojtari më i mirë francez përgjatë vitit 2018, përderisa në dy vitet paraprake kishin qenë N’Golo Kante dhe Antoine Griezmann.
Mbappe e fitoi këtë çmim pasi arriti të shkëlqejë me Kombëtaren e Francës gjatë turneut të Kupës së Botës, kur i shënoi katër gola. Një nga këto gola erdhi edhe në finalen kundër Kroacisë, kur Mbappe u bë lojtari më i ri që shënoi gol në finale të Botërorit që nga Pele, transmeton Gazeta Express.
Për më tepër, ai ishte treguar mjaft i suksesshëm edhe me klubin e tij, PSG-në, me të cilët arriti ta fitojë tripletën vendore në Francë, përkundër që dështuan në rrugëtimin në Ligën e Kampionëve.
Edhe pse vetëm 20-vjeçar, Mbappe i radhit i katërti në garën për ta fituar Topin e Artë këtë vit, duke e lënë pas vetes yllin argjentinas të Barcelonës, Lionel Messin. Ai gjithashtu u shpërblye me çmimin për lojtarin më të mirë të ri në Botëror, dhe me Kopa Trophy.
Paraqitjet e Mbappes gjatë këtij viti kanë qenë aq mbresëlënëse saqë ai e ka justifikuar çmimin e madh prej 180 milionë eurosh që pagoi PSG-ja për ta transferuar atë nga Monaco. Për të kanë shprehur interesim disa nga klubet më të mëdha të Evropës, si Real Madridi.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



