Mbeturinat shqiptare pushtuan Dubrovnikun, Kroacia drejt padisë
Një sasi e madhe mbeturinash, të cilat sipas autoriteteve lokale vijnë kryesisht nga Shqipëria, ka mbushur bregdetin e Dubrovnikut javën e kaluar, duke shkaktuar shqetësim të madh në qytetin turistik kroat. Dy nga vendet më të vizituara, Plazhi i Banjës dhe Qyteti i Vjetër, u përmbytën nga plastika, metalet dhe mbetjet mjekësore, të cilat u pastruan pas 2-3 ditësh punë intensive.
Në mbledhjen e fundit të këshillit bashkiak të Dubrovnikut, këshilltarja dhe avokatja Viktorija Knežević diskutoi mundësinë e padisë ndaj Shqipërisë për shkak të mbeturinave. Ajo theksoi se, sipas Konventës së Barcelonës, të gjitha vendet mesdhetare, përfshirë Shqipërinë, duhet të marrin masa për të zvogëluar sasinë e mbeturinave që përfundojnë në det.

“Shqipëria është në procesin e negociatave për anëtarësim në BE, gjë që i jep Kroacisë një mjet të fuqishëm për të kërkuar rezultate konkrete në mbrojtjen e Adriatikut,” tha Knežević. Ajo theksoi gjithashtu se vetëm rreth 20% e mbeturinave janë të dukshme në plazh, ndërsa pjesa tjetër fundoset në shtratin e detit, duke dëmtuar ekosistemin, peshkatarët, turizmin dhe shëndetin detar.
Knežević përmendi edhe shembuj ndërkombëtarë ku bashkëpunimi mes vendeve ka dhënë rezultate, si Deti Baltik dhe lumi Rajna, ku masat e koordinuara reduktuan ndotjen në mënyrë drastike. Ajo shtoi se me përdorimin e instrumenteve ndërkombëtare të mbrojtjes mjedisore, problemet mund të zgjidhen edhe në Adriatik.

Problemi i mbeturinave në Dubrovnik nuk është i ri. Rrymat e forta jugore në Adriatik kanë sjellë për vite me radhë mbeturina nga Shqipëria, duke shkaktuar herë pas here dëme edhe te kafshët detare. Plastikat janë një shqetësim i veçantë për qytetin me 42,000 banorë dhe mbi 4.5 milionë netqëndrime turistike në vit. Qyteti ka marrë masa për reduktimin e plastikës që nga viti 2020, por fenomeni vazhdon.
Ndërkohë, Kroacia vijon dialogun me Shqipërinë dhe ka ofruar edhe ndihmë financiare për menaxhimin e mbeturinave, duke theksuar se pjesa më e madhe e tyre fundoset dhe mbetet në shtratin e detit, ndërsa vetëm ajo që pluskon shihet nga qytetarët.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



