Mbi Dinjitetin
Në dy a tre kapituj tek “Vëllezërit Karamazov” përshkruhet një skenë mbresëlënëse për dinjitetin njerëzor. Konteksti i ngjarjes është ky:
Vëllai i madh Karamazov përplaset në një pijeore me një kapiten të rënë nga vakti, një njeri i mirë, gjithçka pozitive e të cilit i takonte të kaluarës.
Në parantezë, kapiteni jetonte tashmë në varfëri të plotë, bashkë me nënën, gruan dhe motrën, të treja të sëmura në shtëpi dhe kishte vetëm një djalë, Iljushën, 10 vjeç, që shkonte në shkollë. Dëshpërimi dhe hallet e çonn përditë në pijetore duke ia humbur pak nga pak dinjitetin dhe kthyer në një objekt talljeje.
Ndërkohë Dmitri Karamazov ishte fisnik rus, çifligar me prona e me reputacion në banorët e zonës.
Përplasja e Dmitrit me kapitenit ndodh pikërisht në pijetore. Kapiteni i dehur fyen Karamazovin krenar dhe ky e kap për mjekre (kapiteni kishte një mjekër si shparcë) dhe tenton ta godasë. Në këto momente, afër pijetores mbërrin Iljushka, biri 10 vjeçar i kapitenit bashkë me shokët e tij që e ngacmonin vazhdimisht për cilësitë e babait ndër të cilat edhe mjekra si shparcë…
Vogëlushi i gjorë shkon me vrap, bie në gjunjë përpara Karamazovit dhe me lot në sy e me përgjërim i lutet ta falë të atin. Skena është e ekzagjeruar (siç ndodh zakonisht në romanet e Dostojevskit) vogëlushi i puth duart agresorit.
Dmitri i kërkon mundësinë e një dueli dhe largohet…
Kapiteni i turpëruar publikisht në sytë e të birit dhe mocanikëve të tij djallëzorë ndjehet keq. Me kalimin e orëve gjendja e keqe kalon te vogëlushi i cili shpërthen në të qara duke mbledhur grushtat e vegjël e premtur vetes për hakmarrje kur të rritet.
Ngjarja bën bujë në provincë dhe mbërrin në veshin e të fejuarës së Dmitrit, Katerina Ivanovnës. Ajo e shqetësuar shumë për sjelljen e të fejuarit, dhe në dijeni të varfërisë së skajshme të kapitenit, i lutet vëllait të vogël të Dmitrit, Aljoshës, të shkojë në emër të saj ë t’i dhurojë 200 rubla si shenjë solidariteti mes dy të fyerve (Katerina i kërkoi Aljoshës që t’i shpjegonte kapitenit që edhe ajo ishte fyer në vazhdimësi nga Dmitri ndaj e kupton shumë mirë gjendjen ku ai ndodhet).
200 rubla të asaj kohe ishin një pasuri e tërë. Aljosha shkon dhe takon mjekërshparcën në pijetore.
Pasi i shpjegon me durim dëshirën e Katerinës për të kërkuar ndjesë duke I dhënë 200 rublat, sytë e kapitenit varfanjak lëngëzohen, zëri i dridhet nga gëzimi dhe lëshohet në një monolog ëndërrimtar për hallet që do të zgjidhte me kaq para! Nënokja do të dërgohej në spital e me gjasë do shërohej, disa riparime shtëpisë do të bënin që ajo të mos pikonte, një kurë e rekomanduar nga mjeku për Iljoshkën do mund të blihej… I sulet Aljoshës dhe e përqafon, gjithë qenia e tij buronte mirënjohje dhe gëzim, kjo ishte një bujari e sjellë nga vetë Zoti i madh, vetëm ai i dinte hallet e tij! I sheh kartmonedhat, i prek me ëndje, u merr erë…
Aljosha është i mrekulluar nga ndjesia që merr, mirënjohja e kapitenit.
Kur, papritmas, kapitenit i kujtohet diçka… Dostojevski e përshkruan këtë ndryshim të gjendjes me një fuqi artistike të jashtëzakonshme!
Fytyra i bëhet akull, duart i dridhen, sytë i bëhen armiqësorë si të një bishe! I merr 200 rublat, i rrudh në grusht, i hedh në tokë dhe i shkel me këmbë! I përdhos me majën e këmbës duke i shoqëruar me fjalët:
“Ja për çfarë më duhen paratë tuaja të qelbura, unë i përçmoj ato”!
Ky ndryshim përcillet me habi por edhe me njëfarë mirëkuptimi nga Aljosha.
Pas kësaj skene sureale, Aljosha takon mikeshën e vet dhe ia shpjegon fije e për pe ngjarjen.
“Çfarë do bësh tani”?- e pyet mikesha
“Do ia jap nesër. Me siguri ai do i pranojë” –përgjigjet Aljosha.
“Nga të vjen kjo siguri ty? A nuk ishte i njëjti që i refuzoi me forcë e fyerje”- vazhdoi mikesha
“Po. Por kjo ishte sot. Kapiteni i ngratë donte shumë t’i merrte ato para. Mirëpo ai gaboi, u gëzua shumë faqe meje. Gjithë shpërthimi i tij mirënjohës, gëzimi fëmijënor iu kthye në boomerang. Pastaj u fye akoma më shumë kur i thashë: “Nëse nuk u mjaftonin kaq para do u sjell të tjera”.
Në fund u ballafaqua në fund me lotët hakmarrës të Iljushkës, djalit 10 vjeçar, që shtrëngonte grushtet e njomë dhe betohej se kur të rritej do të merrte hak për babain e poshtëruar. Ky ishte bash moment kur ai I hodhi rublat përtokë dhe I shkeli me këmbë! I duhej t’I krenohej të birit, qysh atë moment po e mendoja çastin kur do i mburrej të birit sesi e kishte përbuzur lëmoshën e fyesit!
“Për njeriun me sedër është e rëndë që ta shikojë tjetrin si mirëbërësin e vet. Ndaj ai u revoltua”.
Sonte natën, pasi ai të jetë mburrur faqe botës për dinjitetin dhe burrërinë e treguar, në krevat, do të pendohet. Do i vijnë në mendje hallet e mëdha që do kishte zgjidhur me ato para. Do thoshte me vete “Ja, i gjithë dinjiteti dhe krenaria mori fund pas këtyre tregimeve heroike. Tani duhet të përballem me hallete frikshme”. Do të rrotullohet gjithë natën në krevat i penduar për shansin e humbur. Ai kurrë nuk do të mendojë që shansi i humbur do të përsëritet.
Prandaj, kur unë t’i shkoj sërish nesër dhe t’ia ofroj mundësinë nuk do mendohet dy herë. Ai e bëri të veten, e refuzoj ofertën bujare, tregoi dinjitetin dhe nderin fisnik me refuzimin. Tani ishte i lirë t’i merrte paratë…
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



