Mbi hipotezën e krijimit të një Partie të Re
Duke qenë se jam përballur shpesh me pyetjen se çfarë mendoj mbi hipotezën e krijimit të një Partie të Re, e kam të pashmangshme mos t’i shkruaj dy fjalë, brenda kufijve të mendimit tim modest.
Përvoja ime në partitë politike apo në struktura partiake nuk është në nivel të tillë që mund të merret si reference për të dale në një përfundim të saktë. Nuk kam qenë ndonjëherë në mbledhje partie apo nuk kam bërë ndonjëherë fushatën e ndonjë force partiake, që të njoh terrenin apo elektoratin, për të kuptuar mekanizmin e funksionimit të partive.
E bëra gjithë këtë hyrje, për të nënvizuar faktin se ky mendim, është thjesht një analizë nga ajo që unë kam vëzhguar dhe jam përpjekur të kuptoj gjatë një periudhe të caktuar kohore.
Shqiptarët kanë të gjithë të drejtën e botës të ndihen të papërfaqësuar dhe të zhgënjyer. Nuk kanë kaluar pak, por kanë kaluar 3 dekada. Para 3 dekadash dëgjonim prindërit tanë që na thonin- Ky vend do bëhet për ju. Tragjikja është se tanimë kjo fjali rrënqethëse po kalon nga brezi në brez. Ata që dikur ishin fëmijë u rritën dhe u bënë prindër dhe të njëjtën fjali që dikur e dëgjonin si fëmijë, po ua shqiptojnë fëmijëve të tyre si prindër. Pra, bilanci është tragjik.
E kam nënvizuar dhe e rinënvizoj shpesh se fakti që nuk ndamë siç duhet me të shkuarën është zanafilla e kësaj katrahure ku jetojmë. Në rast se nuk gjykohet dhe nuk dënohet e shkuara, ajo shndërrohet pashmangshmërisht në të ardhme. Dhe kështu ndodhi. Jetuam vazhdimësinë e së shkuarës duke qenë se nuk e bëmë divorcin siç duhet me të. Jetuam postdiktaturën dhe jo demokracinë.
Dhe për t’u rikthyer tek thelbi i këtij artikulli- Si e imagjinoj unë Partinë e re?
Në imagjinatën time, Partia e Re është një grup specialistësh ose teknicienësh me përvojë në fushat përkatëse, ku i dorëzohen çelësat e Ministrisë së Arsimit një individi që ka prodhuar diçka trunore në këtë fushë dhe i thuhet- Kjo është këmbana jote.Duhet ta tundësh ti. Është hapësira jote. Je ti zot i kësaj hapësire dhe e përzgjedh ti stafin me të cilin do realizosh reformën në arsim. Stafi nuk të imponohet nga lista e partisë, e cila zakonisht përmban individë, me të cilët jo vetëm nuk mund të zbatosh reforma, por as nuk mundesh të ngresh një bisedë të thjeshtë rutine, pasi të bezdis shterpësia që kanë në mendim.
Besoj se këtë Parti të Re, do ta donin të gjithë shqiptarët e ndershëm. Kjo e thënë në teori është shumë e bukur, por lind pyetja- Sa e realizueshme është në nivelin praktik, në kushtet dhe në gjendjen ku jemi?!
Me keqardhje pohoj atë që kam pohuar gjithnjë- Nga skaji i së keqes nuk mund të shkosh brenda ditës tek skaji i së mires. Asnjë vend i Evropës nuk është bërë brenda një dite apo akoma më keq brenda një mandati. I është dashur shumë sakrificë e shumë punë për të arritur standardet ku janë. Pra, nga përvoja e historisë botërore rezulton se e keqja nuk shndërrohet në të mire sa hap e mbyll sytë. Duhet para së gjithash moral. Dhe gjej rastin për të ripërsëritur fjalët e të fjeturit Atjon Xhiti, ku me të drejtë ka pohuar- Shqipërisë para së gjithash i duhet një kryengritje morale.
Nuk ka ecur kurrë asgjë para përmes vesit. Vesi pjell vesin. Bixhozin e vesit e provuam për 3 dekada mbi kurriz dhe ja ku përfunduam.
Aktualisht në Shqipëri ka forca apo lëvizje të caktuara që synojnë të shndërrohen në Parti Politike nën parrullën e një Shqipërie ndryshe.
Personalisht, do ta kisha shumë të vështirë të besoja në moralin e deputetëve që qëndruan në parlament dhe nuk dogjën mandatin. Që në krye të herës kam besuar se mandati i padjegur ishte thjesht një akt pabesie, nga i cili nuk mund të pritej asgjë e mirë. Kushdo që nuk dogji mandatin, në optikën time, është thjesht një shtojcë e mërzitshme dhe e zhurmshme e Ramës.
Në një artikull të mëparshëm kam nënvizuar faktin se koha kur do të shfaqet Partia e Re, tregon qartë misionin e kësaj të fundit, në është për të rrëzuar sistemin apo për t’i shërbyer një segmenti të këtij të fundit.
Hamendësoj që themelimi i një Partie të Re, kërkon kohë. Kërkon kohë për themelimin e strukturave, paraqitjes në media, hartimin e programeve e kështu me radhë, pasi po flasim për një Parti të Re, që hipotetikisht do rrëzojë dy partitë tradicionale në këtë vend.
Dhe rrëzimi i dy partive tradicionale në këtë vend, kërkon shumë kohë dhe mund bashkë.
Jemi në gusht të vitit 2020. Vitin tjetër zhvillohen zgjedhjet. Deri tani nuk kam parë asnjë veprim konkret apo kundërshti konkrete të lëvizjeve të reja kundër qeverisjes së Edi Ramës.
Kur them veprim konkret, nënkuptoj një denoncim konkret, një protestë konkrete, që këto lëvizje të mund të njihen në opinionin publik si shpresa për një Shqipëri Ndryshe.
Ishte çështja e hapjes së listave e cila u shoqërua paradoksalisht me heshtjen për ndryshimet kushtetuese.
Pra, me pak fjalë këto lëvizje të reja që synojnë të kthehen në Partinë e Re, për një Shqipëri ndryshe, i shoh veçse në rrjete sociale.
Nga rrjeti social të pretendosh të shkosh në parlament më duket paksa utopi, për sa kohë aktiviteti i lëvizjes së re duhet ta sfidojë aktivitetin e Opozitës jashtë Parlamentit në luftën kundër Ramës.
Pra, Partia e Re duhet ta sfidojë Opozitën në procesin e denoncimeve kundër Ramës.
Kush bën më shumë dhe më mire opozitë kundër Ramës, meriton besimin dhe votën e popullit.
Shkurt gara është në opozitën që i bëhet Ramës, pasi që të vijë Partia e Re, për të shpëtuar Shqipërinë, duhet plotësuar një parakusht- Largimi i Ramës.
Kam përshtypjen se lëvizjet që synojnë të kthehen në Parti shpesh ngatërrojnë kreun e Opozitës me kreun e Pozitës.
Faktet me kokëfortësinë e tyre tregojnë që Opozita më e forte që i është bërë Ramës deri tani rrjedh nga opozita jashtë parlamentit – me lënien e mandateve, organizimin e protestave, shfaqjen e përgjimeve ku dukej qartë blerja dhe shitja e votës, dekriminalizimin ku rezultoi se në parlament kishim trafikantë, përdhunues, vrasës etj.
E thënë shkurt- Mekanizmi opozitar më i fortë aktualisht kundër Ramës është Opozita Jashtë Parlamentit.
Duke qenë mekanizmi më i fortë opozitar është njëkohësisht edhe mekanizmi që ka mundësi më të mëdha për të mundësuar rrotacionin.
3 mandate janë shumë për një udhëheqës që është sjellë normalisht me popullin e tij. Kur flasim për një udhëheqës që në fjalor nuk e ka fjalën “ normalitet”, atëherë mandati e i tretë kthehet në vetëvrasje kombëtare.
Post Scriptum- Unë nuk mendoj se me rrotacionin politik do të shkojmë tek e mira e përbashkët. Aspak. Mendoj se do të ulet shkalla e së keqes. Sa do të ulet kjo shkallë? Këtë nuk e di.
Përgjigjen do ta jape përbërja e listës së deputetëve.
Elona Caslli
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



