E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Mbyllim TikTok-un, sepse e kemi  NocRrokun!
Lajme

Mbyllim TikTok-un, sepse e kemi NocRrokun!

Albert Mero

Nëse mendoni se TikTok-u po e prish rininë, po e deformon kulturën dhe po e çon shoqërinë në greminë, mos u shqetësoni më! Edi Rama dhe qeveria e tij kanë gjetur zgjidhjen përfundimtare: NocRroku, platforma revolucionare që do të zgjidhë çdo problem që shqiptarët kanë – që nga energjia elektrike e deri tek martesa e komshiut.

Çfarë është platforma NocRroku?

NocRroku është aplikacioni më i ri qeveritar, i krijuar me një buxhet të madh të AKSHI  dhe pritshmëri edhe më të mëdha. Çdo qytetar mund të futet, të dërgojë ankesën e tij dhe… të presë një përgjigje që mund të mos vijë kurrë! Po, por është i yni, shqiptar dhe – më e rëndësishmja – nuk është TikTok!

Në vend që rinia të humbasë kohë duke parë sfida pa kuptim në TikTok, ata tani mund të humbin kohë duke bërë ankesa të pafundme në NocRrok.

Si funksionon platforma ‘NocRroku’?

1.Hapni aplikacionin dhe regjistrohuni me ID tuaj – sepse sigurisht, qeveria duhet të dijë gjithçka për ju.

2.Shkruani problemin tuaj. P.sh., “Nuk kam drita prej tre ditësh” ose “Pallati po më shembet.”

3.Klikoni butonin “Çoje lart”, që praktikisht do të thotë “Dergoje në asgjë.”

4.Prisni. Prisni. Prisni.

Mos harroni: për çdo ankesë, mund të merrni një përgjigje automatike si “Po shqyrtohet nga autoritetet përkatëse” ose “Do të rikthehemi brenda 10 ditëve të punës.”

Pse duhet të mbyllim TikTok-un?

Sipas qeverisë, TikTok-u:

•Promovon përmbajtje të pavlerë (si këngë e sfida të kota).

•Shpenzon kohë që mund të përdorej për diçka më produktive (si postimi i komenteve patriotike në Facebook-un e kryeministrit).

•Dhe më e keqja, TikTok-u nuk i jep të dhënat tona qeverisë, ndërsa NocRroku e bën këtë me krenari kombëtare!

Avantazhet e NocRrokut mbi TikTok-un

•Transparencë e plotë: E dini që asnjë problem nuk do të zgjidhet, kështu që nuk keni pse të keni pritshmëri.

•Kreativitet shqiptar: Në vend të sfidave të TikTok-ut, mund të sfidoni veten duke shkruar ankesa gjithnjë e më absurde.

•Humor qeveritar: Sa herë që ju thonë “Po merret në shqyrtim,” mund të qeshni me idenë që dikush vërtet po e shqyrton.

Nëse NocRroku funksionon, atëherë asnjë shqiptar nuk ka më nevojë për rrjete sociale të huaja. Kemi tonat, të bëra me dashuri nga një qeveri që i di të gjitha… por nuk zgjidh asgjë. Dhe për ata që ankohen se rinia nuk po sheh përmbajtje edukative, po ju themi: çfarë mund të jetë më edukative se pritja e pafund për të zgjidhur një problem banal?

Pra, harrojeni TikTok-un. Futuni te NocRroku dhe bëni atë që bëjmë më mirë si shqiptarë: ankohuni pa fund. Kjo është inovacioni që na premtoi kryeministri!

Shkruaj NocRrok dhe rregullo Shqipërinë! Vetëm mos prisni shumë, sepse edhe problemet kanë afatin e tyre në kalendarin qeveritar… të përjetshëm!

P.s ideja Ylli Manjani

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.