E hënë, 19 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Mbyllja e strukturave paralele në veri, reagim i BE dhe USA: Qeveria e Kosovës po na shpërfill, nuk janë koordinuar me ne
Lajme

Mbyllja e strukturave paralele në veri, reagim i BE dhe USA: Qeveria e Kosovës po na shpërfill, nuk janë koordinuar me ne

Pesë objekte të strukturave paralele serbe në komunat në veri janë mbyllur të premten, pas një aksioni të Policisë së Kosovës. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermani, Franca, Britania e Madhe e shtete të tjera janë shprehur të shqetësuara e zhgënjyera nga ky aksion.

BE Kosove

Edhe Bashkimi Evropian ka thënë se është “i zhgënjyer nga mungesa e vazhdueshme e koordinimit”. Në reagimin e BE-së thuhet se operacioni i Policisë “i zhvilluar me udhëzime të Qeverisë së Kosovës rrezikon situatën e brishtë të sigurisë në terren”.

Në reagimin e tij thuhet se operacioni i Policisë mund të çojë në përshkallëzim të mëtejshëm të situatës.

“EULEX-i menjëherë është vendosur atje për të monitoruar zhvillimin e këtij operacioni, i cili nuk ishte i koordinuar me BE-në dhe partnerët ndërkombëtarë”, thuhet në reagimin e BE-së.

BE-ja ka theksuar se Kosova “është zotuar për depërshkallëzim”.

“BE-ja vazhdimisht i ka bërë thirrje Kosovës që të shmangë çdo veprim që mund të ndikojë negativisht në sigurinë e njerëzve në terren. Fatkeqësisht thirrjet tona janë shpërfillur nga Qeveria e Kosovës”, ka thënë Bashkimi Evropian.

BE-ja ka thënë se pret që çështjet e hapura Kosova dhe Serbia t’i adresojnë në dialog.

“Zyrat e mbështetura nga Serbia janë paraparë të adresohen dhe zgjidhen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, thuhet në reagim.

Kurti në “luftë” me amerikanët, O’Brien: Boll

Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën, Jim O’Brien i quajti “të pakoordinuara dhe provokuese” veprimet e qeverisë së Kosovës.

Albin Kurti ka provokuar një tjetër konflikt me amerikanët, pas aksionit për mbylljen e komunave serbe në Veri. Pas ambasadës së SHBA në Kosovë, ka ardhur një reagim shumë i ashpër edhe nga Uashingtoni.

Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën, Jim O’Brien i quajti “të pakoordinuara dhe provokuese” veprimet e qeverisë së Kosovës.

“Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara nga veprimet e vazhdueshme të pakoordinuara dhe provokuese të Qeverisë së Kosovës”, shprehet zoti O’Brien në një postim në platformën X, duke i bërë jehonë një deklarate të mëparshme të Ambasadës amerikane në Prishtinë.

“Shtetet e Bashkuara i bëjnë thirrje Kryeministrit Kurti dhe qeverisë së tij që të konsultohen me komunitetin ndërkombëtar dhe të ndërpresin veprimet e pabashkërenduara që ndikojnë negativisht në partneritetin tonë. Ne vlerësojmë punën e atyre, përfshirë EULEX-in dhe KFOR-in, që parandalojnë dhunën dhe bëjmë thirrje për vetëpërmbajtje të vazhdueshme nga të gjitha palët”, tha O’Brien.

Më herët të premten ambasada amerikane në Prishtinë tha se operacioni i autoriteteve të Kosovës për mbylljen e komunave paralele serbe në veri të vendit, nuk ishte i koordinuar dhe vazhdimi i veprimeve të tilla paraqet përkeqësim real të raporteve mes dy vendeve.

Qeveria e Shteteve të Bashkuara përsërit shqetësimin dhe zhgënjimin e saj me veprimet e vazhdueshme të pabashkërenduara të qeverisë së Kosovës që vazhdojnë të kenë një ndikim të drejtpërdrejtë dhe negativ ndaj pjesëtarëve të komunitetit etnik serb dhe komuniteteve të tjera pakicë në Kosovë”, tha ambasada.

Autoritetet mbyllën të premten komunat paralele serbe në veri, në një veprim që ka të ngjarë të nxisë tensione të reja. Policia e Kosovës, tha se operacioni në katër komunat në veri të vendit u zhvillua për të ndërprerë veprimtaritë në pesë objekte të cilat janë shfrytëzuar në cilësi të komunave ilegale, e të cilat janë në kundërshtim me rendin juridik kushtetues.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.