McAllister flet për dialogun Prishtinë-Beograd: Albin Kurtit ia bëmë të qartë se…

Gjatë një konference vjetore në Firence “State of the Union”, ku mori pjesë edhe kryeministri Edi Rama, ai tha se BE duhet të mbajë premtimet.
Pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama se Turqia ka rol stabilizues për sigurinë e Bashkimit Evropian, Zëvendës/Presidenti i Parlamentit Evropian, njëherësh kryetar i Komisionit të Punëve të Jashtme, David McAllister thekson se Ankaraja duhet të shohë përgjegjësitë e veta sa i përket tensionit që ka shkaktuar në Mesdhe.
“Dua të flas për përgjegjësinë e BE. Duhet të funksionojmë në mënyrë efikase si komunitet, pa standarde të dyfishta brenda dhe jashtë BE. Sundimi i ligjit, solidariteti, etj, janë themelet mbi të cilat është bazuar fuqia e BE. Vonesat e bëra nga vetë vendet e BE ulin kredibilitetin. Këtu përmend liberalizimin e vizave për Kosovën, por edhe integrimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Ne duhet të mbajmë premtimet tona. Shpresoj që këtë mandat të bëjmë çeljen e negociatave për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”, u shpreh eurodeputeti.
Gjithashtu, ai thotë se shteti turk është distancuar gjithnjë e më shumë nga standardet e Bashkimit Evropian.
“Por marrëdhëniet BE-Turqi kanë kaluar një fazë shumë të vështirë dhe fatkeqësisht ka ndodhur kjo gjë. Ne duhet të gjejmë drejtpeshimin ndërmjet bashkëpunimit të drejtpërdrejt. Turqia për shumë vite ka ndjekur një distancim gjithnjë në rritje nga standardet e BE. Por ka ndjekur një politikë të jashtme konfrontuese dhe armiqësore. Turqia duhet të kuptojë fajin e vet për këto tensione kaq të mëdha që kemi parë në Mesdhe. Pavarësisht kësaj ne kemi shtrirë dorën si BE. Topi tashmë është në anën e Presidentit Erdogan, por ne na duhet të kemi një vëzhgim real. Janë veprat ato që flasim dhe jo fjalët. Për momentin gjërat janë të ngrira. Do të jetë Erdogan që do ju përgjigjet pyetjeve dhe jo ne,” tha ai.
Teksa theksoi se Turqia nuk ka ndikim në vendin tonë, Rama nuk hezitoi të ndante edhe një batutë me të pranishmit. Rama tha se optimistët mendojnë se Turqia do të bëhet anëtare në presidencë shqiptare dhe pesimistët besojnë se Shqipëria do të bëhet anëtare kur të ketë presidencën Turqia.
“Me të gjithë atë që po përjetojmë ka një shaka, është e freskët për optimizmin në Shqipëria. Eurooptimistët thonë se Turqia do të bëhet anëtare në presidencë shqiptare dhe europesimistët që Shqipëria do të bëhet anëtare kur të ketë presidencën Turqia,” theksoi kreu i qeverisë.
Gjithashtu, ai pranoi se Shqipëria nuk është gati për të qenë pjesë e BE, megjithatë shton se është e pakuptimtë zvarritja e këtij procesi. Ai e ka cilësuar si skizofrenike dhe të pakuptimtë, sipas tij shtimin e kushteve nga ana e BE për Shqipërinë, ndërsa e quan si “shto ujë e shto miell”.
“Unë mendoj se anëtarësimi është një fjalë e madhe dhe nëse do të më pyesnin sot a është Shqipëria gati për të qenë pjesë e BE unë do të thoja jo. Nuk jemi gati. Por ajo që nuk kuptoj është shtyrja e fillimit të punës reale për negociatat pasi është marrë vendimi në vitin 2018 për ti çelur këto negociata. Kjo është puna reale për të cilën ka nevojë vendi. Kur bëhet fjala për të pranuar apo jo një vend anëtar të ri pikë së pari kjo do të kërkojë kohë. Së dyti miqtë tanë evropianë mund të mbështeten te modeli turk dhe të thonë jo prisni se ne akoma nuk jemi gati. Pra ti mbash vendet në këtë lloj pozicioni, në këtë rast Shqipëria, duke u thënë jo dhe ne e dimë mirë pse thonë, dhe duke shtuar ujë e miell duhet të bëni këtë edhe këtë tjetrën kjo nuk ka kuptim dhe duket mjaft skizofrenike. Kjo e Maqedonisë dhe hapja e kësaj kutie pandore, sepse një vend tjetër ka disa probleme historike kjo mund të shndërrohet në një shpërthim të madh për të gjithë. Duhet të shmangim ta vënë historinë në mes të BE,” tha Rama.
Ai u ndal edhe tek dialogu Prishtinë-Beograd, duke theksuar se përfaqësuesit e lartë të BE ia kanë bërë të qartë kryeministrit Albin Kurti se dialogu është e vetmja mënyrë për të ecur përpara.
“Sa i përket çështjes së Kosovës, Kurti ka qenë këtu, është takuar me përfaqësuesit e lartë të BE, dhe ne ja bëmë shumë të qartë që dialogu është e vetmja mënyrë për të ecur përpara dhe shpresojmë që dialogu të vijojë me një takim të nivelit të lartë mes Vuçiç e Kurtit. Sa i përket çështjes së politikës së jashtme, ne do të kemi një konferencë shumë të rëndësishme për të ardhmen e BE dhe uroj shumë që ajo të na sjellë disa ide të reja. Psh. çfarë duhet të bëjmë ne që të bëhemi më të fortë, më efikas, në lidhje me politikën e jashtme, politikën e sigurisë, tregtinë, etj. Është shumë e rëndësishme që të tregojmë rolin tonë në botë. Së pari, na duhet një strategji e përbashkët; së dyti, të jemi shumë të bashkuar; së treti, të gërshetojmë elementet e fortë. Ky gërshetim i politikës së jashtme ka të bëjë pikërisht me fuqizimin e kësaj politike. Ky aspekt gjeopolitik i BE do të vihet në zbatim tërësisht”, tha ai.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



