Me maskën kundër gazit, Skënder Hita zbarkon në terren
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, është parë pranë godinës së Kryeministrisë, në një prej momenteve më të tensionuara të protestës në Tiranë. I pajisur me maskë kundër gazit, ai është shfaqur mes efektivëve që po përballen me demonstruesit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Pamjet nga vendngjarja tregojnë Hitën duke lëvizur në zonën përreth Kryeministrisë, ndërsa punonjës të tjerë të policisë që e shoqërojnë janë të pajisur me mjete mbrojtëse. Prania e drejtuesit më të lartë të uniformave blu vjen në një moment kur situata në kryeqytet vijon të jetë e rënduar dhe ndërhyrjet policore janë shtrirë në disa pjesë të zonës.
Përplasjet janë zhvilluar përgjatë bulevardit, në afërsi të Piramidës dhe në rrugët anësore, ku forcat e rendit kanë ndërhyrë për të larguar protestuesit. Gjatë operacionit janë shoqëruar me forcë disa persona, ndërsa tensionet mes dy palëve kanë vijuar.
Në terren, policia ka përdorur gaz lotsjellës dhe ujë me presion, ndërsa nga ana e protestuesve janë hedhur gurë, kokteje Molotov dhe sende të tjera drejt efektivëve. Tymi dhe gazi kanë mbuluar pjesë të bulevardit, duke vështirësuar situatën për personat që ndodheshin në zonë.
Dalja e Skënder Hitës në terren, me maskë kundër gazit, vjen pak kohë pas konferencës për mediat, ku ai bëri publike të dhënat mbi pasojat e protestave dhe masat e ndërmarra nga policia.
Sipas shifrave të raportuara prej tij, 167 persona janë arrestuar, 388 të tjerë janë proceduar penalisht, ndërsa 132 punonjës policie kanë mbetur të lënduar gjatë zhvillimeve të fundit. Hita njoftoi gjithashtu pezullimin e shtatë efektivëve, të dyshuar për tejkalim të kompetencave gjatë ndërhyrjeve.
Ndërsa përplasjet vazhdojnë, prania e kreut të Policisë së Shtetit pranë Kryeministrisë shënon një tjetër moment të tensionuar të protestës, e cila është shoqëruar me përdorim të mjeteve të forta nga të dyja palët dhe me ndërhyrje të përsëritura të forcave të rendit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



