Mediat e Beogradit jehonë rrëzimit të rezolutës për gjenocidin serb
Media serbe Danas, i ka kushtuar vëmendje të veçante ndodhive në Kuvendin e Shqipërisë, pasi të enjten ka refuzuar kërkesën e Partisë Demokratike për miratimin e një rezolute që do të dënonte gjenocidin e Serbisë ndaj shqiptarëve në Kosovë. Votimi për këtë propozim nuk është bërë publik në detaje, por iniciativa është rrëzuar.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kritikuar ashpër këtë vendim, duke thënë se Shqipëria duhej të miratonte menjëherë rezolutën që vinte nga Prishtina. Ai theksoi se gjatë viteve 1998–1999 forcat serbe kryen masakra ndaj popullsisë së pambrojtur dhe mohim i këtyre ngjarjeve, sipas tij, është mungesë e ndërgjegjes njerëzore dhe kombëtare. Danas citon gjithashtu Berishën që akuzon Partinë Socialiste dhe kryeministrin Edi Rama si “shërbëtorë të interesave serbe”.
Nga ana tjetër, ministri i Mbrojtjes, Piro Vengu, i cili u përgjigj në debatin parlamentar, ka thënë se “askush nuk mund të japë leksione për patriotizmin kur bëhet fjalë për Kosovën” dhe ka kujtuar se Rama “ka kërkuar publikisht në Beograd njohjen e Kosovës”. Danas shton më tej se Vengu ka bërë thirrje për unitet kombëtar dhe ka theksuar bashkëpunimin strategjik midis Shqipërisë dhe Kosovës.
Ndërsa deputeti i opozitës, Erald Kapri, ka kritikuar qeverinë për mungesë koherence në marrëdhëniet me Kosovën dhe ka kërkuar që kjo çështje të trajtohet me seriozitet dhe jo për retorikë politike.
Në debatin parlamentar është përmendur edhe roli i kryeministrit Edi Rama si “avokat i Kosovës” në arenën ndërkombëtare, sipas socialistit Ulsi Manja, i cili, ka deklaruar se deputetët e Partisë Socialiste do të marrin pjesë në marshimin protestues në Tiranë në shenjë mbështetje për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, por si qytetarë, jo si politikanë.
Danas raporton se Kuvendi i Shqipërisë ka refuzuar edhe kërkesën e opozitës për debat mbi programin katërvjeçar qeverisës, me 73 vota kundër shumicës.
Në këtë debat, sipas Danas, është rikthyer tema e Kosovës, ku Sali Berisha përsëriti akuzat ndaj kryeministrit Rama. Deputeti tjetër i PD-së, Tomor Alizoti, ka shprehur pakënaqësi për mungesën e një qëndrimi të qartë ndaj Kosovës në programin qeverisës dhe mungesën e referencës për rezolutën mbi gjenocidin.
Nga ana tjetër, deputeti socialist Ardit Bido, ka thënë se në debat janë përdorur akuza ndaj UÇK-së që as Serbia nuk i ka shprehur, duke i atribuar këto deklarata deputetit tjetër opozitar, Tritan Shehu.
Lideri i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ka njoftuar se do t’i bashkohet marshimit protestues në mbështetje të UÇK-së “si qytetar dhe jo si politikan”. Ndërsa kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka konfirmuar se kryeministri Rama nuk do të marrë pjesë në këtë tubim për të mos politizuar ngjarjen.
Media serbe shkruan më tej se Tirana po përgatitet për një protestë masive më 17 tetor në shenjë solidariteti për ish-liderët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë. Kjo protestë, e organizuar nga Shoqata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ku media serbe thekson se ka shkaktuar tensione politike midis kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe Lëvizjes Vetëvendosje në Kosovë.
Institucionet kosovare, përfshirë presidenten Vjosa Osmani, kanë shprehur mbështetje për këtë tubim. Nga ana tjetër, Vetëvendosje i ka kontestuar Ramës organizimin e protestës, duke e akuzuar për mbështetje të mëparshme ndaj Gjykatës Speciale, ndërsa Rama i është përgjigjur me keqardhje për përzierjen e çështjeve institucionale me zgjedhjet lokale.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



