Mesazhi i ambasadorit të BE-së:Është urgjent që procesi i Vettingut të përfundojë
Ambasadori i BE në Tiranë, Luigi Soreca, dha mesazhe të forta për Reformën në Drejtësi, në konferencën me temë “Roli i Institucioneve Vetëqeverisëse të Drejtësisë”.Ambasadori i BE-së, Luigi Soreca ka theksuar se ka disa dosje të rëndësishme, që sipas tij, duhen trajtuar, edhe me mbështetjen e qeverisë.
Në konferencën me temë “Roli i Institucioneve Vetëqeverisëse të Drejtësisë”, diplomati i lartë i BE-së u shpreh se vettingu duhet të vazhdojë dhe të përfundojë sa më shpejt, duke shtuar se Reforma në Drejtësi duhet të jetë e pakthyeshme.
“Reforma ishte thelbësore për Shqipërinë dhe po jep rezultatet e para. SPAK ka çuar në gjykatë ish-kreun e Gjykatës Kushtetuese dhe po heton 23 të tjerë.
Reforma në Drejtësi duhet të përfundojë dhe institucionet e reja duhet të tregojnë lidership. Ka disa dosje të rëndësishme që duhen trajtuar. Qeveria ka detyrën t’ju mbështesë. Është urgjent që procesi i Vettingut të përfundojë sa më shpejt, por duke ruajtur integritetin e procesit. Kjo do të dojë zgjatje të mandatit të anëtarëve të KPK dhe komisionerëve. Reforma duhet të jetë e pakthyeshme.
Vetingu të vazhdojë, por duhet zgjatja e afatit të organeve të Vettingut, Por Kuvendi duhet ta konsultojë me të gjithë aktorët. Konsolidimi i Reformës në Drejtësi duhet të jetë kryefjalë.
Reforma në Drejtësi po sjell rezultate konkrete, të cilat ishin të paimagjinueshme, për shembull 23 procedime penale ndaj ish-gjyqtarëve të shkarkuar nga Vetingu, përfshirë ish gjyqtarë të Gjykatës së Larte dhe asaj Kushtetuese. Reforma në Drejtësi është dhe do të mbetet prioritet kyç për BE. Deri më tani janë investuar 55 milionë euro për Reformën”, tha ambasadori Soreca.
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka folur per reformën në drejtësi dhe luftën kundër pandëshkueshmërisë.
Gjatë fjalës së tij, në konferencën me titull “Roli i Institucioneve Vetëqeverisëse të Drejtësisë”, Manja ka theksuar se reforma në drejtësi po jep frytet e para dhe qeveria është e angazhuar ta dërgojë përpara këtë reforme.
Ai nënvizoi më tej, se do të miratohet harta e re gjyqësore si dhe do të rritet numri i pranimit në shkollën e magjistraturës, si e vetmja rrugë për plotësimin e vakancave.
“Shteti i së drejtës ishte i kapur peng nga korrupsioni. Vettingu filtroi dhe nxori nga sistemi një numër të lartë gjyqtarësh dhe prokurorësh. Reforma ishte e nevojshme dhe po jep rezultate. Ndërsa tani, le të flasim për rezultate konkrete, sepse sistemi i mëparshëm i drejtësisë promovonte padrejtësinë dhe modelin e pandëshkueshmërisë. Reforma në Drejtësi po jep rezultate dhe qeveria e re është e vendosur ta çojë përpara. Vetingu tregoi se sa i nevojshëm ishte. Reforma po jep frytet, ajo është një model unik në vendet e rajonit.
Vetingu u certifikua edhe nga Gjykata e Strasburgut. Do miratojmë hartën e re gjyqësore dhe do të rrisim numrin e pranimit në shkollën e magjistraturës si e vetmja rrugë për plotësimin e vakancave”, tha Manja.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



