Ministrja habitet sesi 55% e shqiptarëve nuk e mbyllin dot muajn
Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, shprehu habi ndaj deklaratave se 55% e shqiptarëve nuk mbyllin dot muajin, duke e cilësuar këtë shifër si të paqartë dhe jo të mbështetur nga burime zyrtare si INSTAT, Banka e Shqipërisë apo Banka Botërore.
Sipas ministres, bëhet fjalë për departamente “imagjinare statistikorë” të opozitës që punojnë më shumë me ndjesi sesa me të dhëna konkrete.
Ibrahimaj theksoi se, pavarësisht rritjes së çmimeve, pagat kanë shënuar një ritëm më të lartë rritjeje, ndërsa inflacioni është mbajtur në nivele të ulëta krahasuar me rajonin. Ajo përmendi gjithashtu se paga minimale është dyfishuar në pesë vitet e fundit, konsumi dhe kursimet janë rritur, ndërsa shërbimet publike si arsimi, energjia dhe transporti publik janë ruajtur në nivelin aktual ose janë përmirësuar.
Ministrja theksoi edhe masat për biznesin e vogël dhe tatimet për individët, duke nënvizuar se politikat e reja fiskale kanë lehtësuar ngarkesën financiare për shumicën e shqiptarëve. Sipas Ibrahimajt, qeveria synon të rrisë gradualisht pagat minimale dhe mesatare, duke ndjekur parimin që ata që fitojnë më pak, paguajnë më pak.
Sipas ministres, fakti dhe rezultatet ekonomike flasin më shumë se deklaratat e pavërteta, dhe prioritet mbetet përmirësimi i kushteve ekonomike për qytetarët.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



