Mirel Mërtiri doli në media për të përfituar nga drejtësia austriake/ Nga Agaçi te Veliaj, Mirel Mërtiri tenton të lajë veten dhe arkitektët e inceneratorëve nga llumi ku janë zhytur!
Ashtu sikundër pritej, një prej kokave të aferës së inceneratorëve ka dalë sot në media duke tentuar të nxjerrë veten të larë nga ky skandal. Bëhet fjalë për Mirel Mërtirin, arkitektin kryesor të tre inceneratorëve që gllabëruan miliona e miliona euro.
Ai foli nga arratia te “Syri TV”, i njohur tashmë si televizioni i familjes Berisha, ku gjatë gjithë intervistës në asnjë moment nuk pranoi asnjë akuzë të ngritur ndaj tij. Gjatë gjithë intervistës, Mirel Mërtiri akuzoi SPAK se është kjo prokurori që ka stisur dosjen.
Sipas tij ka qenë Klodian Braho që ka manipuluar gjithçka. Pra zotëria në fjalë vetë nuk ka bërë asnjë shkelje, por SPAK paska faturuar dokumente për të goditur këtë individ. Po ashtu ai nxori dhe qeverinë të larë, duke bërë fajtor SPAK.
“Është një dosje e bërë në mënyrë fiktive dhe jokorrekte. Provat janë vendosur ashtu siç ka dashur prokurori i SPAK-ut me qëllim që të godisnin familjen time dhe mua për arsye ndoshta personale të dikujt tjetër që nuk ishte në dosje, apo për arsye personale dhe politike të dikujt tjetër që kallëzoi që kjo dosje të ishte në SPAK”, tha Mërtiri.
I pyetur direkt se ku kanë shkuar paratë e inceneratorëve, Mërtiri tha se janë investuar më shumë sa kontrata.
‘Më bëre një pyetje që kërkon gjashtë përgjigje.
Impianti i përpunimit të mbetjeve në Elbasan, nga shoqëria janë investuar 22.6 milionë euro. Këto i gjen nga ekspertë vlerësues të SPAK.
Kalojmë te impianti i përpunimit të mbetjeve në Fier. Ka një raport vlerësimi tekniko-ekonomik, i kërkuar gjatë gjykimit të çështjes, ku thuhet: në impiantin e përpunimit të mbetjeve në Fier, vlera sipas kontratës në euro 32 milionë euro. Vlera sipas realizimit në euro, 35 milionë euro. Më tepër investime të kryera sesa lekë të marra,’ tha Mërtiri.
I pyetur për inceneratorin e Tiranës, Mërtiri tha: ‘Ne po flasim për çështje që janë në hetim. SPAK më akuzon jo si pronar, por si pronar de facto të inceneratorit të Tiranës. A e dini ju se në legjislacionin shqiptar, çfarë është fjala pronar de facto?’
I pyetur se kush e ka firmosur kontratën e tij si përfaqësues i kompanisë Geogenix, ai refuzoi të përgjigjej me emra konkretë.
‘Nuk do përmendim emra sonte, por më duket se ju po e kërkoni sot me ngulm. Unë nuk dal dot nga vetja,’ tha Mërtiri.
“Të jetosh në Shqipëri, patjetër që do kesh marrëdhënie me politikanë shqiptare sepse është jeta specifike, sepse jemi njerëz, jemi qenie njerëzore. Zoti Këlliçi, ju po i filloni bisedën me emra të përveçëm, gjë që të cilën unë nuk kam për ta bërë sonte. Nuk flas me emra të përveçëm për një arsye. Nuk është korrekte kur ka hetime të caktuara, të devijuara, nga SPAK kundër familjarëve të mi, nuk mund të ndodhë. Po ju jap përgjigje tani për zotin Agaçi, as nuk e njoh, as nuk e kam takuar dhe as nuk e di se çfarë bën në jetën e tij”, tha Mërtiri në “Syri TV”.
Por ai nuk është i vetmi. Një emër tjetër që Mërtiri tentoi të nxjerrë të larë është Erion Veliaj. Ai refuzoi t’u përgjigjet pyetje për njohje me Veliajn. Ai pranoi se disa firmave që po ndërtojnë kulla, ka qenë ai që i ka përjashtuar nga tarifa për dherat duke nxjerr të larë bashkinë.
“A mund të mbani fjalën. Sepse kjo që po bëni ju nuk është korrekte të bësh naivin. Unë nuk bëj pyetje mbi pyetje dhe nuk flas për emra konkretë. Nëse doni të flisni me kryetarin e Bashkisë thirreni në komisione. A e ndjek dhe e ke takuar? More përgjigje për kopshtin që tani kërkon këtë përgjigje?”, tha ai.
Gjatë gjithë kohës, Mirel Mërtiri tentoi të tregojë se nuk është ai pronari i inceneratorëve. Sipas tij, ai është pronar i firmës që e ndërtoi për 6 apo 7 vite.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



