Misteri i pranisë së vëllait të kryeministrit Olsi Rama në Korfuz
Ambasadorët amerikanë takim në jahtin luksoz
Olsi Rama shfaqet në jahtin luksoz të ambasadorit amerikan në Itali, në pritjen në Korfuz
Një video e dërguar në redaksinë e “Piranjat News” ka sjellë pamje nga një pritje e zhvilluar në Korfuz, në bordin e një jahti luksoz, ku mes të pranishmëve shfaqet edhe Olsi Rama, vëllai i kryeministrit Edi Rama.
Sipas informacionit të publikuar nga “Piranjat News”, pritja është zhvilluar me rastin e Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, më 4 korrik, në jahtin që pretendohet se është në pronësi të ambasadorit amerikan në Itali, Tilman J. Fertitta.
Në video shfaqet organizatori grek i eventeve dhe menaxheri i marrëdhënieve me publikun, George Davlas, i cili filmon veten dhe ambientet e jahtit, ndërsa tregon se ndodhet në Korfuz.
“Jemi këtu në Korfuz, në jahtin e mrekullueshëm të ambasadorit amerikan të Italisë, së bashku me ambasadoren amerikane në Greqi, Kimberly Guilfoyle”, shprehet Davlas në video.

Ai thotë gjithashtu se në pritje janë ftuar disa miq nga Korfuzi dhe falënderon Guilfoyle për mundësinë që, sipas tij, i është dhënë për të sjellë disa prej tyre në aktivitet.
“Falënderoj Kimberly-n për nderin që më dha, duke më mundësuar të ftoj disa miq këtu nga Korfuzi”, dëgjohet të thotë Davlas.
Mes personave që shfaqen në pamjet nga jahti është edhe Olsi Rama. Prania e tij ngre pikëpyetje mbi statusin me të cilin ka marrë pjesë në këtë pritje dhe se përmes kujt është ftuar.
Nga informacionet e bëra publike deri tani nuk rezulton e qartë natyra e marrëdhënieve të Olsi Ramës me organizatorët apo të ftuarit e tjerë të pritjes.
Pamjet dokumentojnë praninë e tij në ambientet e jahtit, por, në mungesë të informacioneve të tjera, nuk mund të nxirren përfundime mbi arsyen apo karakterin e pjesëmarrjes së tij./Piranjat
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



