E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Mua më duhet plaçka ! Ju tani, gjeni piratët e aftë
Lajme

Mua më duhet plaçka ! Ju tani, gjeni piratët e aftë

Arsyeja e vërtetë pse u  largimit të ministrave të Financave dhe Mbrojtjes

Në fund të qershorit, të ardhurat e buxhetit u rritën me 230 milionë euro krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Konsolidimi fiskal po fiton momentum, dhe borxhi publik pritet të ulet nën 58% të Prodhimit Kombëtar në fund të këtij viti. Në këto kushte, buxheti arriti të financojë dy raundet e rritjes së pagave në sektorin publik pa presione të shtuara mbi financat e shtetit. Ministria e Financave nuk rezulton të jetë përfshirë në ndonjë skandal të madh korruptiv, duke ngjallur pyetjen: pse u largua ministri i Financave?

I njëjti arsyetim vlen edhe për ndryshimet në Ministrinë e Mbrojtjes. Publikisht, nuk dihet që Niko Peleshi të jetë përfshirë në ndonjë skandal korruptiv gjatë detyrës së tij si ministër i Mbrojtjes. Sikletet e tij, që pak kohë më parë e çuan në derën e SPAK, datojnë nga koha kur drejtonte Bashkinë e Korçës dhe lidhen tangent me inceneratorët. Por siç është bërë e qartë tashmë, inceneratorët ishin një punë në grup. Për punët që bëhen në skuadër, kryeministri nuk lëshon njeri.

Atëherë cili është motivi i largimit të dy ministrave, të cilët në drejtim të korrupsionit ishin ndër anëtarët e qeverisë që i sillnin më pak kosto politike kryeministrit apo maxhorancës? Përgjigja është paradoksale. Peleshi dhe Mete u larguan pikërisht sepse patën frikë të zhyteshin në korrupsion, ose më saktë, të firmosnin ato që kryeministri i quan punë në skuadër.

Kur dikush pengon skuadrën të japë me koncesion sistemin kombëtar të pagesave, të zgjasë kontratën e markimit apo tjetërsimin e pronave të ushtrisë, ai del jashtë skuadre. Për të mos përsëritur problemin, zëvendësuesit duhet të kenë dhënë prova që nuk pengojnë. Pirro Vëngu sapo mbylli një kontratë të fshehtë 12 milionë euro me negocim të drejtpërdrejtë në Autoritetin Portual. Tashmë, ai promovohet për të zhbllokuar ngërçin e privatizimit të pronave të ushtrisë, të cilat Peleshi kishte frikë t’i firmoste. Petrit Malaj shkon nga AKBN për të çliruar projektet problematike që Ervin Mete nuk i firmoste.

Ndërsa qytetarët do të ngopen këto ditë me analizat politike që sqarojnë motivet e ndryshimeve në qeveri, arsyeja është fare e thjeshtë: çeta formohet sipas qëllimit. Edward Teach, kryepirati më famëkeq në historinë e njerëzimit, sa herë që vendoste të plaçkiste ndonjë qytet të madh dhe i duheshin më shumë njerëz, kishte vetëm një urdhër për zëvendësit e tij: “Mua më duhet plaçka. Ju tani, gjeni piratët e aftë për të plaçkitur.” Nga Mjekërziu tek Mjekërbardhi, ndryshon vetëm ngjyra e mjekrrës, por filozofia mbetet e njëjtë.

Në këtë kontekst, largimet dhe emërimet e fundit tregojnë se Edi Rama kërkon individë të gatshëm për të ndjekur pa kushte direktivat e tij, pa pyetje dhe pa frikë. Në një qeveri ku “skuadra” është gjithçka, ata që nuk zhyten mjaftueshëm thellë në ujërat e trazuara të korrupsionit, janë të parët që largohen.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.