Ndarja nga jeta e Gerti Bogdanit, reagon bashkëshortja e ish-deputetit, Edlira Çepani
Edlira Çepani, bashkëshortja e ish-deputetit të Partisë Demokratike, Gerti Bogdani, i cili u nda nga jeta në mënyrë të papritur, ka reguar për humbjen e të shoqit.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Çepani ka njoftuar se homazhet dhe ceremonia e lamtumirës në ndër të ish-deputetit do bëhen ditën e nesërme dt. 19 Shtator 2024, në Sallën e Seancave Plenare të Parlamentit të Shqipërisë, nga ora 10:00 deri në 12:00.
Ndër të tjera, ajo njofton se ceremonia e varrimit do të bëhet më pas në varrezat e Sharrës.
“Me hidhërim të thellë, njoftojmë humbjen e parakohshme të babait, bashkëshortit, djalit, vëllait Gerti Bogdani. Njoftojmë se homazhet dhe ceremonia e lamtumirës, do bëhen ditën e nesërme dt. 19 Shtator 2024, në Sallën e Seancave Plenare të Parlamentit të Shqipërisë, nga ora 10:00 deri në 12:00 dhe varrimi do të bëhet më pas në varrezat e Sharrës”, shkruan ajo.
Kujtojmë që ish-deputeti i PD-së u nda papritur nga jeta mesditën e sotme (18 shtator) dhe dyshohet për shkak të një arresti kardiak.
Bogdani po pinte kafe me miqtë e tij në një hotel në Tiranë kur ka shfaqur probleme shëndetësore. Ai u ka thënë se kishte vështirësi me frymëmarrjen dhe është larguar për në tualet.
Por, sipas burimeve për Panorama.al, kur Gerti Bogdani nuk është kthyer në tavolinë, miqtë e tij janë shqetësuar dhe kanë shkuar në tualet. Ata kanë hapur derën me forcë dhe e kanë gjetur të shtrirë në tokë pa ndjenja.
Më pas, është njoftuar ambulanca dhe ish-deputeti u dërgua në spitalin e QSUT ku mori ndihmën mjekësore, por nuk arriti që të mbijetojë.
Ndarja nga jeta e ish deputetit të Partisë Demokratike, Gerti Bogdani, ka prekur të gjithë miqtë, familjen, të afërmit, bashkëpunëtorët, bashkëmoshatarët, tërë klasën politike dhe personalitete të vendit, të cilët kanë reaguar me dhimbje për ikjen e parakohshme të njeriut të tyre të dashur, kolegut të nderuar dhe politikanit ndryshe, që me shembullin e tij la gjurmë në memorien e gjithsecilit që e njohu.
Ngjarja e kobshme dhe shokuese ndodhi në ambientet e hotel Rogner, ku ish deputeti demokrat ndodhej për një konferencë, ku dhe pësoi arrestin kardiak, i cili i mori jetën.
Në selinë qendrore të Partisë Demokratike edhe ne degët në rrethe, në nderim dhe kujtim të ish-deputetit Gerti Bogdani, do të ulen flamuj në gjysmë shtizë.
Ceremonia e homazheve do të mbahet tek parlamenti nga ora 10-12:00, ndërsa varrimi i të ndjerit do të bëhet në orën 12:00.
Po kush ishte ish-deputeti i PD, Gerti Bogdani?
Gerti Bogdani ishte 44 vjeç.
Bogdani lindi më 7 korrik 1980 në Tiranë, mbaroi shkollën e mesme “Harry Fultz”, me rezultate të shkëlqyera dhe ‘Medalje Ari’, vijoi studimet e larta në Universitetin Politeknik të Neë York-ut, ku diplomohet me ‘Nderimet më të Larta’ (Summa Cum Laude), duke u shpallur edhe fitues i Outstanding Graduate Aëard – ‘Medalje Ari’.
Ai është themelues dhe drejtues i Rrjetit të Studentëve Shqiptarë në Botë.
Karrierën politike e fillon në vitin 2007, kohë kur kandidoi me Partinë Demokratike për Kryetar të Njësisë Bashkiake nr. 10 Tiranë, garë të cilën e fiton.
Gjatë kësaj kohe vazhdon edhe aktivitetin si zëdhënës politik i PD. Në vitin 2009, Gerti Bogdani, kandidon në Zgjedhjet Parlamentare të 28 qershorit 2009, dhe zgjidhet deputeti më i ri në Kuvendin e Shqipërisë. Nga viti 2009 e në vijim, ai vazhdon aktivitetin e tij si Kryetar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike.
Në vitin 2011 ai zgjidhet zv/president i “Bashkimit Ndërkombëtar të të Rinjve Demokratë” (International Young Democrat Union – IYDU) e më pas, në janar të vitit 2012, nën/Kryetar. Në shtator 2015 zgjidhet Kryetar i IYDU, ne Kongresin e zhvilluar në Lisbonë të Portugalisë, duke u bërë kështu politikani i parë shqiptar që mban një post kaq të lartë në një organizatë ndërkombëtare.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



