Neda thyen heshtjen dhe konfirmon ndarjen nga vëllai i Ballukut
Neda Balluku ka folur për herë të parë publikisht për situatën e saj familjare, duke zbuluar se ndodhet në proces divorci me bashkëshortin Ogren Balluku, pas rreth një dekade martesë. Rrëfimi emocionues erdhi gjatë intervistës së saj në emisionin “Goca dhe Gra”.
E pyetur për arsyet që e çuan drejt këtij vendimi të vështirë, Neda u shpreh se mbi gjithçka ka menduar për mirëqenien e fëmijëve:
“Çdo fëmijë ka të drejtë të rritet në një ambient të shëndetshëm, me qetësi dhe prindër që kanë marrëdhënie të mira mes tyre. Para fëmijëve mendoj se asnjë nënë nuk e vë veten,” tha ajo.
Neda dhe Ogreni u njohën para publikut shqiptar në edicionin e katërt të Big Brother, histori dashurie që më pas u kurorëzua në martesë. Çifti ka tre fëmijë së bashku.
Gjatë bisedës, autorja e programit “Për’puthen” tregoi se ky vendim nuk ka ardhur menjëherë, por pas një periudhe të gjatë reflektimi:
“Asnjë vendim për fëmijët dhe familjen nuk merret me impuls. Duhen vite për të menduar, për të kuptuar dhe për të zgjedhur çfarë është më e mira për ta.”
Ajo shtoi se raporti me partnerin prej kohësh nuk ka qenë më i shëndetshëm dhe se pikërisht kjo e ka shtyrë drejt një kapitulli të ri në jetën e saj personale.
Neda pranoi se kthimi i saj në ekran me këtë temë delikate nuk ka qenë i lehtë:
“Më vjen keq që erdha për këtë arsye, këtë ftesë e kam marrë që në tetor… por ja ku jam sot,” u shpreh ajo.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



