Nëna që qan çdo ditë te dera e Bashkisë dhe askush s’e dëgjo
Igli Çelmeta
Një nënë e moshuar me lot në sy endet çdo ditë te dera e Bashkisë Vlorë, por askush nuk e pret! Bashkia është kthyer në një mur arrogance dhe përçmimi.
Në vend që të jetë dera e parë e shpresës për qytetarët, Bashkia e Vlorës është kthyer në një fortesë arrogance dhe përçmimi. Prej muajsh të tërë, qytetarët nuk mund të afrohen dot për të zgjidhur hallet dhe vuajtjet e tyre. Dyert e bashkisë janë të hapura vetëm për të pushtetshmit, ndërsa njerëzit e thjeshtë përplasen përditë në një mur heshtjeje dhe fyerjesh.
Punonjësit e bashkisë që paguhen nga taksat e këtyre qytetarëve sillen me një arrogancë të turpshme. Ata jo vetëm që nuk japin ndihmë, por shpesh ofendojnë dhe shajnë ata që guxojnë të kërkojnë ndihmë. Akoma më keq, vetë kryetari i Bashkisë, që duhej të ishte në shërbim të popullit, ka zgjedhur të fshihet pas zyrave luksoze, duke u bërë simbol i mospërfilljes.
Që prej katër muajsh, asnjë qytetar nuk është pritur. Asnjë përgjigje. Asnjë zgjidhje. Asnjë shenjë njerëzore. Vetëm arrogancë dhe shpërfillje.
Shikoni këtë nënë të moshuar që endet çdo ditë tek dera e bashkisë me shpresën se dikush do ta dëgjojë. Çdo ditë largohet me lot në sy, e poshtëruar dhe e zhgënjyer. A është kjo fytyra e një bashkie? A është ky shërbimi që meriton një qytet me histori si Vlora?
Ky është një turp i madh institucional. Bashkia e Vlorës ka harruar misionin e saj, të jetë pranë njerëzve. Por me këtë sjellje, po i largon njerëzit nga shpresa, nga shteti, nga dinjiteti.
Dhe përgjegjësinë kryesore e mban kryetari i bashkisë, i cili duhet të japë llogari për këtë katrahurë morale dhe institucionale!
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



