Nga dhunimi te shantazhi me foto intime, zbardhet skema e fierakeve
Zhvillime të reja kanë dalë në pah nga hetimet për ngjarjen e rëndë në Fier, ku një 17-vjeçare dyshohet se është dhunuar në grup, ndërsa pista hetimore është zgjeruar ndjeshëm duke zbuluar një skemë të organizuar shantazhi.
Gjykata ka rishikuar masat e sigurisë për tre të dyshuarat: një 19-vjeçare është lënë në “arrest me burg”, një 15-vjeçare tjetër në “arrest shtëpie”, ndërsa për të miturën e tretë është vendosur masa e mjekimit të detyruar, për shkak të dyshimeve për probleme të shëndetit mendor. Paralelisht, organi i akuzës po i heton ato edhe për vepra të tjera penale që lidhen me këtë çështje.
Nga të dhënat paraprake, dyshohet se të rejat kishin ngritur një mekanizëm shantazhi, përmes të cilit kontaktonin burra në rrjete sociale, i bindnin për takime në ambiente hoteliere dhe më pas një person tjetër i fotografonte në mënyrë të fshehtë. Këto materiale më pas përdoreshin për presion dhe përfitime të paligjshme. Hetuesit po verifikojnë nëse kjo skemë ka pasur përmasa më të gjera dhe nëse ekzistojnë viktima të tjera që nuk kanë bërë kallëzim.
Në fokus të hetimeve është vendosur edhe një efektiv policie, baba i dy fëmijëve, i cili dyshohet se është kontaktuar nga një prej të miturave. Sipas burimeve, ai është takuar me të në një lokal, ndërsa komunikimet mes tyre dyshohet se janë përdorur më pas për ta shantazhuar. Pretendohet se ndaj tij është ushtruar presion për të ndikuar në mbylljen e çështjes së dhunimit të 17-vjeçares, në të kundërt materialet do të publikoheshin.
Në lidhje me këtë rast, efektivi është përjashtuar nga Policia e Shtetit, ndërsa Agjencia e Mbikëqyrjes Policore vijon verifikimet për të sqaruar plotësisht rrethanat dhe përgjegjësitë e mundshme.
Hetimet mbeten në zhvillim, ndërsa pritet që ditët në vijim të hedhin më shumë dritë mbi këtë çështje komplekse që ka tronditur opinionin publik.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



