E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Një epidemi mashtrimesh
Publik News

Një epidemi mashtrimesh

Të gjithë i mbajmë mend fillesat e pandemisë në Shqipëri. Një kryeministër i përçartur që mori rolin e babait të kombit dhe vendosi gjithë popullin në një karantinë të paprecedent dhe totalisht të panevojshme. Ndërkohë lakenjtë e vet dilnin studiove televizive dhe mashtronin duke bindur qytetarët e terrorizuar se Shqipëria po menaxhonte pandeminë 10 herë më mirë se Gjermania dhe 50 herë më mirë se Italia.

Mashtrimi i parë që i hapi rrugën një serie të gjatë mashtrimesh! Në kushtet kur OBSH po rekomandonte trinomin tashmë të famshëm Testo-Gjurmo-Trajto, “kompetentët” e qeverisë sonë argumentonin studiove televizive se testimi ishte i panevojshëm. Taktika kishte vetëm një qëllim. Duke mos testuar, numri i rasteve dukej i vogël dhe situata nën kontroll. Mashtrimi i dytë, pati pasoja katastrofike! Duke mos testuar dhe gjurmuar, një infeksion plotësisht i kontrollueshëm u la të përhapet i lirë duke shkaktuar një tragjedi njerëzore me qindra mijëra të infektuar dhe mijëra të vdekur!

Të vdekurit u bënë subjekti i mashtrimit të tretë. U shfrytëzua çdo marifet i mundshëm për të ulur artificialisht numrin e të vdekurve: duke mos testuar, duke mos testuar në kohë, duke mos raportuar të vdekurit në shtëpi apo spitale private dhe duke raportuar vetëm gjysmën e të vdekurve në spitale! Sot Shqipëria raporton zyrtarisht 2,400 të vdekur. Numri real?! Të paktën 5 fish më i lartë!

Mashtrimi i radhës u bë me kujdesin shëndetësor. Njerëz që duheshin çuar dhe ende duhen çuar për ndjekje penale u shpallën “heronj”, ndërkohë që njerëzit të cilët duhen shpallur realisht heronj, janë pushuar nga puna dhe lënë në rrugë! U deshën “tiret” dhe demaskimi i sa e sa skandaleve të tjerë për të kuptuar sa i thellë ishte ky mashtrim dhe se sa i kalbur ishte në fakt sistemi shëndetësor.

Ndërkohë që familjarët e personave që ishin duke vdekur paguanin 1 mijë euro për një bombol, 100 euro për oksigjenin ditor dhe 50 euro për infermierin që vinte të bënte një injeksion në shtëpi, pa pikë turpi mashtrohej publiku duke e bindur se spitalet tona ishin po aq të mira sa edhe ato europiane!!! Spitalet ku nuk shpëtoi asnjë i intubuar i vetëm!!!

Për të ardhur tek mashtrimi me vaksinën, i cili ndryshe nga mashtrimet e tjerë, ishte një mashtrim i shumëfishtë dhe serial.U sollën vaksina kineze, të blera nëpërmjet Turqisë dhe u injektuan masivisht në popullatë. Duke i mashtruar shqiptarët se këto ishin rrugëzgjidhja e vetme, ndërkohë që mund dhe duhej të ishin siguruar vaksina Moderna dhe Pfizer. Propaganda qeveritare pretendonte se vaksina kineze po i mbronte qytetarët nga sëmundja. Kur ky mashtrim doli zbuluar, u kalua tek mashtrimi i radhës, se vaksina të mbron nga komplikacionet dhe shtrimi në spital. Kur edhe ky mashtrim doli në dritë, u tha se të mbron nga vdekja!

Deri sa dolën Seishellët ku vaksina kineze nuk po i mbron qytetarët e atjeshëm as nga sëmundja, as nga shtrimi në spital dhe as nga vdekja! Megjithëse 100% e popullsisë së atjeshme është vaksinuar me sy doza! Apo Turqia dhe Kili ku numri i rasteve dhe vdekjeve arriti pikun me gjithë vaksinimin e “suksesshëm” me vaksina kineze!

Fatmirësisht shqiptarët tashmë po arrijnë imunitetin e tufës! Me një kosto të tmerrshme jetësh njerëzore, prej jo pak por mbi 12 mijë të vdekur nga COVID! Aq i lartë është ky numër vdekjesh, sa për herë të parë në shumë shekuj, numri i lindjeve gjatë 2020-ës, u barazua me atë të vdekjeve, ndonëse diferenca një vit më parë kishte qenë mbi 7,000 lindje më tepër!

Qeveria ndërkaq po e mbyll siparin me supermashtrimin e radhës, se qetësimi i situatës epidemiologjike sot lidhet me “masat e suksesshme” dhe “vizionare”. Ndërkaq është provuar katërcipërisht se rënia e kurbës së rasteve dhe asaj të vdekjeve lidhet me imunitetin natyror të arritur nga përballja e egër me pandeminë. Me koston e 12 mijë jetëve të humbura, 1.5 milion infektimeve dhe 150 milionë eurove të shpenzuara nga xhepat e qytetarëve!!!

Shqiptarët e kanë vetë në dorë! Të besojnë qeverinë që po përpiqet t’i bindë se ata nuk u sëmurën dhe nuk vdiqën në 2020-ën dhe 2021-in dhe se ajo që ndodhi në Shqipëri ishte “normale”, apo të kërkojnë llogari për tmerret e një viti tragjik. Zgjedhja është e qytetarit shqiptar! Në se harron edhe vdekjet, pak të zeza kanë mbetur akoma për t’i bërë…

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.