E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Një proces poshtërues, që nderon pedagogun dhe turpëron studentët
Sot

Një proces poshtërues, që nderon pedagogun dhe turpëron studentët

Mero Baze

Pa zhurmë, pa bujë, pa u ankuar tek askush, pa ngritur zërin për shantazhet ndaj tij, duke udhëtuar vërtet në autobusat e linjës në Tiranë, duke qenë asket në jetën e përditshme dhe i prerë në profesionin e pedagogut, ai ka shkuar në Prokurori rregullisht, u ka çuar prokurorëve gjithë provimet e studentëve që kanë mbetur në vite, dhe ka kërkuar prej tyre, se qoftë dhe nëse njëri prej tyre e meriton të kalohet dhe ai e ka mbetur, shkon me dëshirë në burg.

Pastaj u ka çuar dhe provimet e studentëve që kanë kaluar, pasi kanë ngelur njëherë, për të kuptuar se kanë kaluar ata që e kanë merituar.

Prokuroria, e cila është aktivizuar nga “indiciet e shtypit” me procedurën “kryesisht”, ka mbyllur hetimet pas gjashtë muajsh dhe gjykata ka vendosur pushimin e çështjes, pasi nuk qëndron asnjë akuzë.

Gjithë kjo histori e pistë shantazhi ndaj një profesori të nderuar vetëm se nuk pranon të vërë një notë 5, pa e merituar, për një tufë studentësh katranjozë, që meqë nuk bëhen dot studentë, kanë vendosur të bëhen revolucionarë, është një ilustrim i hidhur i atij pisllëku që politika në vend të luftojë ta pastrojë nga Universiteti, po përpiqet ta kultivojë përmes shantazhit.

Nëse ka një problem Universiteti ynë publik sot, nuk ka vetëm numrin anormal 140 mijë studentë, por faktin që atë e mbarojnë të gjithë.

Universiteti i Tiranës ka fare pak profesorë si Nasho, të cilët çuditërisht, në vend që të ishin në piedestal të nderit, tentohet të poshtërohen, pasi janë pengesë pikërisht për mekanizmin kryesor që ka zhvlerësuar universitetin, blerjen e diplomës.

Hetimi dhe gjykimi i tij gjashtë mujor në heshtje, është provë suksesi për një karakter të fortë pedagogu, por dhe një kambanë alarmi për krimin që fshihet në emër të politikës apo “Lëvizjes” studentore brenda Universitetit.

“Lëvizja për Universitetin” duhet  të jetë një lëvizje studentësh cilësorë, që duhet të kërkojnë të marrë vlera dija e tyre, dhe jo të përfaqësojë makthet e atyre që nuk marrin dot 5 me profesor Nashon. Ata studentë kanë ekzistuar që ditën e parë që profesor Nasho ka shkelur në Universitetin e Tiranës, dhe vetëm pedagogë të tillë mbajnë në këmbë ashtin e Universitetit cilësor.

Jo vetëm profesor Nasho, por dhe pedagogë të tjerë të nderuar të Universitetit, janë anatemuar kohët e fundit, pikërisht se ata nuk tolerojnë të kalojnë këta tipat që ankohen se nuk marrin dot provimet. Askënd nuk kam dëgjuar të ankohet për pedagogët e “Kristalit” që janë ende pedagogë në universitetin publik, apo për pedagogët që i kanë bërë praktikë standarde pagesat e provimeve apo ryshfetet.

Është regresive që akuzat bëhen pikërisht ndaj atyre që nuk marrin ryshfete, pasi ata bëjnë përjashtim nga rregulli që ka degraduar sot Universitetin publik.

Por tani, meqë kalvari poshtërues ndaj tij ka kaluar dhe përmes filtrit të Prokurorisë dhe Gjykatës, ai së paku ndjehet i pari pedagog skrupuloz i Universitetit që ka bërë dhe Vettingun juridik të tij.

Është mirë tashmë që çdo student që bën akuza të tilla, duke u bërë pjesë e lojës politike, të bëjë vetingun e tij, të dëshmojë notat e tij dhe problemet që ka pasur me ecurinë në mësime. Dhe natyrisht, vetingun e çdo profesori, nga ata “të mirët”, që nuk ngelin në klasë asnjë. Dhe ndjehen të kënaqur të dy palët, pasi në vend të diturisë, shkëmbejnë para.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.